86 vjet Kodi Civil, historia e krijimit
dhe rëndësia që i dha Ahmet Zogu

86 vjet Kodi Civil, historia e krijimit<br />dhe rëndësia që i dha Ahmet Zogu
Gjendja në të cilën ndodhej Shqipëria në vitet ‘20 të shekullit të kaluar ishte mjaft e trazuar. Vendi i sapo dalë prej Luftës I Botërore me vështirësi kishte ruajtur de jure mbas përfundimit të Konferencës të paqes (Versajë - Francë 1918) kufijtë e caktuar prej fuqive të mëdha më 1913. Ndërsa, në fakt është për të shënuar që fuqi ndërlufuese si Franca u larguan prej teritorrit shqiptar (Krahinës së Korçës) vetëm mbas pranverës të vitit 1920.

Kaosi
Në këto kushte, prirjet partikulariste paraqiteshin si zgjidhje të daljes nga kriza. Përpjekjet e  politikanëve dhe udhëheqësve  jo vetëm nuk jepnin frutet e tyre, por shpesh herë dëmtonin interesat kombëtare. Pavarësisht se kishin kaluar mbi 10 vjet nga shpallja e Pavarësisë, Shqipëria nuk po gjente ende rrugën e vet. Injoranca ishte ulur këmbëkryq. Ekonomia familjare - e shkatëruar. E vendit, gjithashtu. Plagë sociale, si: gjakmarrja, sëmundje të rënda, ndërhyrje nga jashtë për coptimin e vendit përbënin me pak fjalë gjendjen e Shqipërisë në ato vite.

Mendësia juridike e individit shqiptar nëpërmjet së drejtës zakonore kishte shekuj që ishte krijuar. Nevoja paraqitej për të krijuar një të drejtë shtetërore unike. Puna e madhe që e priste klasën sunduese nuk mund të qe e lehtë. Pushtimi i gjatë kishte bërë punën e vet. Krijimi dhe rrënjosja e një filozofie kombëtare, nëpërmjet kulturës së ligjit ndër shqiptarët, gjendej në nivele më të ulta nga ato që kërkoheshin. Kjo edhe për mungesë të marrëdhënieve të ndërsjellta me vendet e zhvilluara. Një pjesë jo e pakët e popullit, përshtaste jetën e vet sipas normave të së Drejtës zakonore. Kjo mënyrë të jetuari, gjithsesi origjinale përsa i përket formimit etno - psikik e juridik, ngulitej edhe për arsyen e qendrimit në krahina të fshehura.

Dalja e Ahmet Zogut në skenën politike mbarëkombëtare shqiptare që në fillim të vitit 1920, dhe ushtrimi prej tij i detyrave të rëndësishme në qeverinë e dalë prej Kongresit të Lushnjës, sidoqoftë ishin shënja që jepnin shpresë. Projektet e këtij shtetari për reforma qenë mjaft ambicioze. Përfundimi i suksesshëm i tyre, qoftë edhe pjesërisht, qoftë edhe dështimi i tyre, sigurisht që lidhen me një sërë shkaqesh të brendshme dhe të jashtme.

Idea e krijimit dhe e veprimit të një kodi civil modern në Shqipëri, për herë të parë është hedhur që në vitin 1920. Kristo Floqi, ndër juristët më të shquar të kohës, botërisht kërkoi miratimin sa më të shpejtë të kësaj vepre shumë të nevojshme për popullin. Kjo ide ka qenë e bisedueshme në gjithë periudhën pasuese, deri në miratimin e hyrjen në fuqi të një legjislacioni modern, që do të përfshinte edhe kodet, ndër të cilët  më kryesori ishte Kodi Civil.

Domosdoshmërinë e një botkuptimi të ri, të ndryshëm nga pararendësi për krijimin dhe veprimin e një shteti të ri kombëtar nëpërmjet ligjeve dhe institucioneve të tij kishte filluar ta kishte në qendër të vëmendjes dhe politika e kohës. Projektet e Ahmet Zogut për modernizimin e vendit dukeshin të herëshme dhe ambicioze.

Reforma legjislative ka qenë më e spikatura. Për realizimin e saj duheshin kapërcyer një sërë vështirësish të brendëshme dhe të jashtme: a) Vështirësia kryesore e brendëshme që duhej shmangur me çdo kusht nëpërmjet unifikimit ishte partikularizimi i së Drejtës; b) Zgjedhja e një modeli legjislativ perëndimor modern dhe të përshtatshëm për kushtet e vendit; c) Qëndresa ndaj ndërhyrjeve të shteteve të huaja për të ndikuar në hartimin e legjislacionit.          

a) Shmangia e partikularizmit të së Drejtës, nëpërmjet unifikimit të saj. Vështirësia rritej po të marrim parasysh se e Drejta Civile nuk zbatohej në mënyrë të njëllojtë në gjithë teritorrin e vendit. Komunitete të ndryshme në Shqipëri, që u përkisnin besimeve fetare të ndryshme, në një teritorr të veçantë zbatonin juridiksione të veçanta. Kështu, në veri të vendit ushtronte veprimtarinë e saj Kisha katolike, e cila zbatonte të Drejtën kanonike, që në shekullin XX ishte e kodifikuar.

Përveç saj, ndikim të rëndësishëm kishte edhe e drejta zakonore, që gjithashtu nuk ishte e njëllojtë në gjithë zonën e veriut, ku jetonte, megjithëse nënumër më të paktë, edhe një bashkësi ortodokse e ritit slav. Gjithsesi duhet thënë që përsa i përket së Drejtës zakonore kjo mbizotërohej prej të ashtuqujturit Kanuni i Lekë Dukagjinit. Ky Kanun, përveç rrënjosjes në ndërgjegjen dhe psikologjinë e shqiptarëve të atyre zonave, nuk mund të mos bëhej më i njohur dhe të fitonte epërsi edhe për arsye se, në vitin 1933 u botua i përmbledhur si vepër postume e At Shtjefën Gjeçovit, i cili ndërkaq kishte vdekur në vitin 1929.

Me autoritet të dukshëm ishin dhe Kanuni i Skënderbeut, i Dibrës, i Bendës etj. Përveç këtyre, zbatimi i së Drejtës zakonore në veri të vendit lejohej edhe prej administratës osmane, nëpërmjet veprimit të të ashtuquajturave zyra të Xhibalit. Zbatimi i së Drejtës zakonore në jug (Kanuni i Labërisë), megjithëse i venitur, ende nuk ishte krejtësisht i zhdukur.

Me gjithë këtë, bisedimi këtu duhet bërë se, cila quhej e drejtë pozitive e detyrueshme për zbatim. Përsa i përket bashkësisë myslimane dhe ortodokse zbatohej Kodi Civil turk (Mexheleja). Në këtë Kod ishin përshtatur rregulla të së drejtës romake, zbatimi i të cilave përsa i përket komunitetit ortodoks administrohej prej krerëve të Kishës, që veç të tjerave zgjidhnin të gjitha mosmarrëveshjet e natyrës civile dhe vërtetonin akte të ndryshëm, siç mund të ishin testamentet etj. Pra, krerët e fesë duhen parë edhe si gjykatës, që zgjidhnin mosmarrëveshje të natyrës civile.

Në veri siç u tha më sipër, zbatohej e Drejta kanonike ose ekleziastike (kishtare) duke mos përjashtuar përsa i përket së Drejtës civile edhe ndikimin e së Drejtës zakonore. Në jug të vendit në fushën e të drejtave civile, mbas ndarjes së kishave dhe rrudhjes së ndikimit të asaj katolike, një pjesë e popullsisë ra nën ndikimin e kishës së lindjes. Mbi ‘të zbatohej 6 vëllimshi i Armenopullosit. (Konstandin Armenopullos, jurist i shquar që ka ushtruar veprimtarinë e tij në Selanik gjatë Perandorisë Bizantine në shekullin VI).

Në këtë veprër e tij exa biblia  e krijuar në mbështetje të doktrinës së të Drejtës romake përfshiheshin edhe një sërë institucionesh të së Drejtës trashëgimore, midis të cilave edhe dhjata (testamenti), roli i autoriteteve kishtare në vërtetimin e autentifikimin e akteve të tilla, tjetërsimi i sendeve të paluajtëshme nëpërmjet kontratave të veçanta, lidhjet dhe zgjidhjet e martesave etj.). 

Praktikimi i kësaj të drejte nuk u ndërpre edhe pas marrjes së Konstandinopojës (Stambollit) prej otomanëve, por u implementua në legjislacionin osman, duke vijuar të zbatohej nga ortodoksët (ndër të cilët edhe ortodoksët shqiptarë) deri në miratimin e Kodit Civil të vitit 1929.

Kjo gjendje juridike e qendrueshme në shekuj (që kishtë zënë vend edhe në komunitetin ortodoks shqiptar) ishte rrjedhojë e arritjes së Marrëveshjes ndërmjet Sulltan Mehmetit II dhe kreut të Patriarkanës greke të Stambollit. Rëndësia dhe vlerësimi i kësaj Marrëveshjeje, sidomos për grekët, nuk i ka shpëtuar edhe vëmendjes së  dijetarëve dhe historianëve perëndimorë. Njëri prej tyre, Viktor Dyri, (Victor Duruy), akademik francez e ka vlerësuar marrëveshjen në interes të popullsisë greke, sepse përfituan një sërë të drejtash civile, të cilat i quan si vendimtare për themelimin e kombit grek.

Përfundimisht, shfuqizimi i të gjitha ligjeve e akteve që zbatoheshin veç e veç prej komuniteteve të caktuara u bë me anën e nenit 61 të ligjit “Mbi aplikimin e Kodit Civil”, në të cilin thuhet: Mexheleja, Kodi i Tokave, dispozitat e vesaja - së, të Feraiz – it, si edhe të gjitha dispozitat e Sherisë dhe ekleziastike që i përkasin se Drejtës familjare dhe të drejtave civile të tjera, dhe përgjithësisht të gjitha ligjet e rregulloret që janë në kundërshtim me Kodin Civil të ri abrogohen.            

b) Zgjedhja e modelit perëndimor për hartimin e Kodit Civil.

Veprimtaria e drejtuar nga A. Zogu për të përfunduar reformën ligjore ishte vërtetë një risi. Kthesa dukej tepër e papritur dhe me rrezik, sikur dilte jashtë realitetit shqiptar. Por koha vërtetoi të kundërtën. Këtu nuk bëhej fjalë për imitime strukturash apo institucionesh, kodesh e ligjesh të ndryshme, që mund të merreshin të gatëshme prej një shteti tjetër dhe të mund të vendoseshin për zbatim në vendin tënd.

Kjo mund të quhej puna më e lehtë, por nuk ishin të sigurta  pasojat. Imitimi i ligjeve nuk ka qenë i këshillueshëm as nga dijetarë të shquar të fushës të ligjeve. Njëri prej tyre, pararendësi i revolucionit frëng, Monteskjë (Montesqueiu) këshillontë se, ligjet e një kombi nuk mund të parashikohen sa të përshtatshme mund të jenë edhe për një komb tjetër.

Me gjithë këtë, sytë qenë hedhur nga Perëndimi. Reformat kishin filluar. Ne vitin 1922 hyri në fuqi ligji “për testamentet”. Në vitin 1926 hynë në fuqi akte ligjore mjaft të rëndësishme, siç ka qenë zëvendësimi i peshave dhe masave të vendosura në Francë apo në vende të tjera të Europës në një ekspozitë ndërkombëtare të çelur më 1889 me rastin e 100 vjetorit të Revolucionit frëng. Kështu, metri zëvendësoi kutin, kilogrami okën etj., pra u pranua prej Shqipërisë i ashtquajturi sistemi metrik. Kodi Penal kishte hyrë në fuqi që në vitin 1926. Pritej me padurim hartimi dhe hyrja në fuqi e Kodit Civil.

Dihet ndikimi dhe mbështetja që ka pasur i pari Kod civil shqiptar prej kodeve të ngjashëm franko – Italianë, por hartuesve të tij në rradhë të parë u dilte si detyrë të vlerësonin traditën, gjendjen juridike dhe mendësinë shqiptare në themelimin e institucioneve të ndryshëm të natyrës civile. Për shembull, fejesën si institut i veçantë nuk e njihte as legjislacioni francez dhe as ai italian. Ky i fundit nuk njihte as të drejtën e divorcit. Për të dy këta institute që u vendosën në Kodin Civil shqiptar u mbajt qëndrim i ndryshëm prej kodeve franko-italianë. 

Hartuesit e Kodit shqiptar nuk mund të mos njihnin dhe trajtonin fejesën, si kategori të veçantë juridike, e cila për vetë marrëdhënien e rëndësishme që krijonte nuk mund ta linin si një relike të së Drejtës Zakonore.

Prirjen e mendimit politik mbizotërues në një çështje kaq madhore dhe në një mënyrë mjaft autoritare e shfaqi njëri prej shtetarëve të rinj, Ahmet Zogu, me cilësinë e ministrit të brendshëm të Qeverisë së dalë prej Kongresit të Lushnjës, me anën e një letre të hapur drejtuar Gjindarmërisë dhe gjithë nëpunësve të varur prej Ministrisë së Punëve të Brendëshme. Letra (publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 12, “Dita e Re”, datë 17.6.1922) është hartuar në formë triptiku me një hyrje të shkurtër, në tre nëntituj: 1. Themeli i Shtetit. 2. T’i hedhim sytë nga perëndimi. 3. Lypset bindje.

Autori, mbasi përpiqet të krijojë një marrëdhënie të barabartë ndërmjet tij dhe atyre që u drejtohet, nuk harron t’u kujtojë që nëse nuk kuptohet drejt kjo sjellje e tij, atëherë kushdo duhet të kuptojë se në këtë rast nuk flet miku dhe i barabarti me ‘ta, por ministri.

“Qysh se vullneti i mirë dhe besimi i plotë i Parlamentit formoi këtë Kabinet (Qeveri - V.M.) e m’u ngarkua barra e Ministrisë të punëve të Brendëshme, unë kam dëshirue t’u sillem juve, o miq të dashur, jo si ministër, por si privat, si shok...prandaj lutem që të merrni këshillat e mia si shok, si mik, si bashkëatdhetarë dhe të kini parasysh se unë tash përmbush një detyrë ma të randë ndaj miqve e shokëve të mi se masandej këtë detyrë ka me e plotësue Minstri në kjoftë se këshillat e mikut nuk ndigjohen” (A.Z. Dit’e re 17 qershor 1922”). E para detyrë e zyrtarit – shkruan gjithashtu ai - është t’i përgjigjet me lartësi detyrës së vet për ta merituar vendin që mban, të jetë i bindur që makina e shtetit është kurrizi i Atdheut, dhe në qoftë se nuk punon si nëpunës besnik e i mirë dëfton që nuk e do vendin e vet dhe se është armiku i kombit të tij.

Në këtë letër shfaqet botëkuptimi i Ahmet Zogut dhe pikëpamjet mbi të cilat ai kishte ndërtuar e zotëronte konceptet e nevojëshme për drejtim. Mbi të gjitha vlerësonte të drejtat ligjore, ku duhej të mbështetej çdo qeveri në punën e saj. (“Qeveria - shkruante ai në letër -  duhet të sundojë, veprojë e jetojë për popullin në mënyrë që të fitojë zemrën e tij. Vetëm shtetet që kanë pëlqimin e popullit jetojnë e përparojnë. Ky pëlqim duhej fituar e jo të rrëmbehej me anën e ushtrimit të dhunës e të forcës. Edhe mbretëritë më të forta të Botës, kur mbështeten mbi forcën e verbër të padrejtësisë ose mbi bajonetat, shumë shpejt do të mbyten në gjakun e vet me shnderim, turp e me mallkim”).

Në pjesën “T’i hedhim sytë nga perëndimi”, këtë urdhërim autori e quan si një pikë që ka rëndësi jetike, duke udhëzuar një mënyrë sjelljeje që ka dalë prej mendjes, historisë kombëtare dhe vullnetit evropian. Duke u kthyer prapa në kohë, ai rrëfen lidhjet e vjetra të Shqipërisë me Evropën prej shekujsh më parë, kur sipas tij “Shqipëria ka qënë mikesha e vogël dhe si drita e syrit për Europën e qytetëruar”. Beson se Shqipëria do të bashkohet me Evropën (“...se vetëm kështu do të ruhet kjo fole e vogël dhe e dashur e shqypes.

Europa është ajo që na ka dhanë jetën-vijon ai- dhe duhet ti diftojmë asaj se e kemi meritue drejtësinë që na ka ba. Ne nuk do të bëjmë prova mbi kurriz t’Atdheut, por do të harojmë dhe do të flakim çdo sistem a kujtim aziatik. Mjerrë ai zyrtar që mbështetet në vullnetin aziatik dhe diskretiton shtetin”).

  Më vonë, A. Zogu gjatë presidencës së tij filloi të vinte në jetë këto ide nëpërmjet strukturave shtetërore si, për shembull, komisionet e veçanta, që si detyrë kryesore nën drejtimin e Këshillit të Lartë të Shtetit kishin përgatitjen e Kodeve. Komisioni për përgatitjen e Kodit Civil, ndër të tjerë kishte si specialistë kryesorë katër nga juristët më të njohur shqiptarë: Koco Kotta, Agjah Libohova, Baltazar Benussi dhe Thoma Orollogaj. Koço Kotta, si senator ka kryesuar edhe mbledhje të veçanta të këtij organi ku janë biseduar me hollësi pjesë të tëra të Kodit Civil të ri. Ndërkohë, për këto reforma madhore publiku ishte bërë mjaft i ndjeshëm.

Shtypi nuk qëndroi asnjëanës. Në botimin e materialeve, që kishin të bënin posaçërisht me këto çështje morën pjesë juristë të njohur të kohës. Përmbajtja e materialeve kishte të bënte me zgjedhjen e modelit si burim legjislacioni nga vendet e Evropës perëndimore, që do t’i përshtatej më mirë interesave të vendit.

Më 19 mars 1927 gazeta “Zëri i Korçës” botoi artikullin me titull  “Oportuniteti (dobia) i pranimit të Kodit Civil Francez”.
Shkrimi i sipërm ka dalë në një kohë kur bisedimi mbi vendosjen e Kodit Civil, modelin që duhej të zgjidhej për ‘të etj. ishin bërë çështje të ditës. Ndërkohë që bëhej e ditur, se ishte ngritur dhe vepronte për këto çështje edhe një komision legjislativ. Mbasi vëmendja ndaj legjislacionit turk kishte kohë që ishte larguar, bisedimet qenë përqëndruar në dy kode: mbi atë francez dhe atë zvicerian, për t’u zëvendësuar ky i fundit me Kodin Civil italian.

Në këtë artikull pa emër, por vetëm me shënimin në fund të tij “nga disa avokatë” janë trajtuar ide në mbrojtje të vendosjes së Kodit Civil francez në Shqipëri. Argumentet e sjella në mbrojtje të kësaj teze nuk janë të pakta. Në të mirë të tezës së tyre, autorët nënvizojnë faktin që në Shqipërinë e asaj kohe kishte marrë një rëndësi të veçantë mësimi dhe përhapja e gjuhës frënge, sidomos që nga çelja e Liceut të Gjinokastrës, e Liceut Kombëtar të Korçës në gjuhën frënge.

Çelja e këtij të fundit ende pa mbaruar Lufta I Botërore tregoi fare qartë interesin e Francës për këtë rajon, veçanërisht për krahinën e Korçës, e cila përbënte njërin prej objektivave më të rëndësishëm të shovinizmit dhe ekspansionizmit grek. Zëri i Francës si fuqi ndërluftuese dhe për më tepër edhe si njëra prej fuqive fituese të Luftës ishte me mjaft peshë për fatet e Shqipërisë. Një ngjarje që ka ndikuar në Shqipëri si shembull i dhënies së drejtësisë prej gjykatës franceze ka qenë gjyqi ndaj Avni Rustemit.

Pavarësisht se vepra e këtij të fundit ishte jo vetëm e paramenduar, por edhe e organizuar me qëllime të pastra politike, duke u frymëzuar nga dashuria për Atdheun dhe urrejtja e krijuar ndaj veprimeve të viktimës, prej mbrojtjes u paraqit në gjyq si veprim i rastit dhe jo i menduar më parë. Lirimi i tij nga gjykata tregoi, ndër të tjera, jo vetëm pavarësinë e trupës gjyqësore, por dhe faktin historik e politik, sipas të cilit, populli shqiptar po fitonte rëndesën e duhur në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Prania e një trupe mësimore prej 16 profesorësh francezë në këto shkolla përbënte një faktor shumë të rëndësishëm për përhapjen jo vetëm të gjuhës, por edhe të historisë dhe kulturës franceze, sidomos për frymën republikane të krijimit të institucioneve të ndryshme apo veprimit të tyre në përputhje të plotë me ligjet e miratuara. Ndër 600 nxënësit shqiptarë që ndiqnin atë kohë mësimet e tyre në Francë bënin pjesë edhe juristët e ardhshëm, që do të mësonin (siç mësuan-V.M.) në universitetet më të mira të brumosura me kulturën juridike më moderne të kohës, që do të hidhnin shtyllat e fuqishme të drejtësisë dhe shkencës juridike në Shqipëri, e cila në fushën e gjerë të diturisë (sipas artikullshkruesve) zinte vendin e parë. Me dijet e fituara, ata do të ktheheshin plot dituri, kulturë dhe të aftë për të marrë pjesë në organizimin gjyqësor, politik, administrativ etj. Gjuha dhe kultura zyrtare turke e kishte humbur rëndësinë e dikurshme.

Ajo nuk ishte më gjuhë zyrtare e Shqipërisë, por në të njëjtën kohë edhe përdorimi i saj në jetën e përditshme, sidomos në marrëdhëniet me administratën dhe gjyqet pati marrë fund. Kishte vite që marrëdhëniet e shumta, veçmas ato ekonomike e tregtare qenë drejtuar nga Perëndimi. Kështu që vinte përfundimi logjik, se çdo çështje që lidhej me drejtësinë-përsa i përket doktrinës dhe jurisprudencës-nuk mund të njihej nëpërmjet një gjuhe tjetër, siç ishte turqishtja, pavarësisht nga një numur jo i vogël nëpunësish ose të tjerë që e njihnin atë gjuhë. Vetë Turqia po përshtaste dhe përvetësonte Kodin Civil zviceran, prandaj edhe këtë ligj të rëndësishëm europian-këshillohej nga artikullshkruesit-shqiptarët nuk mund ta mësonin prej turqishtes, por drejtpërdrejt nga frëngjishtja.

Një përfundim i sjellë në shkrim ka qenë  se, me pranimin e Kodit Civil francez nuk do të thoshte që variante të tjera qenë të përjashtuara detyrimisht. Komisioni legjislativ i kishte duart e lira në këtë drejtim. Ai mund të përpunonte disa variante, si të Kodit Civil francez, ashtu edhe të Kodit zviceran apo pjesë nga kode të tjera të Perëndimit, mjaftonte që t’u përshtateshin kushteve të vendit dhe të nxireshin dobitë e duhura prej tyre.

Nga ana tjetër, jurisprudenca franceze (sipas autorëve të shkrimit) jo vetëm nuk ishte e kokolepsur (labirinth në tekst si ajo e Turqisë), por qe shumë e lehtë në përdorimin e saj edhe për faktin që vendimet gjyqësore të çdo viti klasifikoheshin në libra që përmbajnë lëndën e çdo  dhjetë vjetëve (Tables Décenalles), të cilat kanë repertorin alfabetik, me të cilin  çdo njeri mund të gjente lehtazi në fjalën e objektit që kërkon, tërë vendimet që ishin dhënë për çështje të caktuara prej gjyqeve të apelit e të diktimit, material ky mjaft i begatë dhe një ndihmë e pa kontestuar si për gjykatësin, ashtu edhe për avokatët, duke krijuar në këtë mënyrë një përparësi.

Sepse gjyqtari ndodhet para një fushe të gjerë tezash, argumentesh e mënyrash të ndryshme, nga të cilat me dijeninë e tij juridike (në tekst: jurore-V.M.) dhe aftësinë vetiake ishte i lirë të zgjidhte atë mendim që i përshtatej më tepër rrethanave konkrete, në të cilat  shfaqej çështja në shqyrtim.

Ky mendim sipas autorëve vërtetohet dhe me faktin që në të tëra shtetet ku është marrë si bazë Kodi Civil francez, me gjithë ndryshimet që bëhen në ligjet e reja, nuk pushon të jetë burimi konkret i gjykatësit të huaj për mirëzbatimin e Kodit të tij, kur është e ditur që parimet janë të njëjta, dhe gjykatësi që mendohet i aftë për atë detyrë është kurdoherë në pozitë t’i gjejë dhe t’i lërë mënjanë ato çështje që nuk përfshihen në legjislacionin e vendit të tij. Në të kundërt, legjislacioni zviceran nuk ka pasur-sipas autorëve-jurisprudencë; veç kësaj nuk ka qënë i përpunuar si legjislacioni francez.

Pa paragjykime edhe ndaj kulturave juridike të vendeve të tjera si, për shembull, të Gjermanisë, shkruesit e artikullit nënvizonin faktin që dijetarët e gjuhës gjermane në Shqipëri nuk qenë të shumtë. Mungesa e tyre nuk krijonte mbështetjen e nevojshme për studimin dhe kuptimin e frymës së Kodit Civil zviceran, një përmbledhje e shkurtër e të cilit ishte projektuar prej profesorit Huber. Vështirësitë lidhur me përtypjen e tij shtoheshin edhe nga mungesa e shpjegimeve në gjuhën frënge, përveç një përkthimi të kohës së shpjegimeve të Max & Porret.

Një gjendje e tillë e bënte të vështirë, në mos të pamundur, kuptimin dhe zbatimin e Kodit Civil zviceran. Jo vetëm nga punonjësit e gjykatave, por edhe nga tërë juristët apo kushdo tjetër i interesuar. Pra, si përfundim mund të thuhet që asnjë kod tjetër evropian nuk i plotësonte më mirë nevojat se sa Kodi Civil francez, i cili u konsiderua si më i përshtatshmi për kushtet e asaj kohe të vendit tone, i pasuar nga kodi civil italian dhe pak lëndë nga Kodi Civil zviceran etj.

Mendime të tilla nuk janë pranuar a priori prej publikut, pavarësisht se ato mendime ishin formalizuar prej Komisionit ligjvënës, i cili ndërkaq po në muajin mars të vitit 1927 pati mbritur në përfundimin se, Kodi Civil francez ishte mjaft i përshtatshëm për interesat apo nevojat shoqërore të shqiptarëve dhe se zbatimi i atij Kodi do të ishte relativisht i siguruar. Ky qëndrim u jetësua me botimin e Kodit Civil në muajin mars 1927.

Kundër këtij vendimi apo mendimeve të shprehura botërisht në shtyp, vetëm disa ditë mbas botimit të shkrimit të sipërm, po te kollonat e gazetës ‘Zëri i Korçës’ (numri i 2 prillit 1927), Harilla Theodhos, anëtar i Gjykatës së Diktimit (Gjykatës së Lartë të kohës- V.M.) botoi shkrimin me titull: “Dogmatizma dhe Kodi Civil”. Që në fillim ai shfajëson ndërhyrjen e tij në dhënien e mendimeve të kundërta me anën e një citati të Kantit: “Është e kotë të dojë njeriu të jetë shpërfillës kundrejt atyre problemeve objekt i të cilave, vetive njërëzore, nuk mund t’u shmanget”.

Më poshtë, me mendime të një niveli të lartë teorik (që i ka shfaqur edhe herë tjetër në shtyp) autori shprehet se kodifikimi i ligjeve, si një ngjarje sociale që është duhet të këqyret nga dy pikëpamje: e para, si duhet të jetë; e dyta, si duhet të bëhet.

Për të vijuar me arsyetimin që modifikimet e shpeshta të bëra në Kodin Civil francez nuk janë në atë gradë që t’i japin Kodit në fjalë pamjen dhe frymën e një kodi modern. Nga këto pikëpamje, ky Kod nuk mund të krahasohet me Kodin Civil zviceran, partizan i të cilit ai ishte, për t’u marrë si model për Kodin tonë Civil. Një argument i përdorur prej autorit ka qenë dhe vjetërsia e tij. Këtë argument ai e ilustron me një thënie të Tolstoit: “Mbarimi i një shekulli, nuk do të thotë vetëm mbarimi i një periudhe njëqindvjeçare dhe fillimi i periudhës tjetër, por do të thotë dhe fundi i një kuptimi të Botës, një mënyre shoqërie të njerëzve dhe fillimi i një kuptimi të ri të Botës dhe një mënyrë shoqërie tjetër”.

Pavarësisht kundërshtimve për Kodin Civil francez dhe vlerësimeve për Kocin Civil zviceran, i pari fitoi shumë përkrahës karshi të dytit dhe si i tillë formoi strukturën mbështetëse të lëndën kryesore të Kodit Civil shqiptar. Mbas shqyrtimit të hollësishëm edhe në strukturat e veçanta të shtetit, përfundimisht u fut në rrugën e bisedimit dhe miratimit të tij.

c) Shmangia e ndërhyrjes të jashtmë gjatë miratimit të Kodit Civil. Në mënyrë të dukshme gjatë asaj periudhe u vu re ndërhyrja e Italisë në një çështje mjaft delikate, siç ka qenë ajo e divorcit, që për gjithë katolikët, por edhe njerëz të besimeve të tjera në Itali ka qenë i ndaluar. Italia nuk mund të lejonte që në një shtet kaq të vogël dhe të dobët të përfshihej në lëgjislacion një e drejtë kaq delikate, që mund të shërbente si precedent dhe t’i krijonte pasoja edhe në shoqërinë e saj.

Pavarësisht se Vatikani u krijua si shtet i veçantë në të njëjtin vit me hyrjen në fuqi të Kodit tonë Civil, ndërhyrjet e tij paralelisht me ato të shtetit italian u drejtuan në strukturat fetare që vepronin në Shqipëri. Qëndrimin e vet Italia e ka paraqitur nëpërmjet notave të ashpra diplomatike, duke theksuar se një projekt i tillë mund të shkaktonte trazira në Shqipëri. Historiani amerikan, Bernd Fisher vë në dukje në librin “Përpjekjet e Mbretit Zog për stabilitet në Shqipëri” qëndrimin e këtij shtetari, i cili me anën e një refuzimi energjik nuk bëri asnjë lëshim për këtë çështje.

Në nenin 63 të ligjit “Mbi aplikimin e Kodit Civil” shënohej se Kodi Civil hyn në fuqi më 1 mars 1928. Por, ky Kod nuk hyri në fuqi në atë datë që ishte vendosur, sepse gjatë gjithë vitit 1927 dhe tremujorit të parë të vitit 1928 qenë zhvilluar vetëm prej trupës së Senatit disa mbledhje, që nuk përfundonin në një ditë të vetme ngaqë lënda ishte biseduar më parë në Dhomën e Deputetëve.

Së fundmi, ditën e hënë, më 19 mars të vitit 1928, Pandeli Evangjeli me cilësinë e Kryetarit të Komisionit Civil, para trupës së Kryesisë së Senatit paraqiti, sipas përshkrimit të hollësishëm që është bërë në Fletoren zyrtare të 23 prillit të vitit 1928, raportin mbi Kodin Civil dhe mbi ligjin për aplikimin e tij, duke theksuar se të dyja ligjet ishin votuar prej Dhomës së Deputetëve dhe kishin mbërritur për bisedimin përfundimtar të miratimit të tyre në Senat.

Në Fjalën e tij, kryetari i Komisionit Civil e çmon Kodin si aktin më të rëndësishëm në analet e fuqisë legjislative...duke e vlerësuar si legjislacion që ka me hap një fushë të re të zhvillimit social-ekonomik...lartësimin dhe mbarëvajtjen e kombit shqiptar, unifikimin e legjislacionit dhe, ajo që është më e rëndësishmja, do të stabilizojë edhe unifikimin e kulturës midis popullit shqiptar... Raporti i paraqitur është nënshkruar prej kryetarit Pandeli Evangjeli dhe sekretarit të Komisionit Civil, Spiro Papa. Pasi përfundon leximi i raportit nen për nen, miratimi i tij bëhet nëpërmjet duartrokitjeve.

Pranimi dhe miratimi i K.C. u quajt  si reforma më kryesore për legjislacionin shqiptar. Para hyrjes në fuqi të tij, si e drejta private, ashtu edhe shume dispozita të së drejtës përfshiheshin në 16 vëllimet e mexhelesë (Kodit Civil ottoman).

Më 31 mars 1929 në “Gazeta e Re”, Dr. Baltazar Benussi, jurist i shquar shqiptar dhe njëri prej hartuesve të K.C. jepte kumtin e mëposhtëm: “Nesër hyn në fuqi Kodi Civil i Ri”. Rëndësia e kësaj dite është historike për Shqipërinë”.
kodi civil


































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë, s’lejohen votuesit me ID të skaduar, Omonia akuza Ramës: Mbi 6 mijë zgjedhës privohen nga vota

Zgjedhjet në Himarë, s’lejohen votuesit me ID të skaduar, Omonia akuza Ramës: Mbi 6 mijë zgjedhës privohen nga vota