Nga pedonalja e Shkodrës drejt kryeqytetit grek, Athinës. Avokati Arsid Muriqi ka nisur një sfidë të pazakontë për të përshkuar rreth 900 kilometra me një biçikletë prej druri.
Itinerari i tij përfshin ndalesa në Lezhë ku ne e takuam e më pas në Vlorë e Sarandë.
"Jam nisur nga qyteti i Shkodrës, nga pedonalja. Sapo kam arritur në Lezhë dhe do të vazhdoj rrugën drejt Tiranës. Rruga ka shkuar shumë mirë, jam shumë mirë edhe me nxehtësinë”, shprehet ai.
Për Muriqin, kjo nuk është thjesht një garë sportive, por një sfidë personale e ndërtuar mbi pasionin për çiklizmin. Objektivi i tij është të përshkojë mesatarisht rreth 300 kilometra në ditë.
"Qëllimi është një sfidë personale. Prej vitesh merrem me sport dhe çiklizëm dhe kam synuar të arrij në Athinë me një biçikletë të rrallë, prej druri”, thotë avokati.
Biçikleta që përdor është një model i veçantë prej druri, prodhuar jashtë vendit.
"Biçikleta prodhohet jashtë Shqipërisë, por kam qenë pjesë e këtij projekti. Kam bërë ture të ndryshme dhe këtë herë doja të nisesha nga qyteti im i lindjes dhe të promovoja edhe vendin tim”, shton më tej.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, avokati i apasionuar pas sportit pritet të mbërrijë në kryqeytetin grek pas tre ditësh.










Komente
Komento