A do të ‘çarmatoset’ Serbia tani pas dy masakrave?

Qytetarët e Serbisë zenë vendin e tretë në mbarë botën për armatim. Institucionet shtetërore pretendojnë, se ky klasifikim është arbitrar. Presidenti Vuçiq deklaroi çarmatim në shkallë të gjerë.

Pas dy sulmesh amok brenda dy ditëve në Serbi vihet në lëvizje diskutimi lidhur me armëmbajtjen. E për këtë ka arsye të fortë: Sipas vlerësimeve të Projektit Studimor të Zvicrës, Small Arms Survey nga viti 2018 Serbia sa i përket armatimit të popullsisë civile zë vendin e tretë në mbarë botën – pas Jemenit dhe SHBA-së. Sipas këtij studimi raporti është ndër 100 banorë ka 39,1 armë të lehta.

"Sipas vlerësimeve të tjera pothuajse po kaq armë ndodhen në posedim ilegal", deklaron për DW Predrag Petroviç, drejtor i studimeve në Qendrën e Beogradit për Politikën e Sigurisë (BCBP). "Sipas të dhënave zyrtare të policisë serbe nga viti 2021 në Serbi ka pasur 920.000 armë - ndërkohë janë dorëzuar 50.000 deri në 60.000 copë."

Pavarësisht të gjitha vlerësimeve: Përfytyrimi se në çdo shtëpi duhet të ketë armë, është mjaft i përhapur në Serbi. Arsyeja për këtë "kulturë të armës", sipas ekspertit të sigurisë Petroviç, ka të bëjë kryesisht me luftërat, që janë zhvilluar nga viti 1991 në territorin e ish-Jugosllavisë.

"Një pjesë e armëve nga vitet 1990 nuk janë dorëzuar kurrë, sepse qytetarët e shtetit post-jugosllav as sot nuk ndihen të sigurtë. Kësaj i shtohet edhe fakti, që armët në Ballkanin Perëndimor tradicionalisht konsiderohen si simbol i pushtetit dhe statusit: ato tregojnë, se njeriu është në gjendje të mbrojë veten dhe familjen", shpjegon më tej Petroviç.

Presidenti deklaron kontrolle dhe kufizime

Shteti serb tani deklaron reduktimin radikal të armëve në vend. "Të gjithë njerëzit që kanë armë – e kam fjalën për armë gjuetie, që ndodhen në duart e rreth 400.000 personave – do t'i nënshtrohen provimit, nuk do të mbeten në posedim më shumë se 30.000 deri në 40.000 armë. Ne do të zbatojmë një çarmatim të plotë të Serbisë", deklaroi presidenti, Aleksandar Vuçiq pas dy sulmeve amok.

Përpos kësaj qeveria serbe deklaroi edhe kontrolle ndaj të gjithë mbajtësve të armëve në mbarë vendin gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Do të verifikohet, nëse armët ruhen në kushte sigurie dhe nëse garantohet ashtu si duhet që ato të mos jenë të aksesueshme nga persona të paautorizuar dhe nga minorenë.

Këtej e tutje do të ashpërsohen rregullat duke e vështirësuar dhënien e lejes për armëmbajtje. Ministria e Brendshme në Beograd do të lëshojë një moratorium për dy vjet për ndalimin e lëshimit të licencës për armëmbajtje. "Ne e dimë, që kjo nuk do të kalojë pa probleme, por sa më pak armë të ketë në qarkullim, aq më shumë minimizohet rreziku ndaj fëmijëve dhe qytetarëve tanë", u shpreh Vuçiq në një konferencë shtypi pas rastit të fundit të sulmit në amok.

Ashpërsimi i kontrolleve në sfondin e situatës është masa e duhur, por ndalimi i armëve nuk ka kuptim, mendon Dejan Milutinoviç nga sindikata e Rrjetit të Sigurisë në Serbi (SUSB). "Ne kemi ndërkohë rregulla shumë të forta. Në rast të një grindjeje fare të vogël mes fqinjësh menjëherë sekuestrohen armët. Por nuk ekziston mundësia që ta kuptosh në avancë nëse dikush do ta përdorë ose jo armën", i tha DW-së Milutinoviç.

Eksperti i sigurisë, Petroviç ve në dukje, se rregullat për armëmbajtje privatisht janë ashpërsuar qysh nga viti 2015, kur u aplikua detyrimi për riregjistrimin e armëve në posedim dhe provimi si dhe argumentimi se përse personi do ta mbajë armën. Por këto rregulla të forta në letër nuk janë reflektuar në praktikë, afati i riregjistrimit të armës është shtyrë së fundi në vitin 2022 edhe për dy vjet të tjera.

"Përgjegjësinë pra nuk e kanë qytetarët e Serbisë, por institucionet shtetërore. Praktika e të cilave nuk është unike: Disa armë janë sekuestruar, sepse policia ka qenë e mendimit që poseduesit e tyre nuk kanë pasur arsye të mbajnë armë. Në rastë të tjera personave që mbajnë armë u janë dhënë licenca të reja, ndonëse ata nuk kanë pasur arsye të kenë armë", thotë Petroviç.

Armët e regjistruara në Serbi janë pjesë e problemit, por në qarkullim ka ende një masë të madhe armësh ilegalet, që e kanë prejardhjen nga luftrat e viteve 1990. "Asokohe u shpërndanë armë në masë në popullsi, e ekzistenca e tyre nuk u verifikua më pas nga askush", vëren Predrag Petroviç. I vetmi aksion i madh i çarmatimit është bërë pas vrasjes së kryeministrit Zoran Xhinxhiç përpara njëzet vjetësh. Atëherë u dorëzuan ose u konfiskuan rreth 50.000 armë.

"Tani duhet një fushatë e vërtetë për t'i bindur qytetarët që t'i besojnë institucioneve të shtetit të Serbisë, se ato garantojnë sigurinë dhe që qytetarët e Serbisë nuk kanë më nevojë për armë", thekson Petroviç.

Dejan Milutinoviç është i mendimit, që shumica e armëve ilegale ndodhen në duart e qarqeve kriminale. Armët si automatiku i përdorur nga personi në amok më 4.5.2023 në qytezën Mladenovac, nuk mund të posedohen legalisht.

Qytetareve dhe qytetarëve të Serbisë, që posedojnë armë ilegale, iu është dhënë një afat prej një muaji për të dorëzuar armët pa pasur pasoja. Atë që nuk e bën këtë vullnetarisht brenda afatit, sipas presidentit Vuçiq: "Ne do ta gjejmë dhe pasojat do të jenë të tmerrshme."./DW

G.MO/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?