Ndërsa në Gjenevë ka nisur raundi i tretë i negociatave indirekte mes SHBA dhe Iranit për programin bërthamor dhe në Gjirin Persik po shtohen lëvizjet ushtarake amerikane, ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo, thotë se situata po anon më shumë nga lufta sesa nga marrëveshja.
Në një intervistë në emisionin “Bota Report” në Report TV, ai thekson se realiteti sot është shumë më i ndërlikuar se në vitin 2003, kur SHBA sulmoi Irakun.
“Situata është komplekse sepse në atë kohë vendimi për të shkuar në luftë ishte më i lehtë për t’u marrë dhe më i justifikueshëm sepse ishin pjekur kushtet. Sot është shumë më e komplikuar sepse ka shumë vektorë të përfshirë në aspektin gjeopolitik. Edhe rusët edhe kinezët janë të interesuar që të shpërthejë një luftë aq sa amerikanët të dobësohen aq sa ata të mos jenë në telashe. Ndonëse një luftë e mundshme do të kishte pasoja shkatërrimtare për ekonominë kineze se mund të mbyllet Gjiri i Hormuzit. Aleatët e Amerikës në rajon, Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, janë të shqetësuar sepse në rast se do të shpërthente një luftë do të ishte katastrofike për ta”, shprehet ai.
Sipas Bimos, në qendër të kësaj përplasjeje qëndron president Donald Trump, i cili përballet me presione të forta të brendshme dhe të jashtme.
“Ajo që e bën më të komplikuar situatën është vetë presidenti Donald Trump që duket si ai boksieri që ka mbyllur veten në qoshe dhe po goditet nga të gjithë kundërshtarët. Në këtë zhvillim, Trump i ka të gjithë kundra, europianët që janë globalistë, neoliberalët, të gjithë establishmentin e CIA-s, Izraelin që e shtyn drejt luftës, dhe në rast se lufta shkon keq, e vetmja viktimë e kësaj lufte, veç popullit, do jetë Trump”, thotë ai.
Ai shtoi se kostoja politike brenda SHBA është një faktor që mund ta frenojë një vendim ekstrem, por nga ana tjetër, sukseset në arenën ndërkombëtare mund ta shtyjnë drejt një qëndrimi më agresiv.
“Nëse Trump ka një situatë të komplikuar dhe jo aq optimiste brenda vendit, ajo që flet kundër luftës është kostoja e lartë që do të kishte kjo luftë për SHBA-të dhe për Trump në pozitën e tij brenda vendit. Por nga jashtë vendit, Trump ka suksese të jashtëzakonshme, sic është detyrimi që vendet e NATOs të paguajnë më shumë buxhet, në Groenlandë mendohet se danezët kanë ceduar sovranitet në ato vende ku ka baza amerikane, Venezuela u zgjidh, Bordi i Paqes gjithashtu. Në arenën ndërkombëtare ka arritje domethënëse që e bën atë të dehur nga arroganca e tepërt”, shpjegon ai.
Por si është situata në Iran dhe kush i luan gurët atje? Sipas Bimos , një rol kyç në vendimmarrjen e Teheranit luan Garda Revolucionare.
“Elementi më kryesor në vendimmarrjet e Iranit është Garda Revolucionare që ka edhe forcat ushtarake më të mëdha në numër por ka edhe influencën ekonomike sepse kontrollon shitjen e naftës, kriptomonedhave, valutave. Brenda Gardës ka elementë që janë shumë të interesuar ta pranojnë sfidën amerikane dhe të shkëmbejnë zjarr me njëri tjetrin. Të gjitha arsyetimet të çojnë drejt luftës, por përderisa nuk ka filluar dhe të dy palët janë shprehur se i japin rëndësi diplomacisë, le të mos jemi luftëndjellës e të shpresojmë se fiton diplomacia”, deklaron ai.
Bimo paralajmëroi për rrezikun e përllogaritjeve të gabuara dhe nënvlerësimit të kapaciteteve ushtarake të Iranit.
“Si presidenti Trump ashtu edhe presidenti i Izraelit janë të dehur nga fuqia e tyre ushtarake. Mendojnë se nuk ka asnjë trup në botë përpara së cilit këta mund të japin llogari. Pra është një arrogancë përtej cakut. Në këto kushte mund të bien pre e përllogaritjeve të gabuara. SHBA-të nuk mund të mburren për institucionet e kundërzbulimit sepse në të gjitha luftrat që kanë bërë në Lindjen e Mesme del që informacioni që kanë pasur ka qenë i gabuar, si në Liban, në Irak, në Siri. Shërbimet sekrete të Izraelit nga ana tjetër ushqejnë administratën amerikane me informacion që është në interes të Izraelit dhe jo domosdoshmërisht është i saktë si informacion”, përfundon ish-ambasadori.
Në fund ai tregoi se Irani sot është shumë më i fortë ushtarakisht se disa vite më parë, me sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe arsenal të zgjeruar raketor.
“Irani I ka të instaluara sistemet e mbrojtjes kundër ajrore S-400. Kanë instaluar sisteme të radarëve kinezë jashtëzakonisht të avancuar që mund të detektojnë avionët të padetektueshëm në 700 kilometra larg. Pra arsenali I raketave balistike është rritur si në numër ashtu edhe në cilësi. Irani ka raketa ruse që janë shumë të vështira të interceptohen. Pra kemi të bëjmë me një Iran që para 6 viteve më parë ishte e lehtë të merreshe me të, sot është e vështirë ta neutralizosh ushtarakisht Iranin” tha ambasadori.
“Arsyetimet të çojnë drejt luftës”, insistoi ai, por për sa kohë që të dy palët flasin ende për diplomaci, shpresa mbetet që përplasja të shmanget.
Komente







