Braktisën një ditë kullat për të votuar

SHKODER (12/10/2000) Kanë guxuar të dalin vetëm një ditë nga shtëpia. Nuk kanë qenë shumë, por aq sa për të treguar se votat do të jetë gjithmonë tëshenjta. Kanë vënë dhe kokën në rrezik për të votuar, ndonëse ata që e kanë marrë këtë votë nuk dihet nëse do kujtohen ndonjëherë për ta. Me njeriun e besës në krah, të ngujuarit, me votën e tyre, i kanë bërë dhe një herë apel shoqërisë: "Që jemi dhe ne mes jush. Votojmë dhe ne për një të ardhme, ndonëse qëndrojmë të mbyllur".Të ngujuarit në prefekturën e Shkodrës, në pjesën më të madhe janë privuar dhe nga një e drejtë tjetër, nga ajo e votës. Këtë deklarim e bëjnë përfaqësuesit e misionit mbarëkombëtar të gjaqeve. Zgjedhjet e tetorit treguan realisht se të ngujuarit për t'i shpëtuar plumbit që i vret, kanë hequr dorë totalisht nga pjesëmarrja e tyre në jetën shoqërore. Votimet e fundit e vërtetuan këtë. Sipas Emin Spahisë, sekretar i përgjithshëm i këtij misioni, rreth 1 mijë persona me të drejtë vote, në të gjithë prefekturwn e Shkodrës, nuk kanë mundur që të shkojnë në kutitë e votimit. Në këtë prefekturë rezultojnë të jenë 800 familje në konflikt, por një pjesë e tyre ka mundur të shkojë të votojë nëpërmjet këtij misioni dhe punës që ka bërë ai në ditët e fundit para zgjedhjeve. I tillë ka qenë aktiviteti që Misioni i Pajtimit Mbarëkombëtar ka bërë dy ditë para zgjedhjeve. "Organizuam pikërisht dy ditë para zgjedhjeve një proçesion, i cili në qendër kishte pajtimin, paqen, lënien mënjanë të hakmarrjes. Në radhët e para të këtij proçesioni, kanë qenë të gjithë kandidatët për kryetar bashkie në qytetin e Shkodrës, klerikët më të lartë të qytetit, pushtetarët lokalë dhe drejtues të Drejtorisë së Policisë. Ne ecëm nëpër rrugët kryesore të qytetit, duke kërkuar që në ditët e votimit, të mos privohet asnjë nga kjo e drejtë. Besoj se diçka arritëm, pasi më 1 tetor, ka pasur prej atyre të ngujuarve që kanë arritur të dalin. Sigurisht, kur qendrat i kanë pasur shumë afër, apo kanë qenë të shoqëruar me personin e besës", sqaron kështu sekretari i përgjithshëm i Misionit Mbarëkombëtar të Gjaqeve, Emin Spahia. Nga ana tjetër, Spahia kërkon më tepër mbështetje. Kryesisht nga Qeveria, e cila nuk po tregon interesin e duhur. "Misioni nuk mund të kryejë qëllimin e tij vetëm. Ne kërkojmë një bashkëpunim me qeverinë, klerin, policinë, pushtetin lokal, OJQ-të për të krijuar një grup të përbashkët pune, për t'iu larguar fjalëve dhe thjesht për të vepruar në terren", vazhdon Spahia. Sipas tij, dhe balatozhi do të tregojë një pjesëmarrje tepër të vogël të të ngujuarve. Kjo shifër e ulët e tyre në votimet për zgjedhjet, është një apel që i bëhet atyre për të cilët po votohet.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim