9 nëntori - Dita e fatit të gjermanëve

9 nëntori - Dita e fatit të gjermanëve

9 nëntori është një ndër datat më të rëndësishme të historisë së re gjermane. Një ditë, me të cilën gjermanët sjellin në kujtëse tmerrin dhe gëzimin, që nga nata e pogromit 1938 e deri tek rënia e Murit të Berlinit 1989.

Më 9 nëntor Gjermania feston 33 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Një ngjarje që ndryshoi botën. As një vit më vonë, më 3 tetor 1990, Gjermania u ribashkua pas 41 vitesh ndarjeje. Me rrëzimin e diktaturës së dytë në tokën gjermane, pra fundin e RDGJ-së, u zhduk nga harta politike kampi real-socialst në Evropë. Konflikti Perëndim-Lindje përfundoi. 9 nëntori 1989 ishte një ditë me rëndësi të veçantë për historinë e Gjermanisë dhe Evropës.

09.11.1918

Por në kalendarin historik gjerman 9 nëntori ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në epoka të tjera: Më 9 nëntor 1918 socialdemokrati Philipp Scheidemann, deklaroi nga një ballkon i Reichstag-ut (parlamenti) në Berlin se Gjermania ishte tashmë Republikë. Monarkia e perandorit Wilhelm II. kishte marrë fund: "Punëtorë dhe ushtarë, ndërgjegjësohuni mbi kuptimin historik që sjell kjo ditë. Ka ndodhur diçka e padëgjuar: Do të hasemi me punë të mëdha dhe të vështira. Gjithçka për popullin, gjithçka me popullin. Nuk do të lejohet të ndodhë asgjë që mund të cënojë nderin e lëvizjes punëtore. Jini të bashkuar, të sinqertë dhe të përgjegjshëm. E vjetra dhe e krisura - monarkia - u shemb. Rroftë e reja, rroftë Republika e Gjermanisë."

09.11.1923

Demokracia e re në Gjermania pati një fillim të vështirë. Të majtët dhe të djathtët donin ta rrëzonin atë sa më parë. Më 9 nëntor 1923 në Mynih qindra nacionalsocialistë (nazistë) vërshuan drejt ndërtesave shtetërore në një përpjekje për puç. Udhëheqësi i tyre ishte Adolf Hitler, i cili 10 vite më vonë do të merrte në mënyrë totalisht ligjore pushtetin në Gjermani dhe do të shkaktonte krizën më të madhe në histori: Luftën e Dytë Botërore.

09.11.1938

Gjatë kësaj lufte hebrejtë (të ashtuquajturit çifutë) u luftuan sistematikisht, deri sa në vitin 1942 filloi zhdukja plotë e tyre. Më 9 nëntor 1938, pra para fillimit të Luftës, në mbarë Gjermaninë iu vu zjarri sinagogave, dyqanet çifute u shkatërruan pothuajse të gjitha. Rreth 100 njerëz u vranë, 26.000 të tjerë u deportuan në kampe përqëndrimi. Pogromi u quajt në mënyrë cinike "Reichskristallnacht" dhe do të shërbente si "provë e parë gjenerale" për holokaustin. 9 nëntori 1938 është data më e tmerrshme në rradhën e ditëve historike gjermane.

09.11.1989

Një kontrast gjigand me 9 nëntorin 1989, ditën e rënies së Murit të Berlinit. "E pabesueshme" ishte fjala që dëgjohej më shpesh atë natë, kur qytetarëve të RDGJ-së iu hapën krejt papritur kufijtë. Në fakt muaj më parë ishin zhvilluar demonstrata kundër regjimit totalitar të shtetit RDGJ. Mijëra njerëz kishin hyrë në ambasadën e RFGJ-së dhe të disa vendeve evropiano-lindore duke kërkuar azil politik. Presioni për të lehtësuar mundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të RDGJ-së kishte muaj që rritej nga dita në ditë. Por me atë që ndodhi më 9 nëntor 1989 nuk kish llogaritur kush: Kur gjatë një konference ndërkombëtare në Berlinin Lindor u deklarua, se do të hynin menjëherë në fuqi ligje të reja për lëvizjen e lirë, nuk kishte më asnjë mundësi për t´i ndaluar masat. Dhjetëra mijëra njerëz kaluan menjëherë kufirin e brendshëm të qytetit të ndarë Berlin. Gëzimi ishte në kuptimin e plotë të fjalës `pakufinj': "Pak më parë i linin njerëzit të kalonin me rradhë, por pastaj i hapën portat. Dhe tani mund të kalojmë të gjithë pa treguar pashaportat apo gjë tjetër. Pa kontrolle. Unë s´kam letërnjoftim me vete."

09.11.1989

Pas kësaj nate nuk kishte më kthim pas. E çara e parë në Murin e Berlinit solli shembjen e plotë të sistemit të sëmurë. Data 9 nëntor shkroi për herë të katërt histori gjermane - por këtë radhë histori të mrekullueshme. Këtë fakt nuk e ndryshojnë dot as vështirësitë që solli në Gjermani rënia e Murit të Berlinit. Krijimi i njësisë së brendshme ka nevojë për më shumë kohë se sa ribashkimi shtetëror./ DW

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj