A ia vlejti kjo katrahurë e krijuar prej dy muajsh, nga Albin Kurti?

A ia vlejti kjo katrahurë e krijuar prej dy muajsh, nga Albin Kurti?

Albin Kurti

Sanksione politike dhe ekonomike nga Bashkimi Evropian, kritika të ashpra publike – të padëgjuara deri më tani – nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare, përjashtim i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe 23”, dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë të lënduar, dhjetëra gazetarë të lënduar nga protestuesit e dhunshëm serbë.

Këto ishin pasojat që u krijuan pasi që Qeveria e Kosovës refuzonte të pranonte planin e ndërkombëtarëve për de-eskalimin e situatës në Veri, pas tensioneve të krijuara që nga 26 maji.

Refuzimi zgjati deri të martën e 11 qershorit, Qeveria e Kosovës – një ditë pasi që kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi, ishte takuar me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, në Bratislavë të Sllovakisë – njoftoi se ka pranuar planin për de-përshkallëzimin e situatës së krijuar në Veri.

Qeveria e pranoi planin, por vetëm pasi që emri i Kosovës u fut në listën e atyre vendeve si Federata Ruse, apo Bjellorusia.

Realisht a ia vlejti kjo katrahurë e krijuar që dy muaj?

Pranimi i planit të de-eskalimit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas të prononcuarave të Albanian Post, gazetarit dhe publicistit, Halil Matoshit dhe profesorit të shkencave politike, Dritëro Arifit, megjithëse i vonuar e më pasoja, përsëri është i mirëseardhur.

Sipas Matoshit, Kosova e pranoi planin e Bashkimit Evropian për de-eskalimin e situatës në Veri sepse “Kurti u kurthua në hapat e tij të gabuar”.

“Dhe ai ose do të zmbrapsej – siç bënë rëndom pas turreve popullsite – ose do ta katandiste atdheun e kosovarëve në theqafje”.

Kurti siç po duket, beson Matoshti “po i braktisë politikat e tij izolacioniste pasi që e mësoi leksionin se enverizmi sovranist nuk funksionon në një botë të ndërvarshme siç është kjo e rreshtit amerikan të sigurisë”, duke iu referuar ideologjisë që lideri komunist shqiptar, Enver Hoxha, i kishte aplikuar në Shqipëri për më shumë se 40 vite.

Nga ana tjetër, për Arfin, siç e quan ai, gabimi i qeverisë për të instaluar në zyrat e tyre kryetarët e katër komunave Veriore – të dalur nga zgjedhjet e 23 prillit – Kosova ka nxjerrë, apo është përballur me pesë ndëshkime.

“E para nuk është arritur qëllimi i dëshiruar për çka është intervenuar në Veri; së dyti kemi pësuar sanksione; nën tre i kemi pranuar kushtet paraprake që është dashur që të pranohen në fillim para se të pranohen sanksionet”, elaburoi ai për AP.

Profesori i shkencave politike pohon se niveli i dytë i dy gabimeve, apo ndëshkimeve është sepse “e kemi dëmtuar mirëbesimin e qytetarëve në Veri atje, duke shkuar me njësi policore, dhe nën dy, po ashtu e kemi dëmtuar mirëbesimin e partnerëve ndërkombëtarë që Kosova është një shtet serioz”.

“Pra, e gjithë kjo, le të themi maskaradë e palogjikshme e veprimeve të Qeverisë Kurti ka rezultuar me gjitha këto dështime”, beson Arifi.

Në të gjithë këtë katrahurë të krijuar, Kosova sipas gazetarit Matoshi nuk ka përfituar asgjë që do t’i shërbente interesave nacionale të shtetit, përkundrazi ai vlerëson se një gjë e tillë i ka bërë veç dëme.

“Së pari, Kosova nuk ka marrë asgjë si kundërvlerë, nuk ka realizuar asnjë interes nacional por e ka humbur besimin e qytetarëve serbë, që ishin luajalë ndaj shtetit, së dyti ka humbur besueshmërinë e aleatëve dhe së treti, e ka përplasur e polarizuar shoqërinë”, tregon publicisti Matoshi për AP.

Por, përkundër kësaj, pranimi i planit të de-eskalimit të situatës në Veri nga Kurti, prapëseprapë në vlerësimin e Matoshit është një lajm i mirë.

“Tërheqja nga aktet kryeneçe e të pakoordinuara me ShBA-në dhe QUINT-in, është lajm i mirë, që të shpëtohet çka mund të shpëtohet”.

Situata e krijuar nuk mund të tejkalohet kaq lehtë profesorin e shkencave politike, Dritro Arifi, ai mendon se dikush duhet që të jap përgjegjësi, pasi që sic thotë ai dëmi i shkaktuar është kolosal.

“Këtu duhet që të marrë dikush përgjegjësi dhe të ketë llogaridhënie se pse kemi dështuar, si kemi dështuar, dhe çka duhet të bëjë tani qeveria, a duhet dikush të shkojë në shtëpi për këtë dështim të madh kolosal, si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtmen”.

Çka pranoi saktësisht qeveria?

Kosova ёshtё pajtuar për zvogëlimin e menjëhershëm tё prezencës policore nё afёrsi tё objekteve komunale në pjesën veriore tё territorit tё banuar me shumicë serbe dhe mbajtjen e zgjedhjeve tё jashtëzakonshme atje – Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicё e Veriut dhe Zveçan – menjëherë pas përfundimit tё stinës sё verës.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit “Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për tё kontribuar nё deeskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve që mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo përfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25 pёrqind tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”.

Policia e Kosovës bashkё me misionin e BE-sё pёr Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtёs tё NATO-sё nё Kosovё (KFOR), sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore atje, thuhet nё komunikatёn e ekzekutivit.

“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

Po ashtu, kryenegociatorёt e Kosovёs dhe Serbisё – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – do tё ftohen nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit tё Marrëdhënieve, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve, ndërsa këto veprime do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.

Si ishin krijuar tensionet në Veri?

Tensionet në Veri të Kosovës janë krijuar që nga 26 maji kur Qeveria e Kosovës vendosi që t’i instalojë në zyrat e tyre katër kryetarët e komunave Veriore, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit – të cilat ishin bojkotuar nga serbët që janë shumicë në atë pjesë – çka kishte shkaktuar reagim nga serbët – të cilët ishin tejet të ashpër në kundërshtimet e tyre.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë në katër komunat Veriore, kryesisht në Zveçan kishin sulmuar ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur xhandarmëria sere kidnapoi tre policë të Kosovës, më 14 qershorit në pikën kufitare. Policët e Kosovës do të liroheshin vetëm pas presionit të madh nga bashkësia ndërkombëtare.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arjan Hoxha nga selia blu: Rakip Suli ka dhënë leje ndërtimi në një zonë të shpallur të rrezikshme nga institucionet e shtetit, SPAK ta hetojë!

Arjan Hoxha nga selia blu: Rakip Suli ka dhënë leje ndërtimi në një zonë të shpallur të rrezikshme nga institucionet e shtetit, SPAK ta hetojë!