Plumba ndaj Hamdi Haklajt

TROPOJE (5/10/2001) Atentat "padrinos" së fisit më të njohur në Tropojë, Hamdi Haklajt. Lajmi i bujshëm ka mbërritur në redaksinë e "Gazeta Shqiptare" nga burime të sigurta në Bajram Curri dhe është konfirmuar më pas nga Ministria e Rendit Publik. Tentativa për të ekzekutuar të fundmin e Haklajve, është bërë 2 javë më përpara gjatë varrimit të një të riu të vrarë, në fshatin Lekbibaj. Edhe pse 52-vjeçari që ka futur në dhe' brenda 3 viteve të fundit 4 vëllezërit e tij më të vegjël, është plagosur rëndë; tani ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja është mbajtur "top sekret" jo vetëm nga fisi famëmadh i Kërnajës dhe personat që kanë dijeni për të, por edhe nga Policia e Tropojës. Duket se njerëzit që kanë realizuar sistematikisht ekzekutime të sofistikuara ndaj meshkujve të kësaj familjeje, janë të betuar që ta zhdukin atë përfundimisht. Atentati Haklajt kanë kohë që nuk çuditen më për çfarëdo që t'u ndodhë. Ata tashmë e dinë kush i vret dhe madje, siç thotë edhe plaku i kullës Muharremi,"dimë edhe kush i urdhëron dhe i paguan hasmit tanë". Të katër djemtë e kësaj familjeje, Shkëlqimi, Halili, Fatmiri dhe Ylli, janë ekzekutuar në një periudhë të shkurtër në mënyrat më të sofis-tikuara, të cilat edhe mafia ndërkombëtare do t'i kishte zili. Mina me telekomadë, tritol dhe snajper, të përdorura nga komando profesionistësh, janë përdorur nga armiqtë e tyre për t'i shfarosur përfundimisht. Të njëjtëit njerëz të veshur me rroba ushtarake, dhe të maskuar, kanë qëlluar mbi Hamdi Haklajn, 2 javë më përpara gjatë varrimit të një të riu, mik i familjes së tij. Sipas burimeve që dhanë lajmin, pak minuta përpara se të mbaronte cermonia mortore, 4 persona të armatosur rëndë dhe të mbuluar me maska të zeza, nga një largësi prej 100 metrash, të fshehur në një kodër afër varrezave të fshatit Lekbibaj, kanë hapur pa pushim zjarr mbi Hamdiun në momentin që ai ishte shkëputur disi nga turma e njerëzve. Edhe pse "truri" i Haklajve është plagosur rëndë, fati i tij, por edhe largësia e madhe nga u qëllua, kanë bërë që ai t'i shpëtojë vdekjes së sigurt. Edhe pse njerëz të armatosur kanë ndjekur komandot misterioze, duke qëlluar pa pushim, "ata", ashtu si edhe herë të tjera, janë zhdukur. Hamdiu Hamdi Haklaj, njëri nga njerëzit më të respektuar në Tropojë, ish-kryeveteriner i rrethit dhe ish-kryetar kooperative, vazhdon të mjekohet në kullën e tij në Kërnajë. Një prej mjekëve më të mirë të Bajram Currit i ka dhënë mjekimet e para dhe është kujdesur më pas sistematikisht për tre plagët e tij në bark dhe në këmbë. Ndërkohë në kullat e Haklajve (të cilat, menjëherë pas vrasjes së Fatmirit, më shumë se 1 vit më parë, janë rrethuar nga një mur i lartë 5 metrash, që rrethon më shumë se 1000 metra katrorë) janë rishfaqur njerëz të armatosur që ruajnë në katër kullat e vrojtimit 24 orë rresht. Tani ata e dinë se, ashtu siç ka ndodhur në qershor të vitit 2000, 2 muaj më pas, më 13 shtator dhe në 3 dhjetor të po atij viti, kur u vra më i vogli i vëllezërve të famshëm, Ylli, "Komandot", përsëri do t'i sulmojnë. Këtë herë duket se kanë vendosur që, jo vetëm të vetëmbrohen, por edhe të kundërveprojnë. Sipas Muharremit, bacës së kësaj familjeje, e cila aktualisht ka shumë hasëm të deklaruar, por edhe misterozë, "ne i dimë ata që na sulmojnë. Shteti nuk veproi asnjëherë, tani...".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim