A duhet tani një bashkë-aplikim sportiv me Serbinë?

A duhet tani një bashkë-aplikim sportiv me Serbinë?

Armand Duka

Pas organizimit të finales së UEFA Conference League në Tiranë në vitin 2022 dhe fitimit të së drejtës për të organizuar finalet e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-21, Federatës Shqiptare të Futbollit mesa duket i është hapur oreksi. Një kërkesë e saja për të organizuar një tjetër event të futbollit europian po kalon sa në heshtje mediatike në vend, po aq me zhurmë në debate patriotike atje ku jetojnë shqiptarë.

Njerëzit pranë Armand Dukës shpërndanë lajmin pak ditë më parë se Shqipëria është një nga kandidatet kryesore për të organizuar ndeshjet finale të Kampionatit Europian 2027 për ekipet kombëtare U-21. FSHF madje i ka dërguar kërkesën UEFA-s që Shqipëria të jetë një nga vendet pritëse të finaleve të këtij kompeticioni.

FSHF ka vendosur të bashkëpunojë me Federatën Serbe të Futbollit për të pritur sëbashku fazën finale të EURO 2027 për grupmoshën U-21. Këtu ka nisur edhe beteja e radhës ndaj FSHF nga ana e tifozëve kuqezi, që për hir te së vërtetës nuk honepsin dot asnjë vendim të Federatës kur bie fjala për Kombëtaret. Por krahas preferencave në vendimarrje, çështja ka kaluar kufijtë dhe teksa në Tiranë diskutohet Kombëtarja e madhe në Europianin e të rriturve, Kosova ka kthyer sytë pikërisht nga kjo përpjekje e Dukës për të bashkuar forcat me Serbinë.

I pari që reagoi ishte Lorik Cana, ish-kapiteni i Kombëtares dhe në njëfarë mënyrë ‘profesori’ i futbollit modern shqiptar i dha përgjigje sesi duket pakti i Dukës me Serbinë.

“Më duket e nxituar. Pa u kaluar disa procese të normalizimit të marrëdhënieve është shumë e vështirë që të ketë organizime tëpërbashkëta pavarësisht qëllimeve të mira që ka Federata . Për momentin nuk më duket hapi i duhur”, u shpreh Lorik Cana kur u mor vesh plani i Armand Dukës.

Cana e ka kaluar me një reagim të shkurtër atë që në fakt përbën një kërkesë të dyshimtë të FSHF. Si dhe një problem të madh politik e diplomatik. Serbia nuk është si çdo shtet ballkanik, kur flitet për shqiptarët. Është një fuqi rajonale kundërshtare me ta, një shtet që tenton me çdo kusht të pengojë afirmimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, Kosovës. Mjafton të kujtosh urretjen antishqiptare që u derdh në Beograd në ndeshjen e fundit Serbi-Shqipëri, për ta kuptuar më mirë këtë.

Nuk ndodhemi përballë një aktiviteti sportiv, por përballë një vendimmarrjeje e cila duhet t’i takojë shtetit, e jo një federate sporti! Po aplikon Shqipëria, jo federata e zotit Duka!

FSHF duhet të japë një sqarim nëse këtë vendim e ka të dakordësuar me shtetin shqiptar apo propozim të sajin. Sepse asnjë Federatënë në botë s’mund të marrë tagrin ndërshtetëror dhe të marrë përsipër të vendosë mbi përfaqësimin e shtetit. Një format si ky që po diskutohet kërkon angazhim në nivel shtetëror, prandaj edhe vendimmarrja duhet të jetë e kordinuar me instancat e larta të vendit.

Nga ana tjetër, edhe Qeveria shqiptare duhet të flasë hapur për këtë ngjarje madhore dhe jo të ndjekë Armand Dukën me ministra dhe deputetë nga stadiumet ku shijojnë ndeshjet, e deri te shfaqjet ku premtohen terrene sportive. A ka të bëjë qeveria e Republikës së Shqipërisë me këtë aplikim, apo ka mandatuar në heshtje Armand Dukën?

Me gjasë zoti Duka e sheh këtë aplikim si një oportunitet financiar apo si një vitrinë sportive për futbollin shqiptar. Në këtë mes s’ka asgjë të keqe, sikur të mos bëhej fjalë për një bashkë-aplikim me një vend me të cilin kemi shumë dosje të vjetra e të reja ende të hapura.

Kosova sot është përballë një dialogu të vështirë me Serbinë dhe Beogradi po dënohet dita-ditës për krimet ne Ballkan. Nga ana tjetër Serbia po bën një luftë diplomatike globale ndaj integrimit të Kosovës në çdo organizëm europian ku ka një ftesë ndaj saj. Sporti mbase e bashkon politikën, por jo kombet që nuk duan të bashkohen.

Dhe Serbia është një shtet i tillë në momentin që flasim.

Kush flet në emër të emancipimit dhe mbylljes së plagëve, s’ka provuar asgjë në lëkurë të tij. Aplikimi me Beogradin duhet peshuar me shumë qetësi dhe seriozitet. Nuk është thjeshtë një proces burokratiko-sportiv, por një çeshtje shumë delikate për të gjithë shqiptarët. Ndaj dhe shteti duhet të marrë pozicion publik ndaj asaj që Armandi po tenton ta bëjë të duket sikur si një çeshtje brenda bahçes së biznesit të tij. JAVA NEWS

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës