Nisën shkarkimet në polici, ikin 2 të parët

DURRES (7/12/2000) Valë shkarkimesh në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Dje iu është komunikuar lirimi nga detyra shefit të policisë së Portit Detar, Rasim Balla, si dhe është lëvizur nga komisariati i Durrësit shefi i tij Agron Ahmetaj. Sipas krerëve të Policisë së Durrësit, Balla është liruar nga radhët e policisë, uniformën e të cilës e kishte veshur tre muaj më parë. Motivacionet Motivacioni i lirimit nga detyra dhe nga radhët e policisë ka qenë mospërputhja e arsimit të tij në raport me vendin e punës, të cilin ai ka mbajtur gjatë kësaj periudhe. Balla ka mbaruar studimet në Akademinë e Forcave Tokësore "Skënderbej", ndërkohë që vendi i punës kërkonte oficer me shkollën e Akademisë së Rendit. Në këto kushte, Ministria do të caktojë një tjetër person në detyrën e shefit të Portit, e konsideruar si një nga pikat më nevralgjike. Kjo për shkak se atje kryqëzohen të gjitha rrugët ku kalojnë klandestinë dhe drogë. Pikërisht atje bëhet edhe kontrabanda më e madhe me mallra të të gjitha llojeve. Ministria ende nuk ka bërë të ditur emrin e personit që do të zëvendësojë Ballën. Ndërsa, për sa i përket lëvizjes së shefit të komisariatit Agron Ahmetaj, në shkresën shoqëruese thuhet se ai qarkullon për nevoja të Ministrisë së Rendit për të përmirësuar punën në një tjetër drejtim si është komisariati i Delvinës, që është edhe detyra e re e tij. Detyrën në Durrës ai e kishte marrë vitin e kaluar, kur zëvendësoi Gjovalin Lokën, i cili u transferua në komisariatin e Lezhës e më pas në Tiranë. Masat Drejtori i Policisë, Albert Pilo, sqaroi për "Gazetën" se "këto masa po merren nga ana e dikasterit të Gjonit, në kuadrin e përsosjes së mëtejshme të punës në efektivat jo vetëm të policisë së Durrësit, por edhe në mjaft komisariate të vendit". Ditët e ardhshme, sipas tij, do të ketë lëvizje edhe në disa sektorë të tjerë, sipas një bisede që ka pasur me drejtues të Ministrisë së Rendit. Duket se ndryshime do të ketë në policinë e qarkullimit rrugor, e cila ndoshta është pjesa më e dobët në funksionimin e Drejtorisë së Policisë të Durrësit. Po kështu pritet që të ketë lëvizje edhe brenda për brenda strukturave, pasi, siç shtoi Pilo, "tashmë efektivat e kësaj policie kanë nisur punën për goditjen e krimit të organizuar si dhe janë të përfshira në aksionin e madh në goditjen e trafiqeve në bashkëpunim me homologët italianë e ata grekë". Precedentet Gjatë 9 viteve të fundit në Port janë ndryshuar 10 shefa policie. Sipas ekspertëve të policisë, kjo lidhet me vetë problematikën që mbulon ky sektor në Policinë e Durrësit. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur edhe ndryshime të tjera në policinë e Portit, pasi vetëm 2 muaj më parë janë lëvizur edhe një numër jo i pakët i kontrollorëve të kufirit. Kjo për shkak se nga ekipe të ndryshme si të Ministrisë ashtu edhe nga Drejtoria e Policisë së Durrësit janë zbuluar shkelje të ndryshme në sektorë të uniformave blu të Portit. Në fakt vihet re një përmirësim i punës për sa i përket bllokimit të trafikut të klandestinëve, por duket se ende punët nuk janë ngjitur dot në pikën e bllokimit të tyre.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë