Pse u vendosën Skurajt në stemë

TIRANE (17/11/2000) Bashkia e Tiranës filloi të përdorë stemën menjëherë pas miratimit në Këshillin Bashkiak. Urdhri i dalë dje, nga dyert e institucionit, ka pasur në krye simbolin. Në Shqipëri ekzistojnë 4 stema të ruajtura, njëra prej të cilave është përdorur nga bashkiakët e rinj. Një ndërthurje e historisë mesjetare me postmesjetare të kryeqytetit, që i përmbahet kritereve heraldike, është e para e këtij lloji në të gjithë vendin. Gjetja Me të ardhur bashkiakët e rinj, menduan që Tirana kishte nevojë për një stemë të vërtetë, që i plotëson kriteret e heraldikës. Në Muzeun Historik Kombëtar është e ruajtur stema e familjes së Skurajve, që ka sunduar në shekujt 13-15, në zonën e Shqipërisë së Mesme e disa degëzime të tjera në Veri të vendit. Një ujk i bardhë, zambak i artë dhe fusha blu, ku janë vendosur, tregon marrëdhëniet e familjes së Skurajve me anzhuinët e Napolit, ndërsa shiriti i kuq me dy yje të bardhë me 8 cepa tregon lidhjet martesore të sundimtarëve me Balshajt. Stema është gjetur shekullin e kaluar dhe tashmë ndodhet në Muzeun Historik. Artan Lame, zëvendëskryebashkiaku i Tiranës, tregon se stema është një vlerë historike dhe duhej domosdoshmërisht. Sipas Lames, ish-stema paraardhëse nuk mund të quhet vërtet një stemë. "Heraldika përcakton qartë modelin e stemës. Ajo që ka qenë më parë mund të quhej një medalion. Në heraldikë simbolet kombëtare si shqiponja nuk përdoren" - thotë Lame. Nuanca kombëtare Gjysma e stemës është blu me ujkun e bardhë e elementet e tjerë, ndërsa pjesa tjetër është e kuqe, me kullën e sahatit që është e bardhë. Sahati i Tiranës një nga elementët karakteristik të qytetit, me vlera historike është vendosur në fushën e kuqe që është nuanca kombëtare. Sipas Artan Lames, edhe kulla e sahatit është bërë në përputhje me ligjet e heraldikës. Për miratimin e stemës së re të Bashkisë ka pasur shumë kontestime nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, për ngjyrat e stemës. Por, pas shpjegimeve të bëra nga specialistë të kësaj fushe, ata u bindën që në heraldikë nuk mund të ndryshosh figurat, ngjyrat apo modelet që përcaktohen në ligjet e kësaj shkence. Në flamurin e Bashkisë kryeqytetase është vendosur ngjyra, që do të jetë bojëqielli dhe përmasat do të jenë normale. Varri i përbashkët Familja e Skurajve, sundimtare e një pjese të konsiderueshme të vendit, u bë objekti i stemës së re të Bashkisë. Rreth viteve '80 në një fshat pranë Tiranës, në Brar, u gjet një varr i përbashkët i familjarëve. Guri i Varrit, për Lamen, nëse nuk do të ishte stema e tyre, mund të përdorej shumë mirë për simbolin e një qyteti. Për zëvendëskryebashkiakun Artan Lame të gjithë qytetet, bashkitë e komunat duhet të kenë një stemë të vetën. Lidhur me këtë po hartohet një ligj nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë për mënyrën e ndërtimit të stemave dhe përdorimin e simboleve. Në të gjithë vendet e huaja stema e një bashkie dallon nga stema e një komune e gjithkush e kupton menjëherë këtë duke parë stemën. Eshtë menduar që edhe në vendin tonë të realizohet një gjë e tillë. Pika që bën dallimin mes tyre është kurora e vendosur sipër stemës. Bashkitë do të kenë tri kullat e vendosura në kurorë, ndërsa komunat nuk do e kenë. Edhe pas miratimit nga Këshilli Bashkiak për stemën e re të Bashkisë, ka ende shumë diskutime në lidhje me të. Shumë njerëz nuk e kuptojnë shkencën e heraldikës e nuk pëlqejnë mënyrën e vendosjes, ndërsa të tjerë e quajnë të panevojshme. Komentet mbi stemën e Tiranës edhe pse vazhdojnë janë mbyllur nga miratimi dhe funksionimi i stemës së re. Tashmë përveç shkresave që do të dalin nga Bashkia që do të mbajnë stemën e re, të gjithë veshjet e punëtorëve të ndërmarrjeve që varen nga ky institucion do të kenë të stampuar stemën e re karakteristike.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim