Zgjohet në pranga, flinte me antitank

DURRES (13/8/2000) Aksionet blitc të policisë durrsake vënë në pranga dy të shumëkërkuar. Vetëm 24 orët e fundit uniformat blu në komisariatin e qytetit bregdetar, në dy aksione kanë prangosur dy të kër- kuar, të cilët cilësoheshin si persona me rrezikshmëri të madhe. Njëri prej të cilëve i dënuar në mungesë, ish-polic i efektivave të repartit 771 në Tiranë, ndërsa tjetri i shpallur në kërkim prej pak kohësh. Ditën e premte, rreth orës 19.00, është prangosur Artur Voci, 25 vjeç, lindur e banues në fshatin Karpen të komunës së Maminasit. Shefi i Komisariatit të Durrësit, nënkolonel Agron Ahmetaj, në një konferencë për shtyp, ka konfirmuar dje, se Arturi është ndaluar, pasi ka tentuar të vrasë ish-kolegun e tij Agron Nela. Në një aksion blitc, dhjetëra policë të Durrësit, në bazë të informacioneve në rrugë operative, kanë bërë të mundur ndalimin e 25-vjeçarit. Ai sapo ishte kthyer nga Italia, ku kishte qëndruar i fshehur disa kohë. Ndalimi i tij është bërë në shtëpi dhe në momentin e prangosjes, atij i është gjetur një pistoletë tip TT, me një plumb në gojë. Arturi është dënuar në mungesë nga Gjykata Ushtarake e Durrësit me 15 vjet heqje lirie në vitin 1998. Dy prej viteve kanë kaluar, ndërsa 13 të tjerat 25-vjeçari do t'i kalojë në qeli. Një tjetër aksion blitc i policisë durrsake është kryer dje në orët e para të mëngjesit. Indrit Dule, 25 vjeç, nga Durrësi është prangosur dje në orën 04.00 të mëngjesit, në shtëpinë e një të afërmi të tij. Ndalimi i tij, sipas shefit të komisariatit, është bërë, pasi, në bashkëpunim dhe me Artur Kazazin e Nikolin Bushin ai ka marrë peng tregtarin Namik Sadiku. Në momentin e ndalimit, poshtë krevatit të tij, në shtëpinë ku jetonte, janë gjetur një antitank me predhë të montuar, një predhë tjetër dhe një automatik tip "Kallashnikov". Kështu, dy shumë të kërkuar kanë përfunduar në pranga gjatë dy aksioneve të policisë. Blutë e Durrësit, prej shumë kohësh kanë bërë të mundur kapjen e shumë personave të kërkuar, si dhe janë gjetur, të shumtat e rasteve, në vendet e ngjarjeve kriminale. Para pak ditësh ata kanë ndaluar një 52-vjeçar, i cili shtyu të vetëvritet një vajzë 17-vjeçare, pasi e përdhunonte sistematikisht prej 7 muajsh. Gjithashtu, blutë e Durrësit, kanë kryer edhe dhjetëra prangosje të tjera të personave të inkriminuar. Madje, punën e tyre e ka përgëzuar edhe ministri i Rendit, Spartak Poçi, gjatë një takimi me krerët e Drejtorisë Rajonale.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë