Filip Çeka, shkodrani që u mbrojt nga Franca

(10/3/2002) Dëshmia e 58-vjeçarit Engjëll Çeka, pasardhësi i familjes së njohur shkodrane: "Filip Çeka i cili ishte vëllai i gjyshit tim Mikelit, në 6 shkurt të vitit 1854 u mor në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës. Ajo Konsullatë e kishte atë si personin numër dy në regjistrin e veçantë për të huajt, në bazë të marrëveshjes dhe traktateve që Franca kishte lidhur me Portën e Lartë" -------------------------------------------------------------------------------- Dashnor Kaloçi Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm në kuadrin e ciklit "Familjet e Mëdha të Shqipërisë", u njohëm me origjinën dhe trashëgiminë gjenealogjike të familjes së njohur shkodrane Çeka. Kjo familje që njihet ndryshe edhe me mbiemërin tjetër Suma, rrjedh nga lagjia Bojej e fshatit Sumë të Postribës dhe së bashku me familjet Çoba e Llupi, konsiderohen ndër familjet katolike më të vjetra të Shkodrës. Të parët e kësaj familje që njiheshin si pronarë të mëdhej tokash, kanë zbritur në qytetin e Shkodrës që nga koha ai ra nën sundimin e Turqisë dhe më pas ata janë marrë edhe me tregëti e politikë. Sipas dëshmisë së Engjëll Çekës një nga pinjollët e fundit të kësaj familje, në vitin 1966 ata i kanë dorzuar Arkivit të Shtetit rreth 250 dokumente të vjetra që i përkisnin së kaluarës së fisit Çeka Shtëpia mbi 200-vjeçare e Çekejve Shtëpia e Çekejve e cila është ndërtuar më shumë se dyqind vjet më parë, ndodhet diku në Lagjen Arra e Madhe të qytetit të Shkodrës në Rrugën "Vaso Pasha". Aty në atë shtëpi të rrethuar me mure të larta, banojnë së bashku me familjet e tyre, dy vëllezërit Engjëll dhe Mikel Çeka, të cilët janë dhe pinjollët e fundit të Çekejve që njihen si ndër më të vjetrit e qytetit të Shkodrës. E ndodhur përballë me konviktin e shkollës së Gjuhëve të Huaja, shtëpia e madhe dy katëshe e Çekejve nga pamja e jashtëme nuk të ngjall ndonjë kureshtje të madhe. Por gjithshka ndryshon kur futesh brenda dhe vetja të duket sikur je në ndonjë Muze Etnografik apo kështjellë të vjetër mesjetare të cilat shumë rrallë i ndesh në qytetet tona. I zoti i shtëpisë, 58-vjeçari Engjëll Çeka na fton brenda dhe na shoqëron për në dhomat e sipërme të asaj shtëpie me hapësira të bollshme ku gjithëhka është e gdhendur në dru nga mjeshtrat shkodranë, këtu e dyqind vjet të shkuara. Që nga ajo kohë e largët, ajo shtëpi tipike shkodrane ka humbur shumë nga origjinaliteti dhe formën e saj të parë vazhdon ta ruaj ende vetëm njëra nga dhomat ku çdo gjë është e paprekur që nga shekulli i kaluar. Aty mbizotëron tavani i varur me gdhëndje dhe oxhaku i madh i stolisur me ornamente e deri sëndyky i pajës apo siç njihet ndryshe nga shkodranët e vjetër si "Arka e Vendeikut", nga që familjet e pasura aristokrate të asaj kohe e blinin pajën e nuses në Itali. I gjithë ansambëli akitekturor që mbizotëron aty që nga ndërtimi dhe zbukurimet me gdhëndje në dru, e deri tek mobiljet e reliket e vjetra të ruajtura me shumë kujdes prej më shumë se dy shekujsh, e detyruan Institutin e Monumenteve të Kulturës që në vitin 1966 atë shtëpi ta shpallnin Monument Kulture. Ndonëse me profesion ekonomist, por me një pasion prej historiani për t'u admiruar, 58-vjeçari Engjëll Çeka prej vitesh ka hulumtuar ndër arkiva, biblioteka dhe në shtypin e kohës, duke nxjerrë dhe skeduar pothuaj të gjitha ato çka janë shkruar dhe thënë rreth trungut të familjes së tij, të cilat së bashku me dokumentet e tjera dhe reliket e rralla që disponon ajo familje, përbëjnë një pjesë të gjallë të historisë jo vetëm të Çekejve, por dhe të atij qyteti me tradita të lashta. Dokumentet e Francës në mure Në shtëpinë e vjetër dhe karakteristike shkodrane të Çekejve, ajo ç'ka të bie më tepër në sy përveç fotografive të vjetra të varuara në muret e asaj dhome të madhe, janë dy dokumente të vjetra të shkruara në frëngjisht. Njëri prej atyre dy dokumenteve, mban datën 6 shkurt të vitit 1854 dhe është Patenta e Mbrojtjes, me të cilën Konsullata franceze e Shkodrës ka pajisur vëllain e gjyshit të Engjëllit, Filip Çekën. Në atë dokument të titulluar "Patentë Mbrojtje", shkruhet: "Ne, Konsullata Franceze në Shkodër, vërtetojmë se zoti Filippo Suma, shtetas otoman, lindun dhe banues në Shkodër, është i regjistruar me numër 2 në regjistrin e veçantë për të huajtë e mbrojtur nga kjo Konsullatë, në bazë të dispozitave të marrëveshjeve të përmbajtura në traktatet e lidhura ndërmjet Francës dhe Portës së Lartë Otomane. Me besën e fjalës së dhënë ne i japim atij këtë dhuratë për t'i shërbyer aty ku ja jep e drejta" Shkodër më 8 shkurt 1854. Nga zotni Konsulli De diagruan. Këtë dokument Konsullata franceze e Shkodrës ia ka akorduar Filip Sumës për shërbimet që ai i kishte bërë asaj në atë kohë kur nuk ishte më shumë se 30-vjeç. Kurse dokumenti tjetër i cili përket vitit 1895, është një Medalje Ari e cila i është dhënë gjyshit të Engjëllit, Mikel Çekës (Suma) , ku shkruhet: "Ministria e Punëve të Jashtëme. Presidenti i Republikës Franceze, Mbi propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtëme. Dekreton: Një Medalje Nderi prej Ari që i është lëshuar Z. Summa, përkthyes ndihmës i Konsullit të Francës në Shkodër të Shqipërisë, për shërbimet e bëra për interesat franceze nga 1856 në 1895". Shefi i shërbimit të Protokollit Sh. Croziej. Lëshuar në Paris, më 23 prill 1895. Feliks Fore. Y Hanoto. Kush ishte Filip Çeka Po kush ishte Filip Çeka dhe përse ai u muar në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës? Lidhur me këtë Engjëlli dëshmon: "Filipi u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1826 dhe ai ishte djali i Pjetër Çekës, familja e të cilit rradhitet ndër më të vjetrat shkodrane që figurojnë të shënuara që në vitin 1736 në regjistrat e pagëzimit që janë mbajtur nga familja Kamsi. Nga tre dokumente pagëzimi të kishës që ruan familja që i përkasin viteve 1830, 1871 dhe 1898, pjestarët e kësaj familje njihen dhe me mbiemërin Suma dhe kanë lidhje fisnore me fisin Sokoli të Shkodrës. Kjo gjë vertetohet edhe nga të dhënat e ditarit të Mustafa Boriçit që është ruajtur nga qershori i vitit 1844, ku ai midis të tjerash ka shkruajtur: "Fitova davanë me tregtarin Ndoc Çeka". Duke qenë se asokohe ishte në modë që familjet aristokrate t'i dërgonin fëmijet e tyre për të mësuar në shkolla private, e më pas në ato fetare, edhe Filipi mendohet të jetë arsimuar në këto shkolla. Mirpo deri më sot familja jonë nuk disponon asnjë lloj dokumenti shkollor të Filipit dhe këtë gjë e bazon në llogjikën e familjeve të asaj kohe që i dërgonin fëmijët në ato shkolla për të mësuar gjuhët e huaja, gjë e cila u imponohej për nevoja të tregtisë. Që Filipi ka mësuar në ato shkolla, vërtetohet dhe me faktin se ai ka mësuar gjuhën frënge që përpara moshës 30-vjeçare, kohë në të cilën ai u muar në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës. Ky fakt na lejon të supozojmë se atë mbrojtje, Filipi e ka marrë në rradhë të parë si personalitet që ka qenë, se për ndryshe nuk mund t'i jepej ai privilegj" dëshmon Engjëlli lidhur me Filip Çekën. Me përfaqësinë e Lidhjes së Prizrenit Nga studimet e ndryshme që janë bërë, Filip Çeka njihet dhe si një nga organizatorët kryesorë të përfaqësisë shkodrane që mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Lidhur me këtë Engjëlli dëshmon: "Nga viti 1854 kur Filip Çeka u muar në mbrojtje nga Konsullata Franceze e Shkodrës dhe deri në vitet 1878 kur ai figuron në shumë dokumente si një nga organizatorët kryesorë të Degës së Shkodrës për Lidhjen e Prizrenit, nuk ka ndonjë të dhënë se me çfarë është marrë në atë periudhë kohe. Në një studim i Stefanaq Pollos dhe Selami Pulahës, citohet një dokument që është shkruar një muaj përpara se të mbahej Lidhja e Prizrenit. Ajo është një protestë që shkodranët ia kanë dërguar ambasadorit francez në Stamboll , ku midis të tjerash thuhet: "Ne, katolikë e myslymanë, vëllezër prej shekujsh dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh, pëlqejmë më mirë të asgjesohemi, se sa të vdesim të poshtëruar e të skllavëruar". Ndonëse në atë dokument nuk jepen emrat e nënshkruesëve të tij, kemi të drejtë të mendojmë se aty është dhe dora e vëllezërve Çeka, Filipit dhe Mikelit, nisur nga fakti se ata kanë ditur frëngjishten dhe Filipi ka qenë ndër