Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj iu përgjigj pyetjes së një përfaqësuesi të Këshillit të Ministrave nëse mbrohet interesi publik kur një i zgjedhur nuk kryen për shumë arsye detyrën e kryebashkiakut.

Veliaj tha se këtë pyetje do të duhet që ta bëjnë edhe qytetarëve të Tropojës, kryebashkiaku i të cilëve qëndroi në arrest shtëpiak për 11 muaj. Më tej, i thotë që në integritet të zyrës që përfaqëson duhet të shqetësohen edhe për masat e paraburgimit që jepen.

“Kjo pyetje do të ishte e ndershme që t’ua bëni edhe qytetarëve të Tropojës. Nëse për ata jeni ok që të rrinë 11 muaj pa kryetar bashkie dhe nuk e bëni këtë pyetje por kjo specifikon vetëm një njeri dhe targeton një njeri nuk më duket normale. Tregon se po bëni diferencime. Përsa kohë që kanë të vlefshme delegimet e kryetarit të bashkisë së Tropojës dhe nuk iu kanë shqetësuar, nuk duhet t’u shqetësojë fare që kam bërë delegimin e vullnetit tim në një pamundësi të organizuar nga vetë shteti. Mua më dukem se futem në një labirinth me këtë pyetje, ku një pjesë e shtetit ka kapur, pjesa tjetër po ta bën mullar padrejtësinë. Në dobi të vendit dhe të integritetit të zyrës që përfaqësoni që të shqetësoheni për masat e paraburgimit, disproporcionalitetin dhe duke mbajtur dy standarte nuk po prodhoni drejtësi”, tha Veliaj.


Lajmi kryesor:

Shkarkimi/ Veliaj në Kushtetuese: U rrëmbeva pa akuzë, vota më e fortë se kulisat politike! 7 orë seancë, Qeveria e Presidenca: Ankimi s’është kompetencë e juaja