Janë të parat që nga fillimi i luftës në Gaza. Dhe përbëjnë një test për të kuptuar nëse dhe si janë ndryshuar balancat politike pas 7 tetorit. Bëhet fjalë për zgjedhje.
Palestinezët e Bregut Perëndimor dhe të disa zonave të Gazës votojnë sot (që nga ora 7 e mëngjesit) për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe këshilltarët komunalë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me seli në Ramallah (në Bregun Perëndimor), vlerëson se rreth 1.5 milionë persona janë të regjistruar në listat zgjedhore në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe 70 mijë në zonën e Deir el-Balah (në pjesën qendrore të Rripit të Gazës), ku sot votohet për herë të parë pas më shumë se njëzet vitesh.
Banorët e këtij qyteti, ashtu si të gjithë banorët e tjerë të Gazës, nuk kanë mundur të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokalë që kur Hamasi mori pushtetin në Rrip në vitin 2007, pas zgjedhjeve të fundit.
Që nga ajo kohë, ka qenë organizata islamiste ajo që ka emëruar kryetarët e bashkive. Vendimi për të organizuar zgjedhje në Deir el-Balah është marrë sepse qyteti, duke mos pësuar një pushtim tokësor nga ushtria izraelite, është më pak i shkatërruar se zonat e tjera.
Zgjedhjet organizohen nga Autoriteti Kombëtar Palestinez (ANP), qeveria de facto e palestinezëve që administron disa zona të Bregut Perëndimor dhe që u dëbua nga Gaza nga Hamasi në vitin 2007.
Informacionet që vijnë nga qendrat e votimit në mesditë flasin për një pjesëmarrje të ulët.
Shumica e listave zgjedhore janë të lidhura me Fatahun, partinë nacionaliste dhe laike të presidentit Mahmoud Abbas (i njohur si Abu Mazen), president i ANP-së.
Disa lista janë të kandidatëve të pavarur, por asnjëra nuk deklaron lidhje me Hamasin, i cili – siç dihet – vazhdon të kontrollojë një pjesë të madhe të Rripit të Gazës dhe është në kundërshti me Fatahun.
Pyetja që shtrohet është: nëse Fatahu apo ndonjë nga listat e pavarura fiton, a do t’i respektojë Hamasi rezultatet?/ Corriere della Serra
Komente











