Kjo nuk është “lufta e Donald Trump”.
Konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ka nisur shumë kohë më parë dhe ka kaluar nëpër administrata të ndryshme amerikane.
Përballja filloi që në kohën kur në Iran ishte në pushtet Ajatollah Khomeini dhe president i SHBA-së ishte Jimmy Carter, vazhdoi gjatë presidencës së Ronald Reaganit dhe më pas me pasuesin e Khomeinit, Ali Khamenei, duke përfshirë praktikisht çdo president amerikan deri sot.
Termi “luftë” nuk është thjesht figurativ, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për rivalitet politik apo ideologjik. Për gati pesë dekada ky konflikt ka shkaktuar shumë viktima përmes sulmeve direkte, terrorizmit dhe operacioneve të kryera nga grupe të armatosura që veprojnë në emër ose me mbështetjen e Iranit. Për të kuptuar situatën e sotme, duhet parë kjo histori e gjatë përplasjesh.
Nuk ka ekzistuar kurrë një front i qartë lufte si në Vietnam apo Irak dhe as një fushatë ushtarake e vazhdueshme, megjithatë qindra amerikanë, ushtarë, diplomatë dhe civilë, kanë humbur jetën gjatë viteve përmes atentateve, rrëmbimeve dhe ekzekutimeve.
Historia fillon në nëntor të vitit 1979, kur ambasada amerikane në Teheran u sulmua dhe 66 diplomatë e punonjës amerikanë u morën peng për 444 ditë. Edhe pse nuk pati ekzekutime, kjo ngjarje shënoi fillimin e armiqësisë së qëndrueshme mes dy vendeve. Republika Islamike e Iranit e përcaktoi Shtetet e Bashkuara si armikun kryesor dhe që nga ai moment konflikti nuk ishte më i përkohshëm, por i vazhdueshëm.
Valë e parë e madhe dhune erdhi në Liban në vitin 1983. Një makinë-bombë shkatërroi ambasadën amerikane në Bejrut duke vrarë amerikanë, ndërsa disa muaj më vonë një kamion i mbushur me eksploziv goditi kazermën e marinsave amerikanë dhe vrau 241 ushtarë brenda pak sekondash. Ky ishte një nga sulmet më të rënda terroriste kundër Shteteve të Bashkuara para sulmeve të 11 shtatorit.
Përgjegjësia iu atribua Hezbollahut, organizatë shiite e krijuar me mbështetje ushtarake dhe financiare nga Irani. Në atë periudhë u formësua modeli që do të përsëritej në dekadat e ardhshme: Irani shmang përplasjen direkte dhe mbështet grupe lokale të armatosura që veprojnë në vend të tij, duke i lënë hapësirë mohimit të përgjegjësisë. Në vitet që pasuan, disa zyrtarë amerikanë në Liban u rrëmbyen dhe u vranë, përfshirë edhe shefin lokal të CIA-s, William Buckley, ndërsa Shtetet e Bashkuara reduktuan praninë e tyre në rajon.
Gjatë viteve ’90 konflikti u zgjerua në zona të tjera. Në vitin 1996 një sulm ndaj kompleksit ushtarak Khobar Towers në Arabinë Saudite vrau 19 ushtarë amerikanë dhe edhe ky atentat iu atribua rrjeteve të lidhura me Iranin.
Në të njëjtën periudhë Izraeli përjetoi një seri atentatesh vetëvrasëse nga Hamasi dhe grupe të lidhura me të, ku autobusë shpërthenin, restorante shkatërroheshin dhe universitete goditeshin. Në disa prej këtyre sulmeve u vranë edhe shtetas amerikanë. Në vitin 2002 pesë amerikanë humbën jetën në Universitetin Hebraik në Jerusalem dhe në vitin 2003 tre diplomatë amerikanë u vranë në Gaza. Sipas analizës, Hamasi gjatë viteve ka marrë financime, trajnim dhe armë nga Irani, duke bërë që konflikti mes Teheranit dhe Uashingtonit të prekë edhe civilët amerikanë jashtë vendit.
Një rast më i diskutueshëm janë sulmet ndaj ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998, të kryera nga Al-Qaeda, një organizatë sunite që nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me Iranin. Megjithatë disa administrata amerikane kanë pretenduar se elementë të lidhur me Hezbollahun mund të kenë ndihmuar lëvizjen e terroristëve, duke treguar kompleksitetin e marrëdhënieve mes rrjeteve ekstremiste në rajon.
Periudha më e përgjakshme erdhi pas pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003. Rrëzimi i Saddam Husseinit hoqi rivalin kryesor rajonal të Iranit dhe krijoi një boshllëk pushteti që Teherani e shfrytëzoi shpejt. Përmes forcës Quds dhe milicive shiite irakiane, Irani furnizoi armë, eksplozivë dhe mbështetje operative kundër trupave amerikane. Sipas vlerësimeve të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, të paktën 603 ushtarë amerikanë të vrarë në Irak midis viteve 2003 dhe 2011 u vranë nga grupe të mbështetura nga Irani. Nuk bëhej më fjalë për sulme të rralla spektakolare, por për një strategji të përditshme konsumimi përmes bombave artizanale, raketave dhe sulmeve ndaj bazave ushtarake. Edhe pas tërheqjes zyrtare amerikane në vitin 2011, milicitë pro-iraniane vazhduan sulmet ndaj objektivave amerikane në Irak dhe Siri.
Në janar të vitit 2020, pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani me urdhër të Donald Trump, Irani goditi me raketa bazën amerikane Ain al-Asad, duke shkaktuar dëmtime cerebrale tek më shumë se njëqind ushtarë amerikanë. Sulme të tjera pasuan në vitet e fundit, përfshirë vrasjen e një kontraktori amerikan në Irak dhe një sulm me dron ndaj një baze amerikane në Siri. Që nga viti 2023 janë regjistruar mbi njëqind sulme ndaj forcave amerikane në rajon. Në janar 2024, një sulm me dron ndaj një baze në Jordani vrau tre ushtarë amerikanë dhe plagosi dhjetëra të tjerë, duke treguar se lufta indirekte nuk është ndalur kurrë.
Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 shënoi një tjetër moment kritik. Mes viktimave ishin edhe 46 shtetas amerikanë. Edhe pse Hamasi ishte autor i drejtpërdrejtë i masakrës, lidhjet e tij me Iranin rikthyen debatin mbi përgjegjësinë indirekte të Teheranit. Sipas analizës, ky sulm nuk arriti të izolojë Izraelin në botën arabe siç ishte parashikuar dhe përkundrazi shtyu disa vende të rajonit të forcojnë bashkëpunimin e sigurisë kundër rrjeteve radikale dhe ndikimit iranian.
Duke parë gjithë periudhën prej afro pesë dekadash, del qartë një model i qëndrueshëm. Irani ka shmangur përballjen direkte me Shtetet e Bashkuara dhe ka ndërtuar një rrjet aleatësh të armatosur në Liban, Gaza, Irak, Siri dhe Jemen, duke ushtruar presion ndaj Uashingtonit pa hyrë në luftë të hapur. Bilanci njerëzor është i rëndë dhe përfshin ushtarë amerikanë të vrarë në Irak, marinsat e vrarë në Bejrut, viktima në Arabinë Saudite, civilë amerikanë në Izrael, diplomatë dhe kontraktorë të vrarë nga raketa dhe dronë në vitet e fundit. Në këtë histori përmendet edhe sulmi terrorist ndaj një qendre hebraike në Buenos Aires në vitin 1994, ku u vranë 85 persona, sulmi më i rëndë terrorist në historinë e Argjentinës.
Kjo nuk ka qenë një luftë e shpallur sipas rregullave klasike ushtarake, por një konflikt i vazhdueshëm i frymëzuar nga ideologjia revolucionare e Khomeinit për të larguar ndikimin amerikan nga Lindja e Mesme, për të shkatërruar Izraelin dhe për të ndryshuar ekuilibrat rajonalë. Sot, me dobësimin e regjimit iranian dhe ndryshimet gjeopolitike në rajon, kjo periudhë që ka zgjatur pothuajse gjysmë shekulli mund të hyjë në një fazë të re. Megjithatë mbetet fakti se që nga fillimi i viteve ’80, përballja mes Uashingtonit dhe Teheranit ka funksionuar në praktikë si një luftë e vazhdueshme, edhe pse kurrë e shpallur zyrtarisht. /CorrieredellaSera
Komente












