"Ndoshta shqiptarë mes viktimave"

(9/12/2001)Mes mijëra viktimave që kanë mbetur nën rrënojat e Manhatenit, mund të ketë dhe shqiptarë. Në Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë punojnë dhe shqiptarë. "Shkoj me shpresën se nuk kanë qenë në punë në kohën kur ka ndodhur tragjedia", tha në një intervistë për Gazetën, ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Fatos Tarifa. Vetëm gjysmë ore pasi ka përfunduar seriali terrorist me avionë të rrëmbyer, Tarifa rrëfen se çfarë ndodh në Ambasadën Shqiptare në Uashigton, vetëm 5-6 milje larg nga Pentagoni, prej nga shikonte tymin që dilte nga godina e rrënuar. A keni ndonjë informacion paraprak që mes viktimave të ketë dhe shqiptarë? Eshtë ende e pamundur për të pasur një informacion të tillë. Askush nuk e di numrin e saktë të viktimave dhe identitetin e tyre. Megjithatë unë kam frikë se mes viktimave duhet të ketë pasur dhe shqiptarë. Jam në dijeni se shumë shqiptarë punojnë në dy Kullat Binjake. Shkoj me shpresën se ata nuk kanë qenë në punë kur kanë ndodhur sulmet. Po në Nju-Jork ka një komunitet shumë të madh shqiptarësh, të krijuar vitet e fundit. Cilat janë kontaktet që keni pasur me zyrtarë amerikanë pas këtyre incidenteve? Zyrtarë të Departamentit të Shtetit na kanë telefonuar për të na siguruar se shërbimet e tyre nuk kanë asnjë të dhënë që seria e sulmeve të jetë drejtuar dhe ndaj përfaqësuesve të trupit diplomatik. Si po e përcillni ngjarjen? Personeli i Ambasadës është në një gjendje të vështirë, thuajse nën një shok psikologjik. Jemi mbledhur të gjithë këtu në selinë tonë dhe po informohemi çdo çast përmes kanaleve televizive që janë duke transemtuar direkt. Uashigtoni është një gjendje kaosi. Dëgjojmë vetëm sirena dhe në rrugë shikohen njerëz që vrapojnë në panik. Nga dritaret e Ambasadës shikojmë tymin që del nga Pentagoni. Eshtë fare afër selisë sonë, vetëm 5-6 milje larg. Gjithçka është bllokuar. Janë mbyllur të gjitha institucionet kryesore të Shteteve të Bashkuara. Telefonat celularë nuk funksionojnë Aero portet dhe urat janë mbyllur. Eshtë një gjendje e papërshkrueshme. A keni kontaktuar gjatë kësaj kohe me shqiptarë? Telefonat nuk rreshtin për asnjë çast. Nga Tirana na telefojnë të afërm të emigrantëve që banojnë në Uashtigton. Kërkojnë të dinë diçka për fatin e të afërmve të tyre. Jemi lidhur dhe me kolegët tanë të misionit shqiptar pranë OKB-së, në Nju Jork. Ata gjithashtu janë në një gjendje shoku. Kur mund të mësohet nëse ka apo jo shqiptarë mes viktimave? Nuk e di. Askush nuk e di se sa kohë do të duhet për të identifikuar ata që ndodheshin në vendet e tragjedisë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim