Gjonaj, pikëpyetjet e një (vet)vrasjeje

TIRANE (13/3/2001) Sërish një tjetër vrasje ka ndezur opinionin dhe politikën shqiptare. Zemra e Gjon Gjonajt, ka pushuar së rrahuri në mesnatën e 11 shkurtit në dhomat e para-burgimit të Komisariatit të Rrëshenit. Një vetë-vrasje apo një vrasje? Sipas versionit zyrtar të Ministrisë së Rendit, 47-vjeçari Gjonaj vrau veten me biçak. Sipas versionit të forcës më të madhe opozitare, PD, Gjonaj është vrarë nga shteti. Dy versione ekstreme që ngrejnë shumë pikëpyetje. Pikëpyetjet Së pari, si është e mundur të jetë neglizhuar në dy nivele, Laç dhe Rrëshen, kontrolli fizik ndaj personit të shoqëruar në dhomat e paraburgimit? Së dyti, përse pikërisht një vetvrasje kaq e dhimshme? Sipas ekspertëve të kriminalistikës, vetëvrasja me mjete të mprehta është nga më të vështirat për t'u realizuar, pasi kërkon një precizion të madh anatomik. Në rast të mungesës së precizionit për të prekur organet vitale me një goditje të vetme, është shumë e vështirë të mblidhen forcat për një goditje të dytë. Së treti, përse viktima është shoqëruar "për sqarim" nën masa të rrepta sigurie nga Komisariatit i Laçit në atë të Rrëshenit. (Ka vetëm tre rrethana përmes së cilave mund të ngrihet një akuzë në rastin e Gjonajt dhe ato janë: autor në vrasje, bashkëpunëtor në vrasje apo fshehje të rrethanave të një krimi). Sipas versionin zyrtar, Gjonaj është shoqëruar në polici për sqarime dhe jo si i akuzuar për një nga tre veprat penale të mësipërme. Së katërti, si mundet MRP të sigurojë pas kësaj ngjarje të rëndë qoftë edhe një kundravajtës të rëndomtë, se nëse shoqërohet në paraburgim, nuk ka gjasë të vetvritet? (Vet)vrasja A ka pra një mënyrë për të kuptuar nëse Gjonaj bëri një "harakiri" të paprecedent brenda "në shtëpinë" e shtetit", apo ai është viktima e radhës e krimit ordiner? Raporti mjeko-ligjor konfirmon vetëm njërin version. Duket se e vetmja mënyrë për të mbytur që në embrion çdo aludim të politikanëve apo "njerë-zve të zgjuar" do të ishte proces-verbali i mbajtur nga shefi i krimeve të Rrëshenit. Pas transferimit në Komisariatin e Rrëshenit, familjarët e viktimës e kanë ndjekur atë dhe janë interesuar tek autoritetet policore për lirimin e tij. Sipas pohimit të vëllait të viktimës dhënë një stacioni televiziv, autoritetet policore i kishin thënë se "ai nuk duhej të shqetësohej, pasi sqarimi kishte mbaruar dhe Gjonaj do të lëshohej të nesërmen, pasi nata mund të ishte e rrezikshme për të". Nisur nga një pohim i tillë, Gjonaj nuk kishte motiv të mendonte për një vetëvrasje. Nga ana tjetër, Gjoni nuk kishte motiv të ndjehej i penduar gjer në vetëvrasje për një krim, të cilin e kishte kryer në fund të fundit punëdhënësi i tij, Astrit Bushi. Pas gjetjes së armëve të shumta në shtëpinë e këtij të fundit, policia kishte ushtruar kontroll për armë apo dokumente kompremetuese edhe në shtëpinë e Gjon Gjonajt dhe nuk kishte gjetur asgjë që të mund ta komprometonte. Sipas psikolo-gëve, vetëvrasjet janë gjithmonë të motivuara. Nga ana tjetër Gjonaj ishte baba i dy fëmijëve, për hir të të cilëve kishte braktisur madje edhe profesion e nderuar të mësuesit për të punuar si menaxher i pronës së Astrit Bushit. Polici "fajtor" Eksperienca klasike e vetëvrasjeve në raste të tilla është ajo e zbardhjes nga ana e viktimës qoftë edhe të një motivi të vetëm psikologjik, motiv i cili mund të figurojë veçse në proces-verbalin e hetimit. Mbajtja e një procesverbali me shkrim është një procedurë standard, e parashikuar qartë edhe në ligjin për policinë e shtetit, pasi ky është një dokument bazë, i cili hedh dritë dhe sqaron një sërë aspektesh të personit të marrë në pyetje sikurse janë aspekti social, psikologjik dhe juridik. Nëse Gjonaj kishte vendosur t'i jepte fund jetës së tij, atëherë nisur edhe nga praktika klasike e vetëvrasjeve, vetën në procesverbal mund të gjinden hijet psikologjike të një pendese për një krim të kryer apo qoftë edhe një porosi për fëmijët apo për gruan. Nëse një procesverval i tillë nuk ekziston, atëherë "Gjoni dinte shumë" ose e kundërta, "nuk dinte se ç'e priste". Vetëm polici i shërbimit të Rrëshenit është ndaluar për këtë ngjarje. Dhe faji i tij ishte se nuk parandaloi vdekjen e Gjonajt. Por viktima kishte kaluar në disa duar policësh më parë. Ku e kishte futur biçakun? Në një ceremoni mortore ku merrnin pjesë qindra njerëz, Gjonaj u shpall qytetar nderi i Laçit. Versioni zyrtar Shtetasi Gjon Mirash Gjonaj, 47 vjeç, u gjet i vdekur në qelinë e paraburgimit në Komisariatin e Rrëshenit, nga roja i shërbimit të brendshëm. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00.38, të datës 13 Mars 2001, kur oficeri i shërbimit, Çup Ahmetaj, ka dëgjuar disa britma dhe rënkime nga brenda ambienteve të paraburgimit. Me të hapur qelinë e Gjonajt, është gjetur trupi i tij i pajetë në një pellg gjaku dhe pranë tij një thikë e tipit biçak. Para vetëvrasjes, viktima është marrë në pyetje për afro 20 minuta, nga ora 20.00 deri 20.20 nga shefi i krimeve të Komisariatit të Rrëshenit. Viktima është vetëvrarë me një biçak, të cilin e kishte ngulur në zemër. Versioni i PD Gjon Gjonaj është vrarë në dhomat e paraburgimit nga persona të interesura për vdekjen e tij. Policia ka shkelur qëllimisht afatet e lejuara për paraburgimin, duke e mbajtur viktimën në qeli për 48 orë. Sipas PD, versioni i vetëvrasjes në dhomat e paraburgimit është në të njëjtën linjë me vrasjen e shtetasit Agron Bushi, nga FNSH në Kurbin. Viktima ka qene anëtar i PD-së së rrethit të Kurbinit dhe një nga aktivisatët më aktivë në këtë rreth. Ai ishte gjithashtu edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Laçit i propozuar nga PD. Sipas kësaj partie, shteti aktual është i interesuar për të goditur aktivistët e saj, për të krijuar një situatë konflikti para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë