Koçiu dhe gjellët e burgut të Librazhdit

LIBRAZHD (4/4/2001) Sokol Koçiut duket se i kanë pëlqyer tej mase gjellët e burgut të Librazhdit. Madje, siç pohojnë gardianët, ai ka shumë uri. "Nuk ka refuzuar asnjë gjellë deri tani, madje nuk ka lënë asgjë në pjata", thekson i njëjti burim, i cili ka rrëfyer ditët e Koçiut në "shtëpinë e re". Kjo, ndoshta ka ndodhur, sepse, Koçiu mund të jetë i vetmi i burgosur aty, të cilit nuk i lejohet ushqimi suplementar. Ndërkohë, gardianët tregojnë, se ai sillet mirë, është i urtë, por mbi të gjithë, është shumë i siguruar. Afro dy javë më parë Sokol Koçiu, nën masa tepër të larta sigurie policore, u transferua nga qelitë e Burgut 313 të Tiranës për në birucat e komisariatit të Librazhdit. Prania e Koçiut në birucat e policisë së Librazhdit nuk ka kaluar pa bërë bujë në rrethin kufitar. Transferimi, shpjegojnë, u bë për shumë arsye. Së pari sepse në këtë komisariat ka kushte më të mira jetese dhe së dyti, siguri të lartë ruajtjeje. Qelia "Koçiu" Sokol Koçiut si "VIP" i të paraburgosurve i është bërë një privilegj. Ai është strehuar në qelinë numër 1 të dhomave të të paraburgosurve: në një dhomë të ngushtë me dritare të vogël përpara së cilës ngrihet një mur mbrojtës. Një krevat prej dërrase, një dyshek pambuku i vjetër e tri batanije janë luksi i "shtëpisë" së re të Koçiut. Ish-oficeri i Policisë Gjyqësore thuhet nga policia, se aktualisht është më i urti i të gjithëve. Gardianët kanë marrë porosi, që të respektojnë rregulloren me përpikmëri me cilindo të paraburgosur, por veçanërisht tepër të kujdesshëm me Koçiun. Një urdhër i brendshëm, i cili ka dalë këto ditë, nuk lejon ndryshimin e stafit të gardianëve. Që nga dita e mbërritjes së Koçiut në Librazhd janë shtuar rojat përreth godinës. Non-stop tre policë vigjilojnë te kullat pranë dhomave të paraburgimit, duke i bërë sytë katër nga ndonjë sulm i jashtëm. "Sokoli ha shumë" Gjellët e gatuara në qelitë e Librazhdit duket se i ka pëlqyer së tepërmi Sokol Koçiut. Burime nga gardianët e burgut thonë se ushqimin e konsumon më se normalisht dhe ka shumë uri. Ndoshta kjo, sepse ai mund të jetë i vetmi, që nuk i jepet ushqim suplementar. Porosinë "kujdes me Koçiun", duket se po e zbatojnë të gjithë dhe ashtu siç duhet. Tenxheret e tasat me gjellë, gruaja e tij i ka kthyer sërish mbrapsht, pasi nuk e ka takuar dot bashkëshortin, i cili është i detyruar të mos u bëjë naze supërave supëve të burgut. Takimet Edhe pse kanë kaluar shumë ditë nga izolimi i të dyshuarit si kapo i trafikut të kokainës, ai nuk ka mundur ta takojë dot asnjëei nga pjesëtarët e familjes. Gruaja, fëmijët, shokë e miq të Koçiut edhe pse janë paraqitur me dhjetëra herë te oficeri i shërbimit për të takuar njeriun e tyre, akoma nuk u është krijuar mundësia për t'u takuar me të, pasi duhen leje nga Prokuroria. Madje, nuk është lejuar ta takojë as avokati i tij, Neshat Fanaj. Siguria "Sokol Koçiu është tepër i siguruar dhe atë nuk mund ta gjejë ndonjë e keqe", sqarojnë burimet policore të Librazhdit. Ai është si gjithë të paraburgosurit e tjerë që duhet të zbatojë rregulloren e që i garantohen të gjitha kushtet e një të paraburgosuri.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim