Gazeta Shqiptarja.com publikoi sot një raport për mirëmbajtjen e rrugëve, fatura e së cilës arrin deri në 85 milionë dollarë, por problemet vijojnë të jenë prezente nga Jugu në Veri dhe së fundmi edhe në Rrugën Tiranë-Elbasan, e cila vijon që të jetë e bllokuar në një sens.

I pyetur nga Report Tv për raportin për mirëmbajtjen e rrugëve, drejtori i ARSH Afrim Qendro u shpreh se projekti i Bankës Botërore ka një pjesë të caktuar të rrugëve në Shqipëri, ndërsa mohoi dijeninë për abuzime financiare.

“Nuk e kuptoj pyetjen, mirëmbajtja e rrugëve është një proces normal inxhinierik. Projekti i Bankës Botërore ka një pjesë të caktuar të rrugëve në Shqipëri, jo të gjithë, është e ndarë me lote dhe unë nuk di të ketë ndonjë abuzim financiar. Megjithatë të verifikojmë dhe të themi. Përsa i përket kostos së rehabilitimit të kësaj rrëshqitje në rrugën Tiranë-Elbasan do të dalë me projektin dhe preventivin, unë nuk mund të jap apriori se sa kushton kjo” deklaroi ai.

Rrëshqitjen e masivit shkëmbor në Elbasan, drejtori Qendro e cilësoi si fenomen që nuk ndodh për herë të parë, ndërsa shtoi se përfaqësuesit e firmës po bëjnë investigimet dhe planin e punës se cila do të jetë zgjidhja për këtë segment, pasi ka problematikë në të gjithë pikën në këtë aks.

Sipas dokumentit të Shqiptarja.com të publikuar sot, Janë jo pak, por 84.6 milionë euro me TVSH tenderat që kanë fituar disa firma ndërtimi për të mirëmbajtur katër segmentet kryesore rrugore të vendit, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim.

Këto para’ janë ofruar nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), degë e Bankës Botërore dhe mbulojnë një periudhë 5-vjeçare, gjatë së cilës kompanitë kontraktore duhet të rikostruktojnë dhe mirëmbajnë praktikisht rrjetin rrugor kombëtar. Dhe nuk është fjala për pastrimin nga bora, që e kryejë kompani të tjera, të cilat janë kontraktuar për dimrin.

Por, askush që lëviz me makinë nëpër Shqipëri nuk ka konstatuar askund të kryhen punime të tilla në thellësi të asfaltit nga kontraktorët, ndonëse ka kaluar gati një vit nga nënshkrimi i kontratave.

dy.b/shqiptarja.com