Prej 4 ditësh, Vlora po vuan mungesën e ujit, për shkak të një defekti në një prej tubave kryesor të rrjetit, në të cilin siç zyrtarisht deklaruan drejtuesit e Ujësjellësit, investimet e fundit i ka njohur në vitet 2009-2010. Pikërisht ky amortizim i tubit ndërtuar jashtë standardeve, dhe elementët natyrorë, siç ishin rrëshqitjet e dherave, sollën dëmtimin e parikuperueshëm të tubit me diametër 1000 milimetra, pjesët e reja të të cilit erdhën nga Stambolli. Teksa banorët protestojnë për mungesën e ujit, në një pjesë tjetër të Ujësjellësit në qytetin bregdetar, që nuk ka lidhje me defektin e fundit, përpara gati 5 vitesh janë bërë investime miliona euro, nga ndërtuesi dhe botuesi Bashkim Ulaj, oligarku i lidhur ngushtë me Sali Berishën.
Edhe një tjetër punë kolosale, tre super tenderë me vlerë 18.2 mln euro me TVSH të ujësjellësit në Vlorë e Novoselë, janë fituar nga Bashkim Ulaj.
Tenderi i parë i zhvilluar nga Bashkia e Vlorës dhe Ujësjellësi është hapur më 20.05.2020 me objekt “Rikonstruksion dhe ndërtim i rrjetit të ujësjellësit në zonat Lungomare-Uji i Ftohtë-Shkolla e Marinës”, me vlerë kontrate 6.3 mln euro me TVSH. Ky tender iu dha kompanisë “Gener 2 Sh.p.k” të Bashkim Ulajt dhe kompanisë “4 AM Sh.p.k”, me vlerë kontrate sa 99.3% e fondit limit, për të ndërtuar rrjetin e ujësjellësit me garanci 10-vjeçare funksionimi, ndërsa çdo defekt i mundshëm duhej të financohej dhe riparohej nga kompania private. Kjo është një tjetër punë publike me vlerë të majme që e merr botuesi dhe oligarku i familjes Berisha.
Tenderi i fituar nga Ulaj me vlerë 6.3 mln euro me TVSH
Ndërsa tenderi tjetër është hapur më 18.03.2021 dhe është fituar sërish nga kompania e botuesit dhe ndërtuesit Bashkim Ulaj. Ky tender me vlerë 3.2 mln euro me TVSH ishte me afat punimesh 6 muaj dhe iu dha po kompanisë “Gener 2 Sh.p.k”, sa 99.6% e fondit limit dhe pa garë, gjithashtu me garanci 10-vjeçare funksionimi, ku çdo defekt i mundshëm duhej të riparohej me financim nga kompania private.
Tenderi i fituar nga Ulaj me vlerë 3.2 mln euro me TVSH
Po ashtu, ndërtuesi dhe botuesi Bashkim Ulaj, më 21 maj 2021, ka marrë edhe tenderin me vlerë 8.7 mln euro me TVSH, për rikonstruksionin e ujësjellësit të fshatrave të Njësisë Administrative Novoselë në Vlorë. Të tre tenderët në faqen e Prokurimeve Publike rezultojnë me flamur të kuq.
Tenderi për ujësjellësin e Novoselës
Komente












