Unë, shqiptari në Manhaten

NEW YORK (9/13/2001) Nuk besoj të ketë shqiptarë mes viktimave - mesazhi vjen nga një shqiptar që ka parë të plotë skenën e tmerrshme në Manhatten. Violinisti Arenc Leka ka përshkruar për Gazeta gjithcka që ka parë duke rrëfyer edhe tmerrin që ka ekzistuar mes familjeve të shqiptarëve. Ai thotë se numri i tyre është i pakët te dy kullat gjigante dhe se ata punojnë zakonisht gjatë pasdites me punën e shërbimit kur mbaron orari zyrtar. Gjithsesi ende nuk ka asnjë shifër zyrtare të humbjeve Eshtë e pabesueshme që dy muaj më parë une dhe Eda Zari kishim koncert në katin e 106 të kullës nr.2. Eshtë e tmerrshme të shohësh njerëzit te cilët i japin fund jetës së tyre duke u hedhur nga kati 80 i këtij gjigandi. E ndjej veten të pafuqishëm që s'mu-nd të ndihmoj këta njerëz që kanë dalë në dritare dhe thërrasin për ndihmë. Dje para kullave Të gjithë dalin te trembur, duke qarë të shpërfytyruar. Eshtë një kaos që vetëm të bërtitura dhe sirena dëgjohen nga të katër anët. Nuk mund ta besoj se ç'farë ndjejmë. Na vjen për të qarë dhe mundohemi të bëjmë diçka por vetëm fjala "ik" sa më shpejt dëgjohet nga të katër anët. Fjala që dëgjoj më shumë është "Oh my God...". Nuk kam parë ndonjëherë kaq shumë njerëz në West Side sa sot me celularë të tërë nëpër duar duke dalë nga kullat. Pas pak dëgjohet një zhurmë e llahtarshëm dhe klithmat e njerëzve janë si në një stadium, ç'të shoh kulla e parë po fillon të shembet. Asnjëherë nuk mund ta besoja se kulla mund të shembej. Njerëzit janë histerike në këtë moment, të tërë qajnë kapin flokët thërrasin, bërtasin dikush më thotë që ka motrën që punon atje, dikush tjetër më thotë që kompania e tij ndodhej në katin e 72 e ç'të them më shumë. Pas pak shoh që flaka fillon të dalë jashë kullës tjetër që ka mbetur. Të paktën për këtë kishim një shpresë sepse vetëm pjesa e sipërme dukej e dëmtuar. Më në fund dëgjohet edhe një ulërimë katastrofike, kësaj rradhe edhe kulla e dytë ra. Nuk po i besoj syve. Vetëm pluhur dhe të tërë njerëzit duke ikur si të çmendur nga pluhuri. Pleq plaka të rinj me kostume pa kostume me çanta e pa çanta vrapojnë në West Side për t'iu larguar katastrofës. Jam i mbuluar në pluhur dhe nuk shoh më se nga shkoj. Fytyra më është bërë gri dhe vetëm qepallat janë i vetmi objekt identifikimi. U ktheva në shtëpi dhe mu desh të lahesha nga koka në këmbë. Nuk mund ta përshkruaj se sa keq ndihem tani. Mendohet se janë shumë njerëz brenda të vdekur. Shoh telefonin, janë 9 mesazhe nga të afërmit e mij. Nuk mund të bëj asnjë telefonatë sepse linjat nuk punojnë. Ndez televizorin, asnjë nga kanalet nuk punon sepse antena kryesore e qyteti ishte në kullën ku ne bëmë koncertin. Mundohem të përdor E-mailin është I vetmi mjet komunikimi me jashtë. Nuk e di se sa kohë do të marrë mesazhi im për të ardhur tek ju. Sidoqoftë unë jam mirë. Shpresoj që fotografitë që keni bërë tek te dy kullat t'ju kujtojnë madhështinë dhe krenarinë e të dy kullave të Manhatanit që tani nuk ekzistojnë më. Sot nga shtëpia Sot tërë ditën e kam kaluar përpara televizionit. Miqtë e mi duke e ditur që unë jetoj në Manhattan më kanë telefonuar jo vetëm nga qyteti, por edhe nga Evropa. Italia, Gjermania, Franca, Austria, Sllovenia. Eshtë për tu habitur se sa bashkëpunim i mirë ka qenë ndërmjat shqiptarëve. Sot e kam lënë të shkoj në kishë me miqtë e mij. Një shok i imi Ardi Çoçoli punonte në katin e nëntë të dy kullave Ai është OK. Edhe ai ishte në gjendje shoku. Shqiptarët janë duke dhënë ndihmë për qytetin duke dhënë gjak, e ndihma të ndryshme nëpërmjet kompanive të çilat kanë mjete ndërtimi. Nuk besoj te kete shume shqiptarë mes viktimave. Ndoshta edhe asnjë. Ata punojnë atje pas orës pesë të mbrëmjes deri në mesnatë. Ndërsa në zonën përqark ata nuk kanë ndonjë punë. Gjithsesi lajmet ende nuk dihen të sakta. Shpresojmë që të mos ketë asnjë mes tyre. Nata e mbrëmshme ishte një heshtje e vërtetë . Eshtë hera e parë që Manhattani e humbet zhurmën e zakonshme dhe bie në një heshtje varri. Më duket vetja se jam ende në një planet të shkatërruar. Asnjënjeri nuk pipëtin rrugët janë bosh vetëm shikohen dritat e ambulancave pa sirenat shurdhuese shikohen me qindra mjete transporti që shkojnë në drejtim të të dy kullave. Celulari bie në çdo çast duke e prishur qetësinë dhe ankthin që ka përshkuar të tërë qytetin. Të tëra restorantet dhe dyqanet janë mbyllur në shenjë zie. Sot në mëngjes shikohen vetëm policë nëpër rrugë dhe nga 14-ta trafiku është i bllokuar. Shumë institucione nuk punojne, edhe ndërmarrjet janë mbyllur. Të gjithë përpiqen të bëjnë bilancet duke nisur fillimisht nga familjarët e tyre e më pas tek miqtë e të afërmit. Ata ndoshta do t'i bëjnë shpjet hesapet, ndërsa numri total i viktimave vështirë që të dalë. Duhen lëvizur gjithë ato gërmadha.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim