Juristi Arsid Moriqi ka ndërmarrë një nismë të veçantë sportive dhe personale, duke nisur një udhëtim prej rreth 900 kilometrash me biçikletë, nga Shkodra drejt Greqisë.

Moriqi e ka nisur këtë sfidë nga qyteti i Shkodrës, ndërsa itinerari i tij parashikon tre ndalesa kryesore në Vorë, Vlorë dhe Sarandë, përpara se të mbërrijë në destinacionin final në Greqi.

“Jam nisur nga qyteti i Shkodrës, nga qendra, nga pedonalja, sapo kam arritur në Lezhë, do vazhdoj rrugën drejt Tiranës. Rruga shkoi shumë mirë edhe me nxehtësinë e vapën”, thotë ai.

Qëllimi i tij është ta përfundojë këtë itinerar brenda tri ditësh, duke përshkuar mesatarisht rreth 300 kilometra në ditë. Sfida kërkon përgatitje të lartë fizike dhe mendore, pasi përfshin një nga itineraret më të gjata që mund të realizohen me biçikletë në rajon.

Përmes kësaj nisme, Arsid Moriqi synon të promovojë stilin e jetesës aktive, sportin dhe frymën e sfidës personale, duke dëshmuar se me vullnet dhe përkushtim mund të arrihen objektiva që duken të vështira.

“Qëllimi i gjithë kësaj është një sfidë personale sepse duke qenë se merrem prej vitesh me sport dhe ciklizëm, kam synuar të arrij qytetin e Athinës me biçikletë druri. Doja që këtë herë të nisesha nga qyteti i lindjes dhe të promovoja qytetin tim”, thotë juristi.

Udhëtimi i tij pritet të zgjasë tri ditë, ndërsa mbërritja në Greqi do të shënojë përfundimin e kësaj aventure prej 900 kilometrash.