Mirditë, nipi i Kapidanit 9 orë luftë me policinë

MIRDITE (9/14/2001) I ka bërë 9 orë rezistencë me armë policisë, i armatosur me një kallshnikov dhe një shishe rakie në dorë dhe më fund është arrestuar një prej pinjollëve të Gjonmarkave të Mirditës. I akuzuar për një vrasje të kryer në vitin 1998 në Milot, ish-gardisti Tonin Prengë Marku, 51 vjeç, është arrestuar nga policia në Qafë-Mollë të Mirditës, dje paradite, pas një aksion spektakolar. "Unë jam 51 vjeç. Dhe 20 që më ka dënuar gjykata, unë dal nga burgu 71 vjeç. I vdekur se i vdekur jam. Jam dhe dera e kapidanit. Nuk dorëzohem gjallë" i kërcënonte Tonin Marku, policët që e kanë rrethuar në kullën e tij në Qafë-Mollë të Mirditës. Marku, ishte shpallur në kërkim për një vrasje që kishte kryer në vitin 1998 në Milot, ku kishte vrarë për motive të dobëta Mikel Gjonin 34 vjeç. Sipas burimeve nga ana e policisë, vrasja kishte ardhur si pasojë e një shpulle. Marku, më parë ka punuar në Gardën e Republikës, deri kur u lirua në 1997. Pas zbardhjes së vrasjes nga ana e prokurorisë, Gjykata e Faktit e ka dënuar me 20 vjet heqje lirie në mungesë. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai ka qëndruar i fshehur në malet e Mirditës, pikërisht në tokat e vjetra të familjes së tij në Qafë-Mollë të Mirditës. Pas informacioneve që kishin marrë në lidhje me vendndodhjen e tij, policia, të enjten në 04.00 ka bërë rrethimin e kullës së tij, e cila ishte krejtësisht e blinduar me kangjella. Për dy orë, ai nuk ka pranuar të dorëzohet dhe ka qëlluar me breshëri të gjata ndaj policisë. Më pas ka marrë një shishe rakie dhe ka nisur të dialogojë me policët përse nuk dorëzohej dhe vazhdonte të shtinte. Madje, sipas policisë, ai tentoi të vriste dhe veten. Në këto kushte, policët kanë ndërruar taktikë dhe kanë nisur të bëjnë një bisedë shoqërore, duke i kërkuar që të pijnë raki. E ndërkohë që pinin së bashku, ai nga brenda ata nga jashtë, madje duke e habitur, duke i kërkuar dhe pak djathë, orët kanë kaluar. I dehur krejtësisht, por me armë në dorë, ai vazhdonte të bisedonte me forcat e policisë, ndërkohë që këto të fundit kanë mundur të presin kangjellat dhe të hyjnë brenda në shtëpi, ku i kanë vënë prangat, rreth orës 12.30.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Kthjellime në të gjithë territorin, si parashikohet moti sot