Akuareli i Ahmetit në Veve Center

TIRANE (13/3/2001) 30 punë në akuarel të piktorit Sadri Ahmeti janë ekspozuar në qendrën "Veve". Ahmeti me ekspozitën e fundit e ka treguar se është qenia e vërtetë e pikturave të ujit. E këtë veçori, ai e ka të pasqyruar qartë në krejt krijimtarinë e tij. Në 30 punët në qendrën "Veve", ndjesitë dhe ngjyrat e ëmbla alpine jepen si në një kaleidoskop. Piktori pretendon se e ka vetëm ai këtë tejqyrë, nga "ku shikoja i vogël, ndriçimin e veçantë të kristaleve që jepte mëngjesi alpin në xhamat e shtëpisë time". Dhe piktura e tij e ujit është e paanë, ajo duket se i ka fillesat që nga ndjesitë e para shqisore të piktorit, nga vendi ku shikohet horizonti. "I ka bërë Hëna", thotë ai përmes një të folure krejt metaforike. Kjo është ekspozita e gjashtë personale e piktorit. Po kaq ai ka hapur edhe jashtë vendit. Bashkë me piktorë të tjerë, ka marrë pjesë në katër ekspozita pikture. Ahmeti është autor i disa librave poetikë dhe historikë. Poetika e tij i shkon shumë për shtat edhe akuarelit të autorit. I lindur në Malin e Zi, autori do të arratisej në Shqipëri në vitin 1957. Pas disa vjetësh qëndrimi, ai arrestohet dhe përfundon në Spaç. "Jeta ime nuk mund të kuptohej pa vuajtjen, sepse vuajtja është vetë ekzistenca e jetës sime dhe biles edhe gjëja më e bukur që unë kam nga jeta", thotë paradoksalisht Ahmetaj. Ekspozita i ka shërbyer autorit për të bërë edhe promovimin e librit të tij "33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë