'88 Dritëhije dhe ngjyra', prezantohet për herë të parë ekspozita e piktorit Sali Shijaku! Rama: Pikë referimi të arteve pamore shqiptare

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) ka organizuar sot një ekspozitë me rastin e 88 vjetorit të piktorit shqiptar Sali Shijaku ku janë ekspozuar 112 vepra në vizatime, pikturë dhe skulpturë që përmbledhin një hark kohor krijimtarie prej 50 vitesh.

Të pranishëm në ekspozitë ishin artisti Sali Shijaku dhe familjarë të tij, Kryeministri Edi Rama, Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje Eridana Çano dhe artistë të tjerë.

Kryeministri Rama falenderoi piktorin për praninë dhe kontributin e tij në zhvillimin e kësaj ekspozite, të cilin e konsideroi një pikë referimi të arteve pamore shqiptare, një figurë kyçe të historisë së pikturës së vendit dhe një person me të cilin lidhet jeta artistike e shumë artistëve të tjerë, të cilët u inspiruan dhe motivuan nga ai.

"Unë besoj që është një nder i madh për qendrën tonë këtu, është një nder i madh për këtë godinë dhe për mua personalisht që na u dha mundësia, falë zemërgjerësisë dhe gatishmërisë së profesorit, që ne ta ekspozojmë Sali Shijakun, një pikë referimi e padiskutueshme e arteve tona pamore, një figurë kyçe e historisë së pikturës sonë dhe patjetër, një person me të cilin lidhet jeta artistike e shumë të tjerëve, qofshin kolegë, qofshin breza të tërë studentësh që u inspiruan dhe u motivuan nga Sali Shijaku. Unë e kujtoj profesorin si një prani shumë hijerëndë në jetën tonë artistike. Për të gjithë ne që ishim më të rinj, ishte një ëndërr që të takonim Sali Shijakun, që të na fliste apo që të na jepte këshillat e tij dhe ka qenë privilegj për mua që kam marrë disa mësime që edhe sot e gjithë ditën i mbaj mend nga profesori në studion e tij. Ashtu sikundër ka qenë vërtetë një privilegj për të gjithë ata që kanë pasur mundësi të kenë më shumë afërsi me të dhe të ndihmohen prej tij. Në fund fare, i dashur profesor, unë mendoj që është një dhuratë e posaçme që ti na ke bërë ne si dashamirës të artit tënd dhe të gjithë atyre që i shoh si pjesë të saj dhe të këtij komuniteti dashamirësish të artit tënd, që shpresoj të gjejnë kohën dhe mundësinë për ta vizituar këtë ekspozitë. Sepse ke hapur një pjesë të krijimtarisë tënde që deri më sot ka qenë e pazbuluar", tha Rama.

Kryeministri gjithashtu ftoi studentët e artit për të vizituar ekspozitën në ditët e hapjes për publikun, për të hyrë në kuzhinën e një mjeshtri të madh siç e quajti ai, dhe për ta lexuar krijimtarinë e tij në një këndvështrim shumë më informal dhe konfidencial.

Ekspozita “Sali Shijaku – 88 Dritëhije dhe ngjyra” është ekspozita e parë vetjake e piktorit në ambientet e COD, ndërsa është fokusuar kryesisht në punimet e tij në letër. Veprat e artit të ndara nëpër disa kategori artistike paraqiten nën Ciklin e nudove, ku për herë të parë ekspozohen 12 vepra në vizatim të realizuara në harkun kohor 2000-2010, Ciklin e abstrakteve, ku bëjnë pjesë 16 vizatime e piktura abstrakte të autorit, dhe Ciklin e legjendave, ku janë prezente figurat homerike të trajtuara shpesh nga autori përgjatë jetës së tij artistike.

Një tjetër element i veçantë i ekspozitës është ekspozimi i skicave dhe bocetit të monumentit të ‘Lirisë’, me një detaj të rëndësishëm sepse piktori e ka ripunuar bocetin e statujës monumentale pak ditë përpara ekspozimit, duke krijuar një cikël pune që nga viti 1976 e deri më 2021. Në ekspozitë nuk mungojnë as autoportretet e piktorit, i fundit nga të cilët është realizuar në vitin 2010.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla