A do të mbarojë ndonjëherë nafta?

A do të mbarojë ndonjëherë nafta?

Foto ilustruese

Nafta dhe nënproduktet e saj, janë një pjesë thelbësore e botës moderne ku jetojmë. Ajo mbështet gati çdo aspekt të infrastrukturës sonë të transportit, dhe është në themelin e shumicës së komoditeteve që gëzojmë sot. Atë e përdorim për të furnizuar makinën, por me të prodhohen edhe pjesët e makinës si tapiceria e sediljeve, kroskoti, vaji për kushinetat, për motorin e makinës etj.

Pra nafta është kaq jetike për mënyrën se si ne jetojmë, saqë është thuajse e pamundur të mendohet jeta pa të. Megjithatë nuk ka një furnizim të pakufishëm me naftë dhe lëndë djegëse të tjera fosile. Një ditë ato do të mbarojmë. Çështja nuk është nëse do të ndodhë, por kur kjo do të ndodhë.

Sa naftë përdorim?

Sasia, e matur me fuçi në një ditë, ndryshon nga viti në vit për një sërë arsyesh. Së fundmi, pandemia globale shkaktoi një rënie të madhe të kërkesës për naftë (dhe rrjedhimisht edhe të konsumit). Për shembull, në pranverën e vitit 2020, kërkesa globale për naftë ra me mbi 15 për qind që nga dimri i vitit 2019 për shkak të reduktimit të udhëtimeve ajrore dhe rrugore.

Që atëherë konsumi i naftës është ri–ngritur sërish.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se kërkesa në mbarë botën për naftë do të jetë rreth 100 milionë fuçi në ditë për vitet e ardhshme. Në SHBA, shumica e këtyre fuçive (65 për qind) do të rafinohen në benzinë pa plumb dhe naftë për përdorim në makinat, kamionët dhe autobusët. Pjesa e mbetur prej 35 për qind ndahet midis gazeve natyrore, karburantit të aviacionit, asfaltit, plastikës dhe lubrifikantëve.

Sa naftë ka bota?

Ekzistojnë disa mënyra të ndryshme për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje. Një metodë janë rezervat e vërtetuara. Pra nafta që mendojmë se mund ta nxjerrim nga toka me një kosto të arsyeshme, dhe jo sa është sasia në total. Nëse çmimi i naftës bie shumë, edhe rezervat e vërtetuara në mbarë botën gjithashtu bien, sepse një pjesë e naftës do të kushtojë më shumë për t’u nxjerrë.

Një mënyrë tjetër e dobishme vlerësimi janë rezervat teknikisht të rikuperueshme. Rezervat e provuara vlerësojnë sesa naftë është e mundur të nxirret nga toka. Ana tjetër e asaj medalje janë rezervat e paprovuara: pra naftë që mund të nxirret, por që nuk ka kuptim që ta bëjmë këtë në atë kohë.

Kombinimi i rezervave të vërtetuara dhe të paprovuara, konsiderohen si rezerva teknikisht të rikuperueshme. Sipas vlerësimeve që bën British Petroleum, në vitin 2020 mendohet se bota kishte mbi 1.7 trilionë fuçi rezerva. Ndërkohë mendohet se ka rreth 3 trilionë fuçi rezerva të paprovuara, pra 4 trilionë fuçi që janë teknikisht të rikuperueshme.

Duke pasur parasysh konsumin ditor prej 100 milionë fuçish në ditë, me 4.7 trilionë fuçi në dispozicion, në vazhdim do të kemi naftë edhe për 47.000 ditë, ose për më shumë se 128 vite të tjera me normën tonë aktuale të përdorimit. Dhe kjo duke supozuar se do të jetë ekonomikisht e vlefshme për ta nxjerrë atë nga toka.

Nga vjen nafta?

Ashtu si të gjitha lëndët djegëse fosile, edhe nafta është e përbërë nga lëndë organike: pra nga specie që dikur ishin të gjalla. Ndërsa qymyri krijohet kryesisht nga lëndët bimore, nafta përbëhet kryesisht nga kafshët; në rastin konkret nga planktoni. Raporti më i lartë i proteinave dhe yndyrave, është ai që nxit shndërrimin e tij në naftë dhe jo qymyr.

Pasi këto krijesa të vogla të detit vdesin, bien në fund dhe bëhen pjesë e sedimentit të dyshemesë së detit. Ndërsa më shumë sedimente vazhdojnë që të depozitohen gjatë miliona viteve, lënda organike i nënshtrohet presionit dhe nxehtësisë në rritje, e cila e shndërron sedimentin organik në bitum (asfalt natyror) dhe në një substancë të quajtur kerogjen.

Me rritjen e thellësisë, presionit dhe nxehtësisë, kerogjeni shndërrohet në naftë dhe gaz natyror. Në dallim nga sa mund të imagjinohet nga shumë njerëz, nafta dhe gazi nuk ekzistojnë në rezervuarë të mëdhenj nëntokësorë. Korja e tokës përbëhet kryesisht nga shkëmbinj të fortë.

Disa nga ata shkëmbinj janë porozë (të përshkueshëm), dhe pas miliona vitesh janë të ngopur me ujë, naftë dhe gaz. Për shkak se lëndët djegëse fosile janë më të lehta se uji, ato ngrihen në majë të këtyre shkëmbinjve porozë derisa mbërrijnë në sipërfaqe ose bllokohen nën një shtresë shkëmbore jo poroze.

Historia e nxjerrjes së naftës

Njerëzit e kanë përdorur naftën prej mijëra vitesh. Historiani i Greqisë së Lashtë Herodoti, shkruan se si u ndërtuan muret e Babilonisë duke përdorur bitum, një formë nafte super-viskoze. Rreth shekullit IV Pas Krishtit, në Kinë nisën të shpohen puset e para të naftës, duke përdorur copa hekuri dhe tubat prej bambuje.

Ndërkohë në shekullin XIX, në Persi u zbulua procesi i distilimit të naftës nga Abu Bakr al-Razi, që e përdorte atë për të prodhuar vajguri. Në vitin 1848, shkencëtari skocez XhejmsJang shpiku procesin e distilimit në epokën moderne, duke e shndërruar atë në një ndërmarrje të suksesshme tregtare.

Pak më shumë se një dekadë më vonë, pusi i parë fitimprurës i naftës në botë u shpua në Pensilvani të SHBA-së. Shumica e kompanive të mëdha të naftës që ekzistojnë sot u krijuan në vazhdën e bumit të naftës që pasoi pusin e parë në Pensilvani.

E ardhmja e naftës

Është e pamundur të parashikohet me siguri. Shumëçka do të varet nga tekat e konsumatorëve dhe të qeverive. Nëse konsumatorët do të sillen siç presin ekonomistët, gjatë 25 viteve të ardhshme kërkesa për makina elektrike do të kompensojë kërkesën për naftë me mbi 20 milionë fuçi në ditë.

Natyrisht, nëse do të ketë një rritje të çmimit të naftës për një kohë të gjatë, ka të ngjarë që njerëzit të kalojnë më shpejt tek makinat elektrike. Dhe është po aq e vështirë të parashikosh çmimin e naftës. Pasi nafta konsiderohet si një nga mallrat me çmimin më të paqëndrueshëm në botë.

Përveçse i nënshtrohet ligjeve klasike të kërkesës dhe ofertës, çmimi i naftës është shumë i ndjeshëm ndaj spekulimeve të tregut. Nëse tregtarët madje mendojnë se mund të ketë një ndërprerje në furnizimin me naftë për shkak të luftës apo një fatkeqësie natyrore, çmimet e naftës bruto dhe të derivateve të saj si benzina do të rriten. Tek e fundit ne si konsumatorë, mund të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. /Bota.al

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Debat në ‘Studio LIVE’, Merkoçi: SPAK s'merret me hetime anonime, nivel prokurorie qyteti! Demalia: Asnjë fajtor për Gërdecin! Kur do bëhet drejtësi, kur të vdesë Berisha?

Debat në ‘Studio LIVE’, Merkoçi: SPAK s'merret me hetime anonime, nivel prokurorie qyteti! Demalia: Asnjë fajtor për Gërdecin! Kur do bëhet drejtësi, kur të vdesë Berisha?