FBI: Shqipëria në listën e bazave të Al Qaeda-s

(22/12/2001)TIRANE Shqipëria është në listat e vendeve ku veprojnë terroristët islamikë të lidhur me Al Qaeda-n e Osama Ben Laden. Konfirmimi është dhënë në Kongresin e SHBA nga J.T. Caruso, funksionar i lartë i FBI, divizioni antiterrorizëm vetëm katër ditë më parë. Në 16 dhjetor, dy ditë para këtij raporti, shërbimi sekret shqiptar kishte ndaluar dhe dëbuar tre shtetas irakenë, duke e çuar kështu në 22 numrin e arabëve të dëbuar nga Shqipëria si të dyshuar për lidhje të tyre me terrorizimin islamik. Shqipëria është përmendur mes 21 shteteve, të cilat nga FBI, sektori i antiterrorizimit, janë cilësuar si vende ku veprojnë terroristët islamikë. Ata janë të organizuar në grupime që veprojnë nën ombrellën e Al Qaeda-s ose me mbështetjen e saj. Shqipëria është në krah me shtete të tilla si; Sudani, Jemeni, Somalia, Xhibuti dhe vende të tjera afrikane apo aziatike. Në këtë listë janë edhe Bosnja dhe Kroacia. Raporti J.T. Caruso ka raportuar në datën 18 dhjetor në nënkomitetin e operacioneve ndërkombëtare dhe terrorizimit të Komitetit të marrëdhënieve me jashtë të Senatit të SHBA. Ky raport është publikuar në Website të FBI në adresën WW-W.fbi.gov/congress/congress01/caruso12180.htm. Nën titullin Al Qaeda ndërkombëtare, ky raport sqaron gjithçka që lidhet me organizatën terroriste të Osama Ben Laden, e cila shkaktoi mijra viktima në atentatet mbi kullat binjake të NeW York-ut në 11 shtator. Sipas raportit qëllimi i kësaj organizate dhe bashkëpunëtorëve të saj kudo në botë, është lufta e shenjtë kundër "shtetit të pabesë" siç quajnë ata Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që nga 1980 kur ka filluar veprimtarinë kjo organizatë dhe deri më tani janë me mijra viktimat e saj kudo në botë. Lista e zezë Ai e ka skeduar Shqipërinë mes vendeve ku veprojnë grupe Xhihadi (lufta e shenjtë islamike) që bashkëpunojnë me Al Qaeda-n, organizatën e drejtuar nga kryeterroristi Osama Ben Laden. "Al Qaeda funksionon e pavarur nga organizatat e tjera terroriste dhe gjithashtu ekziston përmes disa prej organizatave terroriste, të cilat veprojnë nën hijen e saj ose me mbështetjen e saj", thuhet në raportin e paraqitur nga FBI. Organizatat e tjera që veprojnë bashkë me Al-Qaeda janë: Al-Xhihad, Al Gamma, Al-Islamiyya Xhihadi islamik egjiptian dhe një numër grupesh Xhihadi në vende të tjera", thotë J.T Caruso. Ai përmend edhe emrat e vendeve ku veprojnë grupe të Xhihadit të lidhur me Al Qaeda-n, mes të cilëve është edhe Shqipëria. "Al Qaeda mban celula dhe personel në një numër vendesh për të lehtësuar aktivitetet e saj përfshi Kenian, Tanzaninë, Anglinë, Kanadanë dhe SHBA", thuhet në raport. Terroristët "shqiptarë" Që pas 11 shtatorit shërbimi sekret shqiptar në bashkëpunim me CIA-n filluan verifikimin e të gjithë shtetasve arabë që ndodhen në Shqipëri. Burime të besueshëme nga shërbimi sekret shqiptar thonë se që nga mesi i shtatorit janë dëbuar nga Shqipëria 22 shtetas arabë, të cilët kanë pasur veprimtari të dyshimtë. Ndërsa rasti më flagrant i dëbimit të qytetarëve arabë është ai i datës 16 dhjetor, kur paralelisht në disa vende u krye një operacion kontrolli ndaj selive të fondacionit "Global Faundation", një degë e së cilës ishte edhe në qendër të kryeqytetit shqiptar. Sipas burimeve tepër të besueshëme të shërbimit sekret, tre anëtarë me shtetësi irakene, të këtij fondacioni ishin shoqëruar për disa orë në mjediset e policisë së Tiranës. Të shoqëruarit, që më pas u dëbuan, dyshoheshin se kishin lidhje me rrjetin terrorist "Al Qaeda". Punonjësit e shërbimit sekret kishin sekuestruar edhe kompjuterat e këtij fondacioni për të verifikuar të gjithë veprimtarinë e tij në vendin tonë. Sipas publikimeve të këtij fondacioni në internet, Shqipëria mbante vendin e parë të financimeve prej tij. Madje vetëm një vit më parë, pra gjatë 2000-s "Global Faundation" kishte financuar për dy shkolla, projekt që kishte kushtuar 470 mijë dollarë. Në degën e këtij fondacioni në Kosovë, policia ndërkombëtare identifikoi dhe arrestoi tre shtetas irakianë, për të cilët kishte lidhje se ishin mbështetës të terrorizmit ndërkombëtar. Ndërkohë, edhe gjatë vitit 1998, shërbimi sekret amerikan, i ndihmuar nga ai shqiptar kishte mundur të identifikonte rreth gjashtë persona të dyshuar si veprimtare të rrjetit terrorist.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim