Në Shoshan, te Lazarati i Veriut

TROPOJE (5/11/2000) Kreshta e Shkëlzenit është e mbuluar nga re të bardha, ndërsa në Bajram Curri një erë e ftohtë të bën prezantimin e parë me qytetin më verior të vendit. Ora nuk është më shumë se 13.00 e mesdrekës dhe nëpër rrugë ka pak kalimtarë, ndërsa policët është vështirë të të bien në sy. Një djalë i ri, jo më shumë se 18 vjeç, që punon kamarier në një lokal aty pranë, thotë se "policët e specialët duken shumë rrallë, qysh kur është vrarë oficeri i Briskut në Shoshan". Ecim drejt vendit ku qëndrojnë të parkuara disa autovetura, që kanë përsipër shenjën Taksi. Bisedojmë me radhë, me të pestë shoferët që ndodhen aty, por, sapo marrin vesh që duam të shkojmë në Shoshan, dhe për më tepër kur mësojnë se kanë përpara gazetarë, refuzojnë në mënyrë absolute. Nuk i josh asnjë lloj pazari apo shume parash që mund t'u ofrosh, edhe pse Shoshani është vetëm 6 kilometër nga Bajram Curri. Njëri prej tyre thotë se, "nëse ke ndonjë të njohur apo të pret kush, bujrum hajde të shkojmë, ndryshe nuk lëviz nga vendi sado të më japësh...atje kam frikë të shkoj". Një ditë më pas kryekomunari i Margegajt, Rexh Biberaj, tregohet shumë i gatshëm për të na ndihmuar të shkojmë drejt fshatit "rebel", madje dhe shumë më larg në Dragobi, aty ku ka nisur ngjarja me forcat speciale të Brisku-t. Ai është njeri i PD-së e kushdo që mund të jetë në shoqërinë e tij e ka të lehtë për të hyrë në fshat. Udhëtimi Shoferi i fuoristradës, me të cilën udhëtojmë, është Mehmet Dollapi, vëllai i personazhit të njohur për ngjarjet e 14 shtatorit në Tiranë, Dem Dollapi. Mehmeti është një energjik, shumë i sigurt në veprimet që bën, por irritohet shpejt sapo sheh se rrugën ia presin policë apo forca speciale. Në dalje të Bajram Currit, aty ku unaza e qytetit pritet me rrugën që të çon për Shoshan shohim për herë të parë forcat speciale. Janë afro 10 vetë, dy civilë që duhet të jenë policë vendas dhe 8 të tjerë të veshura me uniforma ngjyrë gri e me maska në kokë, të shpërndarë në pozicione luftimi. Mehmeti ul shpejtësinë e makinës dhe ndalon duke na dhënë mundësinë të bëjmë një foto. Por ai që duket si më i rëndësishmi mes njerzve të postbllokut e kundërshton në mënyrë kategorike një gjë të tillë. Rruga për më tej nuk është e keqe. Mbi çakull makina ecën fare mirë dhe pamja nga të dy anët është e magjishme. Sapo hyjmë në fshatin Koçanaj, Hysni Dollapi kushëri i parë i shoferit tregon me gisht zonën ku shtrihet fshati Shoshan. Shoshani Fshati Shoshan është një ndër më të mëdhenjtë në Tropojë. Rexh Biberaj na thotë se ka një mijë banorë, por nuk ka tokë as për të mbajtur një dhi të vetme. Shoshani ka një shtrirje të madhe, duke filluar qysh nga gryka e Valbonës e deri në afërsi të fshatit Cernicë, me të cilin e ndan lumi. Banesat janë kryesisht në formën e kullave karakteristike të veriut, dykatëshe, me dritare shumë të vogla dhe me ndonjë pemë të rrallë aty pranë. Por ka edhe shumë shtëpi njëkatëshe. Vetëm diku pranë rrugës shohim se sapo janë ngritur muret me tulla të kuqe të të vetmes shtëpi të re, e cila nuk është ndërtuar si të tjerat me gurë. Qenia shumë pranë Grykës së Valbonës dhe masivi malor menjëherë që ngrihet pas shpinës së fshatit e kanë kthyer Shoshanin në një fortifikatë. Mehmeti thotë se në Shoshan janë të gjithë demokratë dhe shteti është duke u rënë në qafë vetëm pse ata janë antikomunistë të betuar. Të rinjtë Teksa i afrohemi fshatit, nxjerr aparatin për të fotografuar një kullë dykatëshe me një çati shumë të pjerrët. Por, sapo ndalon makina dhe dal jashtë për të fiksuar aparatin, njëri nga bashkudhëtarët me thotë "ule poshtë atë, këtu jemi si në Padesh (postë kufitare, ku mund të gjeje vdekjen në çdo moment nga snajperistët serb gjatë luftës në Kosovë)". Rexha, kryetari i komunës, tregon me dorë nëpër disa vënde të ngritura ku qëndrojnë grupe të rinjsh me 4-5 veta dhe duken tytat e disa lloje armësh. "Janë organizuar në grupe rojesh të armatosur për t'u ruajtur nga ndonjë sulm i papritur i forcave speciale", thotë njëri nga bashkudhëtarët. Nga grupi shkëputen dy veta, të cilët vijnë drejt nesh, me sa duket, për të identifikuar udhëtarët. Janë tepër të rinj dhe flasin me mllef për policinë dhe Kryeministrin Meta, të cilin e quajnë provokator dhe përgjegjësin kryesor për trazirat e ditëve të fundit në Tropojë. Në grupin e 7 të dënuarve nga gjykata e Kukësit për ngjarjet në Tropojë janë dy të rinj nga Shoshani, ndërsa Prokuroria ka nxjerrë urdhër-arresti edhe për pesë të tjerë. Por djemtë e Shoshanit të thonë se pas ngjarjes së fundit kanë frikë se çdo i ri i fshatit që mund të dalë në qytet do arrestohet nga policia si kriminel. Lazarati i Veriut Grupet e të rinjve të armatosur që qëndrojnë roje në pikat dominuese të fshatit, mllefi i hapur ndaj policisë dhe forca e munguar e kësaj të fundit për të marrë nën kontroll situatën në këtë fshat, e kanë kthyer Shoshanin në një Lazarat të Veriut. Policia dhe specialët në Tropojë duket se kanë thuajse të pamundur të hyjnë në këtë fshat për të kapur ata që quhen element i kërkuar. Ngjarja e fundit, ku u vra oficeri i Briskut dhe arrestimi i disa të rinjve nga ky fshat, e ka acaruar së tepërmi situatën, ndërsa djemtë e Shoshanit thonë se janë të vendosur për të mos lejuar futjen e forcave speciale në fshat, madje nëse një gjë e tillë do tentohet, atëherë ata do t'u përgjigjen me armë. Poshtë një shtëpie të re që është duke u ndërtuar, në krahun e djathtë të rrugës që të çon për Bajram Curri, duken copat e xhamave të thyer nga furgoni i Briskut. Rexh Biberaj tregon se pikërisht aty furgoni i Briskut është sulmuar me gurë e mjete rrethanore nga burra, gra e fëmijë të fshatit. Por, sipas tij, njëri prej specialëve ka thënë se kishin një oficer të plagosur në makinë dhe nuk kishin punë me fshatin. Pas kësaj një plak i vjetër u ka kërkuar bashkëfshatarëve t'i hapin rrugë furgonit dhe t'i linin të lirë specialët e Briskut, që edhe sipas vet fshatarëve nuk kanë qëlluar asnjëherë me armë. Biberajt Disa metra larg rrugës duken kullat e Biberajve, mjaft të dëgjuar në ngjarjet e fundit. Fshatarët që pyetëm thonë se Biberajt janë një fis i madh, shumë i dëgjuar për trimëri, dhe të njohur si antikomunistë të vendosur. Pikërisht për një gjë të tillë pretendohet se policia dhe shteti është duke i luftuar Biberajt, duke arrestuar komandantin e postës kufitare të Çeremit, Naim Biberaj e duke shpallur në kërkim disa djem të fisit. Në Shoshan të thonë me krenari se nga ky fis është edhe Elez Biberaj, drejtori i seksionit shqip të radios Zëri i Amerikës. Por korifeu dhe kryetrimi i Shoshanit mbahet kryetari i lidhjes së famshme të Pejës, Haxhi Zek Biberaj, i njohur në histori si Haxhi Zeka. Kur në bisedë e sipër djemtë e Shoshanit kujtojnë Haxhi Zekën duket se u shtohet edhe më tepër krenaria për të kundërshtuar atë që ata e quajnë dhunë shtetërore nga forcat speciale e policia. Ardhjen e specialëve në Shoshan ata e quajnë një provokim të rëndë dhe nuk mund të pranojnë që në kullat e tyre të hedhin armët e të dorëzohen me duart lart. Teksa largohemi nga Shoshani, fshati të cilin policia mund ta shohë vetëm me dylbi nga komisariati i Bajram Currit, sheh grykat e armëve që i janë drejtuar rrugës që të lidh me Bajram Currin.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim