Pas një video të publikuar pak ditë më parë nga TV i familjes Berisha se Lulzim Basha është takuar me Taulant Ballën në një apartament në Tiranë në dhjetor të 2022, kreu i grupit parlamentar në PS-së u shpreh se nuk ka pasur asnjë takim mes tij dhe ish-kryedemokratit.
Në një përgjigje të shkurtër për gazetarët, Balla u shpreh se ka qëlluar edhe në të njëjtin ashensor me Sali Berishën, por nuk është takuar.
‘Jo nuk e kam takuar! Kam qëlluar në të njëjtin ashensor edhe me Sali Berishën. Nuk e kam takuar.’- tha Balla.
Edhe ish-kryedemorkati Lulzim Basha e ka mohuar një takim ndërmjet tyre. Basha është shprehur se kjo video është bërë me qëllim për t’i fryrë përçarjes së demokratëve, e që sipas tij i bëjnë nder vetëm kryeministrit Edi Rama.
Pak ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, u publikua një video ku pretendohet se Basha dhe Balla kanë zhvilluar një takim në një apartament në Tiranë e sipas tyre, takimi përkon me kohën kur ka qenë në gjyq çështja e vulës së Partisë Demokratike.