Shijak, humbet Fatmira Hajdari

(4/17/2001)Kryesia e degës së PD-së në Shijak deklaron se Fatmira Hajdari nuk ka fituar numrin e mjaftueshëm të votave për të kandiduar në këtë qytet. Ndërkaq lista e dërguar prej tyre paraqet katër emra: Dardan Domi, Metali Deliallisi, Fiqiri Resuli dhe Bujar Gjuzeli. "Gjithmonë kemi votuar për kandidatë jashtë qytetit, ndërsa tani duam të votojmë për intelektualët dhe qytetarët tanë", -janë shprehur drejtues të kësaj dege. Kësisoj, pas sinjaleve optimiste që anëtarë të PD-së në Shijak i kanë dërguar bashkëshortes së Azemit, duke i kërkuar asaj kandidimin në këtë qytet, papritur ka mbërritur vendimi i kryesisë së degës, që e përjashton këtë mundësi. Historiku Gjatë historikut elektoral të dhjetëvjeçarit të fundit, në Shijak kanë fituar katër herë demokratët dhe një herë socialistët. Kështu, Azem Hajdari është shpallur deputet në vitin 1991 dhe më pas, Petrit Llaftiu, Skënder Doko dhe Petrit Bezhani. Ndërsa në vitin 1997 fitoi Alush Xhihani i Partisë Socialiste. Por aktualisht, drejtues të degës së PD-së në Shijak kanë deklaruar se do të votojnë për intelektualët dhe qytetarët e tyre. Ata gjithashtu theksuan se Fatmira Hajdari është propozuar në mbledhjen përkatëse, por, pas hedhjes në votë, nuk ka fituar numrin e mjaftueshëm për konkurrim. Për këtë arsye, sipas kryesisë së degës së Shijakut, emri i Fatmira Hajdarit nuk është dërguar në qendër për t'u konsultuar në mbledhjen e përgjithshme të Këshillit Kombëtar. Ndër të tjera, përfaqësues të kryesisë së degës së Partisë Demokratike në Shijak shprehën respektin maksimal për veprimtarinë politike të Fatmira Hajdarit, por nënvizuan se këtë herë do të kërkojnë të përfaqësohen nga qytetarët e tyre. Kontradikta Kontradikta e këtij vendimi qëndron pikërisht në ballafaqimin e drejtpërdrejtë të vetë Fatmira Hajdarit me qytetarë dhe anëtarë të thjeshtë të PD-së në këtë qytet. Gjatë këtyre ballafaqimeve ata i kanë kërkuar Fatmirës të kandidojë në Shijak, ku do të gjejë një mbështetje të gjerë. Përveç kësaj, dëshira e Fatmirës është që të përfaqësojë synimet dhe dëshirat e Azemit në Shijak. Por ky vendim i kryesisë rrezikon mun-dësinë e kandidimit, sepse emri i saj nuk është dërguar në qendër. Kjo pengon votimin ose diskutimin e mëtejshëm në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, i cili do të merret përgjithësisht me emrat e deleguara nga degët. Megjithatë, nuk është e pamundur që ky Këshill, gjatë diskutimeve të mëtejshme, të marrë në konsideratë kërkesën e Fatmirës për të debutuar pikërisht në zonat ku pati fituar më parë Azem Hajdari. Por, për zhvillime të mëtejshme pritet një konsultim i kryesisë në qendër, ku nuk mund të përjashtohet edhe përfaqësimi i saj në listat proporcionale.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Guardiola kërkon Donnarumman te Manchester City