Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar mundësinë e rifillimit të sulmeve ushtarake ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA. I pyetur nga gazetarët nëse Uashingtoni po shqyrtonte një ofensivë të re kundër Teheranit pas zgjedhjeve, Trump u përgjigj prerë: “Jo”.

Deklarata u bë pas fjalimit të tij në Memorialin e Abraham Lincoln në Uashington, ku presidenti amerikan foli edhe për zhvillimet e fundit të konfliktit me Iranin.

Trump u ndal veçanërisht te situata në tregjet e energjisë, duke pretenduar se SHBA-ja po fiton ndaj Iranit dhe se çmimet e naftës do të vijojnë të bien.

“Çmimi i naftës ra me 10 dollarë. Kjo është rënia më e madhe në histori. Asnjëherë më parë çmimi i naftës nuk ka rënë kaq shumë brenda një dite. Dhe do të bjerë edhe më tej, sepse po fitojmë kundër Iranit, po fitojmë lehtësisht”, deklaroi Trump.

Pas këtyre zhvillimeve, tregjet ndërkombëtare të naftës regjistruan rënie të ndjeshme. Nafta amerikane WTI humbi deri në 6.7%, duke zbritur në 97.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent ra me të njëjtën përqindje, duke arritur në 105.86 dollarë për fuçi.

Lëvizja në tregje erdhi pas sinjaleve nga Teherani për një zgjidhje të mundshme diplomatike të konfliktit. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se qeveria po punon për t'i dhënë fund situatës përmes dialogut.

Ai bëri të ditur gjithashtu se ka marrë kompetencat e nevojshme nga Udhëheqësi Suprem, Mojtaba Khamenei, për të ndjekur këtë proces.

Sinjalet e fundit nga Uashingtoni dhe Teherani kanë shtuar pritshmëritë për një zgjidhje përmes negociatave, ndërsa zhvillimet diplomatike dhe situata në tregjet e naftës mbeten në vëmendje.