Tropojë, Liri Berisha nuk fiton si kandidate

(4/15/2001)Liri Berisha nuk ka fituar të drejtën e kandidimit në Tropojë. Kryesia e degës së rrethit verior, pas votimit që i ka bërë kandidatëve të mundshëm për deputetë në Tropojë, nuk ka miratuar propozimin e njërit prej anëtarëve për kandidimin e bashkëshortes së kreut të PD-së. Pas votimit përfundimtar të anëtarëve të kryesisë, Liri Berisha ka rezultuar me dy vota pro. Ndërkaq, pas saj kanë mbetur emrat e njohur të disa drejtuesve të selisë blu, Besnik Mustafaj me një votë, Shaban Memia dhe deputeti aktual Xhevdet Mehmeti. Mbledhja Në mbledhjen e kryesisë së degës së Tropojës, si kandidat kryesor është propozuar emri i Sali Berishës, i cili është aprovuar njëzëri. Të pranishmit kanë theksuar se emri i Berishës nuk do të votohej, ngaqë të gjithë anëtarët e kryesisë u shprehën dakord. Përveç tij, emri i dytë që u propozua, ishte ai i Azgan Haklajt, i cili gjithashtu nuk u votua, por u miratua nga të gjithë. Më pas është propozuar emri i Besnik Mustafajt, i cili, pas votimit, rezultoi me një votë pro. Pothuajse shumica e anëtarëve të kryesisë së degës ishin kundër. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me propozimin për kandidatin aktual Xhevdet Mehmeti, i cili nuk u aprovua nga shumica e drejtuesve. Ndërkaq, njëri prej anëtarëve të kryesisë ka propozuar si kandidate të mundshme Liri Berishën, pa marrë konfirmimin e saj. Në bazë të procedurës, emri i bashkëshortes së kreut të PD-së, është hedhur për votim dhe ka fituar vetëm dy vota pro. Më pas, procedura ka vijuar me emra të tjerë, ku më shumë vota kanë fituar Mujë Buçpapaj, Aleksandër Biberaj, Astrit Margjika, etj. Për votim janë paraqitur edhe emra të tjerë si Besnik Gjongecaj, Hamit Aliaj, Byslim Ahmetaj, etj. Debutimi Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pasur shumë propozime nga degët, por ai ka parapëlqyer Kavajën. Me këtë rast Berisha i është larguar vendlindjes së tij, në një kohë që Besnik Mustafaj pritet të kandidojë në Tiranë. Edhe deputeti aktual, Xhevdet Mehmeti, i është larguar mundësisë së kandidimit, pas votimit të kryesisë së Degës. Ndërkaq, Liri Berisha nuk do të kandidojë në asnjë zonë, sepse nuk ka bërë ndonjëherë kërkesë për të hyrë në luftën elektorale. Gjithashtu, drejtuesit e tjerë të Partisë Demokratike, që nuk fituan në Tropojë, do të kandidojnë në Tiranë ose në zona të tjera të vendit. Fenomeni Ajo që bie në sy nga votimi në Tropojë, është fakti se shumë nga ish-deputetët ose drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike nuk janë miratuar si kandidatura të mundshme për legjislaturën e ardhshme. Kjo vihet re edhe në qytete të tjera si Kukësi apo Gjirokastra, ku Gjana apo Beja nuk kanë marrë miratimin me vota të mjaftueshme për të kandiduar. Madje kjo dukuri është shfaqur qartazi edhe në krahun e majtë të politikës shqiptare, ku shumë prej ish-deputetëve nuk janë miratuar prej degëve. Arsyeja në këtë rast nuk ka nevojë për analiza. Deputetët nuk e kanë bërë si duhet detyrën e tyre karshi elektoratit ose më saktë, ata nuk kanë zbatuar asnjërën prej premtimeve paraelektorale. Duke krijuar një barrikadë karshi mundësisë së rizgjedhjes, ky është ndofta hapi i parë i degëve për t'i dhënë një leksion deputetëve të ardhshëm. Kandidatët Përveç Azgan Haklajt, kandidatët më të mundshëm janë Buçpapaj, Margjika, i cili është edhe sekretar i degës, Biberaj, gjongecaj, etj. Vetë bashkëshortja e kryetarit të PD-së, Liri Berisha, aktualisht nuk ka shprehur ndonjë kërkesë publike për kandidim dhe rasti i votimit në Tropojë ishte iniciativë e drejtuesve të degës në atë zonë. Ashtu sikundër deri tani, bashkëshortja e Berishës do të vijojë profesionin e saj të pediatres, ku ndihet mjaft e sigurt. Por propozimi spontan i njërit prej krerëve të degës së Tropojës ka bërë para pak ditësh që emri i saj të votohet përkrah emrave të tjerë që do të kandidojnë nën siglën e koalicionit opozitar. Madje, sipas zhvillimeve, edhe në rast se do të votohej, është e vështirë të besohet se Liri Berisha do të mund ta ndërronte profesionin e saj të respektuar me rutinën e përditshme të politikës.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë