"Prishni kioskat pa leje jo kënde lojërash"

TIRANE (8/14/2001) Sipërfaqet e gjelbra dhe këndet e lojërave për fëmijë zhduken duke u kthyer në pube. Në fund të rrugës "Myslym Shyri", në kryqëzim me Unazën, pronari i lokalit "Chianti" ka ndërtuar një kënd lojërash për fëmijë me gjelbërim përreth. Por duket se ky ambient çlodhës për banorët e lagjes e klientët do të kthehet në një pub nate. Në këtë rrugë sapo ka filluar projekti i përbashkët mes Bashkisë e komunitetit tregtar për rikonstruksionin e plotë. Në takimet e zhvilluara mes dy palëve u kërkuan lehtësi nga ana e tregtarëve. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, pronari i lokalit "Chianti", Isa Ahmetaj, u ka kërkuar bashkiakëve lejen e shfrytëzimit për kënd lojërash e, pas kësaj, ai do të bënte derdhjen e kontributit të tij në Ndërmarrjen e Tregjeve e Taksave. Pas përgatitjes së kërkesës dhe dorëzimit të dokumenteve në Bashki, Ahmetaj priste miratimin e kërkesës së tij, vendim i cili pritej të merrej ditën e hënë, më 13 gusht. Por para katër ditësh në këtë lokal është paraqitur një djalë i ri, i panjohur, i cili ka urdhëruar pronarin e barit, Isa Ahmetaj, të heqë këndin e lojërave, duke i shpjeguar se do të ndërtonte një godinë të re. Menjëherë pas ardhjes së tij, në këtë lokal janë paraqitur inspektorët e Policisë Ndërtimore të cilët kanë bërë një procesverbal konstatues mbi këtë kënd lojërash. "Unë ndodhesha në Bashki në pritje të miratimit për lejen e shfrytëzimit, ndërkohë që më lajmëruan në telefon se Policia Ndërtimore kish ardhur për të prishur këndin e lojërave", thotë Ahmetaj, duke shtuar se i takoi dy inspektorët e i shpjegoi se priste një miratim leje në Bashki. Bashkë me të dy pronari i lokalit është drejtuar për në Bashki, për të vërtetuar dokumentacionin që priste miratim. "Drejtori i Urbanistikës ligjore, Alban Eftimi, firmosi lejen time për shfrytëzim, por, ndërkohë që Rama pritej të vinte firmën e tij, një telefonatë nga lart ka bërë që leja të mos jepej", vijon Ahmetaj, duke shtuar se dy inspektorët e Ndërtimores prisnin te dera e Ramës për të marrë mosmiratimin e lejes së shfrytëzimit. Ndërkohë inspektorët e Ndërtimores i kanë dhënë afat deri sot në mëngjes pronarit të heqë lojërat prej andej. Ky kënd lojërash është i shfrytëzuar jo vetëm nga klientët e lokalit, por edhe nga fëmijët e banorëve të lagjes. "Më mirë të më heqin karriget dhe tryezat, sesa të prishin këndet e lojërave. Tirana ka shumë ndërtime mermeri, por jo sipërfaqe të gjelbra e për këtë më vjen keq që po e prishin", thotë sërish Ahmetaj. "I drejtohem të nderuarit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe drejtorit të Policisë Ndërtimore, Mit'hat Havari, të vijnë e të shohin në vend se ky kënd lojërash nuk cenon aspak kondicionet urbanistike, por lojërat janë në shërbim të gjithë banorëve të lagjes, të cilët nuk paguajnë asgjë për argëtimin e fëmijëve të tyre. Drejtuesit e Tiranës e të shtetit të mos shprehen se po prishin ndërtimet e betonta pa leje, por kënde lojërash për fëmijët kryeqytetas", deklaron pronari i lokalit, Isa Ahmetaj.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë