Korveta e përmbysur e marinës ruse Merkury, imazh satelitor

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka marrë përsipër sulmin ndaj një anijeje ushtarake ruse pranë brigjeve të Libisë, ndryshe nga sa u pretendua në disa media se droni ishte nisur nga Shqipëria. Sipas tij, dronët detarë ukrainas e fundosën anijen.

Në një postim të hënën në platformën X, Zelensky tha se forcat ukrainase përdorën shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë në operacionin që fundosi korvetën ruse.

“Po vazhdojmë operacionet tona në zonat detare të përcaktuara. Po i përgjigjemi agresionit të Rusisë. Po zhvillojmë armët ukrainase,” tha ai.

Forcat ukrainase goditën gjithashtu anijen ruse të mallrave “MV Angara”, të cilën, sipas Zelenskyt, Moska e përdorte për të transportuar armë. Ai shtoi se gjatë sulmit u shkatërrua edhe një helikopter ushtarak Ka-27.

Zelensky falënderoi Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe forcat e tjera ukrainase të mbrojtjes që morën pjesë në atë që ai e cilësoi si “një operacion shembullor ukrainas në përgjigje të luftës së Rusisë.”

Zelensky tha se të dielën dhe të hënën kishte marrë informacione të hollësishme për operacionin dhe se “objektivat që kishim përcaktuar u arritën.”


Lajmi kryesor:

Goditja e anijes ruse në Libi, Ministria e Jashtme në Tiranë rrëzon pretendimet e mediave: E pavërtetë nisja e dronit nga Shqipëria, s’jemi të përfshirë! Ukraina merr përsipër sulmin (VIDEO)