Pranga djalit të Sali Lushës

(1/12/2000)Forcat speciale ndaluan dje në Tropojë djalin e Sali Lushës, Renea Lusha, pasi ishte shpallur në kërkim nga njëri prej komisariateve të policisë së Tiranës. Po dje janë ndaluar edhe 10 persona të tjerë, mes të cilëve dy anëtarë të kryesisë së PD-së së Tropojës dhe 4 persona të plagosur që ndodheshin në spitalin e qytetit. Helikopterët e Ministrisë së Rendit e kanë bërë disa herë rrugën Tiranë - Bajram Curri e kthim duke transportuar të gjithë personat e prangosur me përjashtim të sekretarit të degës lokale të PD-së Agim Demiri, i cili është liruar në orët e mbrëmjes. Nëndrejtori i Policisë së Kukësit Shyqyri Gjoshi, që ndodhet në Tropojë prej gati dy muajsh ka deklaruar se "policia është e vendosur për zbatimin e ligjit dhe do të vazhdojë punën e saj për evidentimin dhe ndalimin e personave që kanë sulmuar komisariatin e Bajram Currit. Situata në qytet është e qetë, ndërsa policia lokale bashkë me forcat speciale ka nën kontroll të plotë qytetin". Gjatë ditës së djeshme janë kontrolluar mbi 20 banesa të personave të dyshuar për implikim në ngjarjen e së martës, ku janë gjetur armë automatike dhe pistoleta. Armët e kapura do të çohen për ekspertizë për tu provuar nëse janë përdorur gjatë sulmit mbi policinë ose jo. Arrestimi Një postbllok i ngritur nga forcat speciale në qytetin e Bajram Currit ka ndaluar Renea Lushën, djalin e të njohurit Sali Lusha dhe të afërmin e tij Luan Lusha. Sipas drejtuesve të policisë lokale, dy Lushajt janë ndaluar gjatë një kontrolli rutinë dhe kur është kërkuar identiteti i tyre, specialët kanë mësuar se me kë kanë të bëjnë. Menjëherë është bërë ndalimi i Reneas dhe Luan Lushës, pasi ata kërkohen nga njëri prej komisariateve të Tiranës në lidhje me pjesmarrjen në mitingjet e paligjshme dhe të dhunshme të PD-së në kryeqytet. Pak çaste më vonë të dy Lushajt janë dërguar me helikopter në qelitë e paraburgimit në Tiranë. Sipas të afërmve të Sali Lushës në qytetin e Bajram Currit, thuhet se "Renea ka ardhur ditën e mërkurë në Tropojë nga Tirana për të marrë pjesë në varrimin e xhaxhait të tij të vrarë Syl Lusha. Sot ata janë nisur në mëngjes nga shtëpia, ku ndodhen gjyshërit e Reneas në Babinë, sëbashku me Luanin për të marrë ushqime në qytetin e Bajram Currit dhe do të ktheheshin serisht në fshat. Të dy djemtë janë kapur nga policia pa bërë asgjë dhe më pas nuk dihet ku i kanë çuar". Specialët Trupat speciale të reparteve RENEA, 711 dhe të FNSH-ve të rretheve kanë kryer operacione të shumta qysh në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Janë kapur 10 persona të akuzuar për sulmin mbi komisariatin e policisë së Tropojës, mes tyre ka patur edhe katër të plagosur që kanë qenë të shtruar në spitalin e Bajram Currit. Në pranga janë vënë Agim Demiri, sekretar i PD-së së Bajram Currit, i cili u kap për të tretën herë rresht, por më pas u la i lirë në orët e mbrëmjes. Ndërkohë që të gjithë personat e tjerë të ndaluar Avni Ahmetaj, Petrit Zenuni, Hasan Sadiku, Leonard Llugaj, Bledar Vatoci dhe Riza Hasanpapa janë transportuar me helikopter në Tiranë. Po dje është lëshuar urdhër arresti për Hasan Dushin që ndodhet i shtruar në spitalin ushtarak në Tiranë. Azgan Haklaj tha se "Avni Ahmetaj është anëtarë i kryesisë së PD-së për Tropojën. Ahmetaj është një nga themeluesit e PD-së në Tropojë dhe ka qenë kryetar i komunës së Bytyçit". PD-ja lokale i ka cilësuar arrestimet e djeshme si vazhdë e dhunës shtetërore të ushtruar ndaj militantëve demokrat në Tropojë. Policia Nga dëshmitë që kanë dhënë policët e komisariatit të Bajram Currit ka rezultuar se ditën e martë është qëlluar në drejtim të tyre me armë automatike, të llojeve të ndryshme, madje pretendohet se është qëlluar edhe me snajper e armë kundërtanke. Shefi i policisë Ali Gjoni dhe nëndrejtori i policisë së Kukësit, Shyqyri Gjoshi i kanë vënë në dispozicion prokurorisë jo vetëm raportet e shërbimet por edhe një mitroloz të lehtë të kapur në hyrje të komisariatit dhe afro 600 gëzhoja armësh të ndryshme. Gjatë ditës së djeshme njëri prej specialëve është shtruar në spitalin e Bajram Currit, por mjekët aty nuk e kanë marrë përsipër operacionin kështu që është kërkuar helikopteri për ta dërguar në Tiranë. Në momentin që helikopteri i Ministrisë së Rendit ka mbërritur në Bajram Curri për të marrë personat e arrestuar, i është ndryshuar destinacioni. Në vend të kërkuarëve me helikopter është transportuar speciali dhe një fëmijë i vogël nga Tropoja, i cili ishte në gjëndje të rëndë dhe iu ofrua ndihmë nga policia.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë