Vrasja e Gjon Gjonajt zbulohen pista të reja

TIRANE (5/6/2001) Pistat e reja hetimore rrëzojnë "tabunë" e vetëvrasjes së mësuesit Gjon Gjonaj. Dosja "Gjonaj" kalon në duart e Njëshit të Prokurorisë Ushtarake, Aleksandër Goga. Një grup special prej pesë hetuesish do të vazhdojë hetimin për zbardhjen e së vërtetës për mësuesin laçian, ekzekutuar para disa muajve në një nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Rrëshenit. Rrjedhë e re për hetimet e çështjes "Gjonaj". Misteri tragjik merret përsipër të zbardhet nga vetë titullari i organit hetimor ushtarak, Aleksandër Goga, i cili kryeson një grup specialistësh prej pesë vetash (tre prokurorë dhe dy oficerë të Policisë Gjyqësore). Grupi në fjalë është ngritur një javë më parë. Kalimi i dosjes në duart e një grupi special (çështja më parë është ndjekur nga prokurori Viktor Thomai), është rrjedhojë e një presioni të fuqishëm nga ana e të afërmëve të viktimës Gjonaj. Ankesat me shkrim drejtuar Prokurorisë Ushtarake, Avokatit të Popullit dhe instancave të ndryshme shtetërore, e kanë detyruar institucionin në fjalë që ta marrë seriozisht zbardhjen e enigmës së ekzekutimit të shtetasit Gjonaj. Në letrat dërguar organit ushtarak të akuzës, pjestarët e familjes Gjonaj kanë dhënë versionet e tyre të detajuara në fakte për mundësinë e eliminimit të të afërmit të tyre. Mbështetur dhe në procedurë ligjore, specialistët ushtarakë, kanë nisur hetimet intensive në disa pista. Burime nga Pro-kuroria Ushtarake pohojnë, se dyshimeve të mëparshme për një realizim vrasjeje (megjithëse versioni kryesor mbetej ai i vetëvrasjes), i janë shtuar dhe dyshime të reja, të cilat janë rrjedhojë e veprimeve hetimore që po kryhen aktualisht. Sipas burimeve të mësipërme, versioni i vetëvrasjes nuk është më një tabu. Janë pistat e reja të hetimit, ato që rrezikojnë të nxjerrin jashtë "loje" siglën e vetëvrasjes. "Deri pak kohë më parë ne pothuajse ishim të bindur në versionin e vetëvrasjes, kjo nisur nga faktet që dispononim dhe nga përgjigjja e dhënë nga mjeko-ligjorët. Por tani gjërat kanë ndryshuar dhe nuk përbën aspak çudi që një version i dytë të rrëzojë të parin", pohon për Gazeta një hetues i akuzës. Aktualisht pistat e grupit hetimor përfshijnë dyshimet për një vrasje të Gjonajt gjatë rrugës për në Rrëshen, dhe për eliminim të mundshëm brenda komisariatit të këtij qyteti nga persona të interesuar për zhdukjen e tij. Po dje, grupi i prokurorëve, kryesuar nga krye-prokurori Goga i kanë bërë një "vizitë" të pandehurit Cup Ahmetaj, i cili është transferuar në spitalin e burgut të Tiranës.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë