9 shkeljet që komprometojnë
tenderin e byzylykëve

9 shkeljet që komprometojnë<br />tenderin e byzylykëve
Të tjera detaje, shkelje dhe rrethana komprometuese dalin në pah rreth historisë së tenderit të dyshimtë të byzylykëve elektronikë, me vlerë 1.4 milionë euro, për mbikëqyrjen e të dënuarve.

Tenderi i shumëpërfolur gjatë ditëve të fundit rezulton se është kontestuar në fazën përgatitore nga kompania “B.360” sh.p.k., pjesëmarrëse në garë.

Në dokumentin e ankimimit që ka siguruar Shqiptarja.com, kompania në fjalë, rendit disa shkelje dhe paradokse, të cilat krijojnë dyshime të forta për paracaktimin e fituesit të tenderit, me anë të vendosjes së specifikimeve teknike unike dhe afateve të kufizuara kohore, në mënyrë të paligjshme.

Sipas operatorit ekonomik, përcaktimi i karakteristikave specifike të produktit deri në detajet më të hollësishme dhe koha prej një javë për ndërtimin e aplikimit, i janë përshtatur bashkimit të tre kompanive fituese.

1. Koha e shkurtër për realizimin e aplikacionit
Kompania “B.360” sh.p.k., në krye të shkeljeve të pretenduara për tenderin e byzylykëve, rendit kohën e shkurtër të pacaktuar nga autoriteti kontraktor (Ministria e Drejtësisë), prej një jave, për ndërtimin e aplikacionit. Kompania pretendon se ky element është vendosur në funksion të paracaktimit të fituesit. “Kërkohet që i gjithë ndërtimi i aplikimit të bëhet për 1 javë (pasi java e parë është faza përgatitore) dhe 2 javë të kryhet instalim dhe testim.

Së pari, që në koncept bazë nuk mund të jetë kurrsesi koha për të krijuar një aplikacion profesional që do të përdoret për sisteme të sigurisë së lartë, më e vogël se gjysma e kohës që duhet për t’u instaluar dhe testuar, por të paktën është dyfishi i kësaj të fundit.

Së dyti, bëhet fjalë për një aplikacion që është komponent tepër i rëndësishëm i një shpenzimi publik të buxhetuar prej 196 milionë lekë (ose 1.4 milionë Euro), pra është një vlerë shumë e madhe e fondeve publike, e cila po përdoret për mbikëqyrjen e personave të dënuar për vepra penale.

Është e pashpjegueshme, e palogjikshme dhe në kundërshtim me vetë qëllimin e projektit vendosja e afatit prej vetëm 1 javë për të ndërtuar një aplikim kaq të rëndësishëm”, thuhet në dokumentin e ankimimit të kompanisë “B.360” sh.p.k.

2. Afati për instalimin e pajisjeve

Operatori ekonomik e konsideron të palogjikshëm dhe kompromentues edhe afatin prej dy javësh për instalimin e pajisjes fizike. “E njëjta logjikë edhe për pajisjet fizike të sigurisë (kamerat, sensoret e larmit, etj.), afati prej vetëm dy javësh për instalimin e tyre është i nxituar dhe kufizon ndjeshëm alternativat që mund të ofrohen pasi do të kufizohet vetëm për produktet që operatorët ekonomikë i kanë gjendje stoku, dhe pengon të gjitha zgjidhjet që bëhen me porosi dhe të cilat në shumicat e rasteve janë më cilësore dhe më të lira, duke i sjell përfitim dyfish Autoritetit Kontraktor”, thuhet në dokument.

3. Sasia e madhe e byzylykëve dhe koha e shkurtër për t’i dorëzuar

Autoriteti kontraktor, pra Ministria e Drejtësisë, në dokumentet e tenderit, ka kërkuar një sasi prej 300 byzylykësh në një afat kohor vetëm prej tre javësh, kush i cili është konsideruar i pamundur për t’u plotësuar. Edhe tre kompanitë e bashkuara fituese nuk i siguruan dot 300 byzylykët. “Edhe për byzylykët elektronik afati prej vetëm 3 javësh është tepër i ngushtë pasi sasia është tepër e madhe prej 300 copësh dhe është një produkt jashtëzakonisht specifik që nuk mund të mbahet stok në Shqipëri (përveç rastit kur Operatorit Ekonomik i kanë garantuar paraprakisht fitimin e tenderit dhe e gjitha është një farse). Pra mbetet që ato do të porositen tek prodhues të huaj, dhe koha prej 3 javësh në praktikat e lëvrimit të produkteve të tilla në sasi të mëdha konsiderohet e shkurtër. Pra përsëri jemi përpara një nxitmi të pajustifikuar”, pretendon kompania ankimuese.

4. Specifikime teknike që plotësohen vetëm nga një markë

Autoriteti kontraktor ka përcaktuar disa specifikime teknike deri në detajet më të hollësishme për byzylykët, duke i përshtatur vetëm me byzylykët e markës Track Group. Pra, më shumë se sa për shërbimin, Ministria e Drejtësisë, në mënyrë të paligjshme, është fokusuar tek specifikimet teknike unike, që sigurohen vetëm nga një firmë në botë, me të cilën mund të kishte kontakte kompania fituese e tenderit. “Në shtojcën 12 të Dokumenteve të tenderit, në kapitullin 14 “Kërkesat Teknike”, seksioni 14.1 kërkohet “Funksionimi GPS: Përditëson vendndodhjen dhe vlerëson përputhshmërinë çdo 2 sekonda. Saktësia e GPS: 1.8m në kushte optimale, deri në 15m në kushte operimi normale.

GPS kundër pengesave: i avancuar, flitrim dixhital i përshtatur. ‘Nuk ekziston asnjë lloj byzylyku elektronik në tregun botëror, përveç atyre të markës Track Group të plotësojë të gjitha specifikimet teknike të kërkuara nga autoriteti kontraktor. Më konkretisht specifikimet e dhëna në dokumentet e tenderit janë për pajisjen Relialert XC3 e markës Track. Formulimi i kritereve për byzylykun elektronik, favorizojnë hapur një operator të caktuar dhe janë në kundërshtim me ligjin e prokurimeve publike, në veçanti me nenin 23 të LPP.”, pretendon kompania ankimuese.

5. Kushti i paligjshëm për të dorëzuar mostrën e produktit

Në kriteret e veçanta të kualifikimit, u është kërkuar operatorëve për të dorëzuar mostra të produkteve, nga një byzylyk, me specifikime të rralla, që mundësohen vetëm nga një firmë. Ku kusht ka nxjerrë jashtë lojë kompanitë garuese. Për më tepër që mostra të tilla duheshin porositur jashtë vendit. “Në kriteret e veçanta të kualifikimit, AK ka kërkuar në seksionin 2.3 "Kapaciteti Teknik", pika 11: Në datën e hapjes së ofertave duhen dorëzuar mostra të produkteve nga 1 (një) copë në përputhje të plotë me produktet e katalogjeve që operatori ekonomik ka paraqitur pranë AK. Ju sjellim në dijeni që një pjesë e produkteve që keni kërkuar mostra janë produkte specifike që në kushte të rralla mund të jenë stok në Shqipëri dhe shpesh nuk janë stok as tek prodhuesi por bëhen me sistemin JTM (just-in time management, që në shqip përkthehet prodhim në momentin e porosisë), prandaj duhen porositur tek prodhuesit, dhe meqenëse koha e lëvrimit te tyre është 4-6 javë nga pjesa dërmuese e distributoreve, ky kriter kufizon drastikisht në mënyre artificiale pjesëmarrjen e operatorëve ekonomik në tender. ....Omississ...”, vijon dokumenti i ankimit.

6. Numër i paarsyeshëm specialistësh

Kompania “B.360” sh.p.k., pretendon se është kërkuar një numër i paarsyeshëm specialistësh në raport me shërbimin që do të ofrohet. “Në kriteret e veçanta të kualifikimit, AK ka kërkuar në seksionin 2.3 "Kapaciteti Teknik pika 6: Operatori ekonomik duhet të ketë në stafin e tij të paktën 4 (katër) specialistë të certifikuar nga kompania prodhuese e kamerave për pasjet e survejimit. Ndërkohë që në Shtojcën 11, "Shërbimet dhe Grafiku i Ekzekutimit” kërkohet që numri total i kamerave që do të instalohen është 10, pra i bie 10 kamera/4 ekspertë = 2.5 kamera për ekspert. Ky është një kriter kualifikimi disproporcional me objektin e prokurimit publik dhe si i tillë është në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik”, pretendon kompania.

7. Certifikata të veçanta, kusht i paligjshëm për operatorët

Në kriteret e veçanta të kualifikimit, kompanive u është kërkuar certifikata që lëshohen vetëm nga një institut i vetëm në botë, në shkelje me ligjin e prokurimeve. “Në kriteret e veçanta të kualifikimit, AK ka kërkuar në seksionin 2.3 "Kapaciteti Teknik", pika 3: Ofertuesit duhet të paraqesin certifikatat EN ISO 9001:2008; ISO/IEC 27001:2013; OHSAS 18001:2007; EN ISO 14001:2004; BS PAS 99:2012; ISO 20000-1:2011; IS022301-2012 të cilat duhet të jetë në të njëjtën fushë me specifiken e mallrave që prokurohen, ose certifikata të tjera ndërkombëtare ekuivalente. PAS 99-2012 është një standard i ri ndërkombëtar i cili lëshohet nga një institut i vetëm i njohur nga një qeveri e vetme, ndërkohë që në botë ka standarde të tjera të cilat janë ekuivalente me të. Duke qenë se vetë standardi PAS 99-2012 është një standard, i cili përfshin standardet ISO të përcaktuara më sipër, kjo kërkesë bie në kundërshtim me vetë ligjin pasi ul në mënyrë të ndjeshme konkurrencën midis operatorëve ekonomikë dhe përbën kërkesë certifikimi të dubluar me kërkesat për ISO”, pretendon kompania.

8. Kusht i paligjshëm për monitorimin e ambientit

Në dokumentet e tenderit është kërkuar një lloj sistemi për monitorimin dhe kontrollin e ambientit që sigurohet vetëm nga marka Fibaro, duke shkelur nenin 23 të ligjit për prokurimet publike. “Në shtojcën 12 të dokumenteve të tenderit, në kapitullin 14 “Kërkesat teknike” seksioni 4 “F.V Sistemi memaxhimit kërkohet”…. Omissis. Nuk ekziston në tregun botëror asnjë lloj sistemi i menaxhimit, monitorimit dhe kontrollit të ambientit përveç atyre të markës Fibaro, që të plotësojë të gjitha specifikimet teknike të kërkuara nga autoriteti kontraktor. Formulimi i kritereve për sistem i menaxhimit, monitorim dhe kontrollit të ambientit favorizojnë hapur një operator të caktuar dhe janë në kundërshtim me ligjin e prokurimeve publike, në veçanti me nenin 23 të LPP”, thuhet në dokumentin e ankimimit.

9. Kritere teknike përjashtuese për kamerat e monitorimit

Kompania “B.360” sh.p.k., pretendon se autoriteti kontraktues, pra Ministria e Drejtësisë, ka vendosur kritere teknike përjashtuese dhe të rralla sa i takon kamerave të monitorimit. “Në shtojcën 12 të dokumenteve të tenderit në kapitullin 14 “Specifikimet teknike” Seksioni 2 “F. V Sistemi monitorimi me kamera” kërkohet: Kamerat IP duhet të jenë 2MP(1930x1088)pixel, Video Frame Rate- 25fps@1080P, minimumi i aktivizimit të ndriçimit IR është 0.02Lux/F2.0, 0Lux IR on, maksimumi i ndriçimit IR është 30m, lentja fokale 3.6mm me kënd shikimi të paktë 89.9°, të ushqehet me tensin 12v, shkalla e mbrojtje IP67-IK10, procesori të jetë 1/2.7" 2Megapixel CMOS. Pasjet duhen të jenë të certifikuara me certifikatat CE dhe FÇ për NVR dhe kamerat IP.

Të jenë të kombinuara me focal lenses minimum 3.6 mm, max f=2. Nuk ekziston asnjë lloj kamera në tregun botëror, përveç atyre të markës DAHUA, që të plotësojë të gjitha specifikimet teknike të kërkuara nga Autoriteti Kontraktor”, pretendon kompania. Të gjitha këto kushte të pazakonta, të gjitha këto specifikime, elemente dhe afate konsistojnë në një qëllim: Në paracaktimin e fituesit. Autoriteti kontraktues duket qartë se nuk ka përcaktuar kritere për të shpallur një fitues, por ka përcaktuar fillimisht fituesin dhe më pas ka hartuar kriteret, sipas ADN-së së kompanive fituese. Tenderi u fitua nga bashkimi i shoqërive Ratech shpk, Fastech shpk dhe Soft & Solutions.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Pëllumb Metës, ekspertiza konfirmon: Arma e gjetur në pellgun me ujë u përdor për krimin

Vrasja e Pëllumb Metës, ekspertiza konfirmon: Arma e gjetur në pellgun me ujë u përdor për krimin