organizatorët e asaj proteste. Kjo gjë bëhet e besueshme nisur dhe nga fakti se Filipi ka pasur lidhje me qarqet e huaja diplomatike që kanë qenë në asokohe në Shkodër. Sipas dokumenteve historike, më 15 qershor, dy ditë pas hapjes së Kongresit të Berlinit, në oborrin e Medresesë që ndodhej pranë Pazarit të Vjetër të Shkodrës, është zhvilluar një manifestim popullor ku është lexuar dhe një peticion që paria shkodrane ia dërgoi Kongresit të Berlinit në shenjë proteste. Duke parë firmëtarët e atij peticioni, shihet dhe emëri i Filip Sumës, çka pohoet edhe nga studjuesi Xhafer Belegu në veprën e tij "Akte të Rilindjes". Po kështu në një studim të akademikut Kristo Frashëri, ku ai jep me përafërsi emrat e antarëve më aktivë të Komitetit Ndërkrahinor të Degës së Shkodrës që dërgoi përfaqësinë e saj në Lidhjen e Prizrenit, rradhitet dhe emri i Filip Sumës. Një dokument tjetër që vërteton pjesmarrjen e Filip Sumës në përfaqësinë e Komitetit Ndërkrahinor të Degës së Shkodrës, është dhe ai i vëllezërve Çoba, ku midis të tjerash thuhet: "Na të premen, (Premten) u mblodhme e i vuni populli katër vetë, F. Çekën, N. Shirokën, Simon e Gjok Muzhani. Edhe dje kan kenë në komisjon edhe i kan prit fort mirë". Në bazë të këtyre dokumenteve dhe materialeve historike, emri i Filip Çekës figuron në përfaqësinë drejtuese të Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën që nga korriku i vitit 1878 e deri në fund, pavarësisht nëse ka qenë i ngarkuar me detyra apo jo. Mos pjesmarrja e tij në delegacionin e Shkodrës në Lidhjen e Prizrenit, ndoshta ka qenë e kushtëzuar prej statusit të tij prej "gjysëm diplomati" nga lidhjet që ai kishte me Konsullatën Franceze të Shkodrës", dëshmon Engjëll Çeka lidhur ne vëllanë e gjyshit të tij, Filipin, i cili nga dokumentet arkivore, njihet dhe si pjesmarrës me trupat vullnetare shkodrane në Luftën e Plavës e Gucisë përkrah Jusuf Sokolit. Po kështu Filip Çeka figuron edhe si pjesmarrës në Luftën për mbrojtjen e Ulqinit nga malazezët në vitin 1879, ku shkodranët në shenjë solidariteti dërguan dy formacione me vullnetarë. Në njërin prej tyre ishte Filipi 60 vjeçar, i cili së bashku me Jusuf Sokolin kishin nën komandë 40 vullnetarë shkodranë. Filipi vdiq në Shkodër në vitin 1895 dhe për meritat e tij, në vitin 1978 ai është dekoruar me urdhërin "Për vepritari patriotike" . Po kështu për nder të Filip Çekës, në shtëpinë muze që aktualisht banon Engjëlli me të vëllanë Mikelin, në vitin 1989 u vendos një pllakë përkujtimore që e cilëson atë si organizator të Degës së Shkodrës për Lidhjen e Prizrenit. Babai i Engjëllit, nëprefekt i Monarkisë Pas Filip Çekës dhe vëllait të tij Mikelit, një nga pasardhësit e tjerë të trungut të familjes së njohur shkodrane, është dhe babai i Engjëll Çekës, Filip Çeka (i riu). Lidhur me të kaluarën e tij, Engjëlli dëshmon: "Babai im Filip Çeka u lind në vitin 1898 këtë në këtë shtëpi dhe gjatë pagëzimit që iu bë në kishë, si kumbarë kanë qenë çifti francez De Guard, të cilët në atë kohë punonin në Konsullatën Franceze në Shkodër. Babai kishte dhe një motër, Gjystinën e cila u dorzua murgeshë dhe një vëlla, Angjelinin. Filipi u shkollua në shkollën Tregtare të Shkodrës të cilën e mbaroi në vitin 1920 nga ku u emërua si nëpunës finance në Bashkinë e Shkodrës. Më pas Filipi punoi si Drejtor i Financave në Krujë, Lezhë, Pukë dhe Durrës. Duke qenë se ai ishte një ndër njerzit e besuar të Mbretit Zog, në vitin 1934 Filipi kaloi si kontigjent i Ministrsë së Brendshme dhe u emërua si nënprefekt në Delvinë, Ersekë dhe Konispol. Pasi punoi disa kohë si Kryesekretar i Prefekturës së Vlorës, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Filipi u pushua nga puna. Me ardhjen e gjermanëve ai u emërua nënprefekt i Lushnjes, ku punoi vetëm një muaj dhe u largua që andej pasi e shpëtoi qytetin nga djegia e gjermanëve", e përfundon rrëfimin e tij Engjëll Çeka për babanë Filipin i cili gjatë viteve të regjimit komunist deri në 1960-ën, punoi si llogaritar në Korçë, Fush-Arrëz e Bushat, gjithmonë i survejuar nga Sigurimi, si ish-funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Barcelona do të rrisë taksën turistike