"Berisha, mos shkel në Tropojë"
Berisha është përgjegjësi kryesor për gjakun e derdhur nga mbi 100 burra e djem të Tropojës në tre vitet e fundit, dhe ai nuk duhet të shkelë këtu, përsa kohë që gjaku i derdhur pritave të pabesisë të jetë ende i freskët
(24/9/2000)Berisha është përgjegjësi kryesor për gjakun e derdhur nga mbi 100 burra e djem të Tropojës në tre vitet e fundit, dhe ai nuk duhet të shkelë këtu, përsa kohë që gjaku i derdhur pritave të pabesisë të jetë ende i freskët, e ata 100 burra të mos jenë ringritur nga varri", thotë me zë të ashpër Hamdi Haklaj.
Vëllai i madh i Haklajve, i cili ka qenë objektivi i një atentati mesditën e së mërkurës të 13 shtatorit, flet ngadalë dhe me ton të prerë. I shpallur në kërkim dhe i ndjekur hap pas hapi për 5 vjet rresht gjatë qeverisjes së Berishës, me akuzën e vrasjes së dy vëllezërve nga Tropoja e Vjetër, ai shpreh vazhdimisht një urrejtje të akumuluar prej kohësh për ish-presidentin. Rreth akuzave të bëra gjatë ditëve të fundit në drejtim të tij si dëshmitar e bashkëautor në vrasjen e deputetit Hajdari, si dhe akuzave të bëra më parë ndaj dy vëllezërve të tij të vrarë Fatmirit dhe Halilit, Hamdi Haklaj pranon të flasë për Gazetën.
Jeni akuzuar gjatë ditëve të fundit si dëshmitar dhe bashkëpunëtor në vrasjen e deputetit Hajdari?
"Nuk jam dëshmitar i vrasjes së Azemit dhe aq më tepër të jem bashkëpunëtor në vrasje. Ky është një sajim që bën Berisha nëpërmjet levave dhe hafijeve të tij. Ai pasi akuzoi dhe vrau tre vëllezërit e mi, duket se nuk është i ngopur me gjak dhe kërkon edhe kokat e ne të tjerëve që kemi mbetur gjallë. Jo vetëm që nuk jam dëshmitar në këtë vrasje, por nuk kam patur as dijeni që dy vëllezërit e mi të kenë qenë atje. Di që me vrasjen e Azemit iu dha një rast i mirë Berishës të veshë dhe një herë njerëzit me të zeza, të nxisë vrasjet dhe të realizojë ëndrrën e tij për pushtet".
Kush është atëherë vrasësi i Azem Hajdarit?
"Vrasësit e Azemit janë në Tiranë e lëvizin të lirë. Ata s'janë në Tropojë. Unë nuk kam qëlluar mbi Azemin e as mbi Berishën, por nuk do të tutesha të deklaroja publikisht një gjë të tillë nëse do t'më jepej rasti ta bëja. Mos harroni nga përgjegjësia edhe ata që e përdorën këtë vrasje për të djegur Tiranën, dhe jo për t'a çuar sipas zakonit trupin e të vrarit në varreza. Berisha për këtë vrasje fillimisht ka akuzuar Jaho Salihin, më pas Fatmirin, Ferizin, Haxhiajt, Kriqët e Karriqët. Tani së fundi ka nisur të akuzojë Astrit Muldakën dhe mua, e nesër a në zgjedhjet e tjera elektorale do të akuzojë edhe vëllan e tij që ka 10 vjet i vdekur, e s'është kujtuar t'i rregullojë varrin e të vendosë një tufë lule".
Nano e Berisha kanë deklaruar se gjatë fushatës elektorale do të vijnë në Tropojë. A kanë përgjegjësi për vrasjet e ndodhura këtu?
"Tropoja në këto vitet e fundit ia ka parë sherrin politikës. Për Nanon nuk e di a do të vijë e si do vijë, por përgjegjësitë e tij në Tropojë nuk janë kurrë sa ato të Berishës. Berisha nuk duhet të shkelë këtu përsa kohë që në kullat e Tropojës do të vazhdojnë të jenë të ngujuar qindra burra për vrasjet që shkaktoi ai. Berisha është përgjegjësi kryesor për gjakun e derdhur nga mbi 100 burra e djem të Malësisë së Gjakovës gjatë tre viteve të fundit, dhe ai s'duhet të shkelë në Tropojë përsa kohë që gjaku i derdhur pritave të pabesisë të jetë ende i freskët, dhe ata 100 burra të mos jenë ringritur nga varri. Unë di që Berisha ka nxitur dhe ka paguar njerëz për të vrarë 3 vëllezërit e mi. Ai duhet t'i bëjë llogaritë mirë para se të vijë në Tropojë, megjithëse unë në të vërtetë, jam për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe e dëshiroj një gjë të tillë".
Nga konflikti i vjetër që keni ju personalisht me Berishën duket se po e akuzoni më shumë nga sa përgjegjësi mund të ketë ai në të vërtetë?
"Jo, aspak nuk e rëndoj më shumë nga ç'i takon. Berisha është përgjegjësi i vërtetë i mbi 100 vrasjeve në Tropojë. E me që ai shpesh është deklaruar publikisht si përkrahës i flaktë i kanunit si një kushtetutë 500 vjeçare, e këshilloj e shpresoj se ai kanun një ditë do t'i bjerë në oborr, e do ta përqafojë me dashamirësi. Kam dëgjuar nëpërmjet televizionit dhe gazetave se Berishën kolegët e tij politikanë dhe njerëz të tjerë nëpër Shqipëri, e akuzojnë si kriminel, psikopat, karrierist i paskrupullt e agjent i UDB-së në shërbim të Millosheviçit. Këto akuza le t'ia vërtetojnë ata që ia kanë bërë, për ato që i kam drejtuar unë, kam prova, e do t'ia faktoj në rastin më të parë që do të jem ballë për ballë me të".
Fatmir Haklaj ka njoftuar në telefon Fatos Nanon për vrasjen e Azem Hajdarit
"Unë jam vëllai i madh, dhe si më i madhi i kam ditur veprimet e vëllezërve të mi. Me Nanon nuk është takuar apo të ketë folur në telefon kurrë, Fatmir Haklaj apo Halil Haklaj. Megjithëse po ta takonin nuk do të bënin asgjë të keqe dhe nuk do ta kishin për turp".
Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhia janë arrestuar nga policia në 1998-ën për kontrabandë armësh dhe pas lirimit janë akuzuar si bashkëautorë në vrasjen e Azemit. A kanë lidhje këto dy episode?
"Akuzat ndaj Halilit të vdekur dhe ndaj Isamedinit që është gjallë kanë qenë një shpifje e qëllimshme për të çuar drejt varrit djem të tjerë të Tropojës. Ato armë janë marrë për të armatosur djemtë e UÇK-së që luftonin serbin dhe policët e Perikli Tetës e kanë mbajtur në burg vëllain tim për dy muaj rresht. Siç del dhe nga deklaratat e fundit të Tetës, duket se ka patur një kompromis Berisha-Teta për vrasjen e Azemit dhe fshehjen e gjurmëve të vrasësve të vërtetë. Sa për Isamedin Haxhinë di që ai është mbajtur në burg për 57 ditë fare kot, pasi ishte thjeshtë një pasagjer në makinën e Halilit. Isamedini ka qenë krejtësisht i pafajshëm në atë histori dhe tani më vonë ka dalë e vërteta, kur Berisha u përpoq t'u fuste thikën pas shpine vëllezërve Haxhia, që në shumë raste i kanë shpëtuar kokën s'i tropojan që ishte".
Cilat janë lidhjet tuaja me kontrabandën e armëve gjatë luftës së Kosovës?
"Berisha ka akuzuar shumë njerëz për trafik armësh me Kosovën, kur ai përpara konferencës së Rambujesë, u bënte thirrje kosovarëve të mos e nënshkruanin marrveshjen. Në Tropojë nuk ka patur familje që të mos ketë armatosur e mbajtur me bukë djemtë e UÇK-së që luftonin shkjaun. Mesa di unë vetëm Berisha apo njerëzit e tij, që u armatosën në 1997-ën për të sulmuar Vlorën e Jugun, nuk kanë çuar asnjë pushkë të vetme për të luftuar serbin. Armët UÇK-së nuk ia kemi dhënë as me urdhër të Nanos, as të Klosit apo të ndonjë tjetri. Ne kemi mbajtur me bukë, kemi strehuar dhe kemi luftuar bashkë me djemtë e UÇK-së për lirinë e Kosovës. UÇK-së nuk i kemi shitur as bukë e as armë, por e kemi ndihmuar me gjithçka kemi gjetur në Tropojë e në gjithë Shqipërinë. Edhe sot që ka mbaruar lufta njerëzit e UÇK-së vijnë në Shqipëri për të takuar Haklajt që luftuan bashkë me ta serbin, e jo të takojnë Sali Berishën".
Po bëni fushatë kundër Berishës
"Ai ka akuzuar dhe ka vënë në rrezik drejtpërdrejt familjen time. Berisha është tropojan dhe unë jam detyruar t'i përgjigjem si tropojan. Sa për zgjedhjet, unë e kam pritur në shtëpi komisionin e rregjistrimit, ku ishin dy anëtarë të PD-së dhe një i PS-së, jam rregjistruar dhe i kam përcjellë si njerëz"
//Shqiptarja.com
Sondazhi i ditës:
Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?
-
Po
53.5%
-
Jo
37.7%
-
Nuk e di
8.8%
Vota total: 1055
Votat totale janë unike
Lajme të tjera
-
Hapet gara për shef komisariatesh në Policinë e Shtetit, deri më 8 nëntor afati për aplikim
31 Tetor, 13:01
-
Dibër/ Shantazhonin një 17-vjeçare me video e foto personale, arrestohet çifti dhe adoleshentja! I hapën profil fals në rrjetet sociale
31 Tetor, 13:00
-
NBA/ Humbja e parë për Boston, Lakers 'K.O' në Cleveland! Në krye skuadra surprizë
31 Tetor, 12:45
-
Del FOTO/ Kush është Flutura Basha, viktima e pafajshme e atentatit në Shkodër
31 Tetor, 12:43
-
Begaj ktheu ligjin 'Për inspektimin', Parlamenti e rrëzon! Zgjatet afati i Komisionit hetimor për 'Sterilizimin' e 'Check Up'
31 Tetor, 12:35
-
Edi Paloka tenton t’u afrohet minatorëve por e përzënë: Largohu, hajdut! Shikoni videon
31 Tetor, 12:34
-
Gonzato i dorëzon progres raportin Spiropalit, mesazh opozitës: Shpresoj të luajë rolin e saj brenda kuvendit! Momenti kur përballet me deputetët e PD
31 Tetor, 12:29
-
Në SPAK për 21 janarin, deputeti Xhemal Qefalia ironi me Alibeajn: Më pyetën a është Enkelejdi ky që ka automatik
31 Tetor, 12:26
-
VIDEOLAJM/ Progres raporti/ Opozita gardh tek dera e Kuvendit, garda i sugjeron Gonzatos portën anësore! Deputetët hapin rrugën
31 Tetor, 12:24
-
Replikat/ 'Keni lajthitur', Spiropali debat me Shehajn në Kuvend: Lini pozat e TikTok-ut
31 Tetor, 12:22
-
Anija me mbetje, Braçe ironizon opozitën: T’i lejojmë të monitorojnë kontejnerët, me not, avionë ose varka, se mbase fluturojnë anijet
31 Tetor, 12:21
-
Flakadanët në fushë dhe Mala në spitalin e Lushnjës, policia procedon dy tifozët e 'Tirona Fanatics'
31 Tetor, 12:18