TIRANËNë një seancë maratonë që zgjati plot 7 orë, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Veliaj dhe mbrojtja e tij ligjore kërkuan anulimin e vendimit të qeverisë, duke hedhur akuza për një proces të motivuar politikisht. Këshilli i Ministrave dhe Presidenca mbrojtën pozicionet e tyre duke thënë se kanë vepruar brenda kuadrit ligjor dhe duke kërkuar në fund shpalljen e moskompetencës për ankimin e Veliajt, që sipas tyre duhej t’i ishte drejtuar Gjykatës Administrative.

Pritet të shihet se kur do të shpallet vendimi i Kushtetueses dhe nëse do të veprojë me shpejtësi edhe për shkak të interesit të lartë të çështjes. Kushtetuesja do ta njoftojë vetë datën dhe orën e shpalljes së vendimit, ku do të mësojmë nëse Veliaj do të vazhdojë të jetë ende kryetar i Bashkisë së Tiranës, apo Tirana do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

***

Që prej arrestimit më 10 shkurt, kjo ishte shfaqja e parë publike e Erion Veliajt, i cili mori dhe vetë fjalën gjatë parashtrimit të kërkesës së bërë prej tij për anulimin e vendimit të Qeverisë për shkarkimin e tij, si dhe të dekretit që pasoi nga ana e presidentit Begaj, për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, i pezulluar nga vetë Gjykata. Veliaj e la qelinë e paraburgimit të Durrësit rreth orës 08:48 dhe mbërriti në Gjykatën Kushtetuese në orën 09:30 i prangosur. I veshur me një kostum të zi, Veliaj dhe u dha një buzëqeshje një grupi të vogël mbështetësish që e pritën 7 orë jashtë, të cilëve në fund iu tha edhe ju dua.

Në fjalën e tij, Veliaj pyeti i drejtpërdrejtë Gjykatën se “çfarë shkelje kam kryer unë”, duke theksuar se mandati i tij kushtetues nuk mund të ndërpritet nga askush para se të përfundojë sipas afatit, veçse në rastet kur ka shkelje të rënda të Kushtetutës.

“Cilën shkelje të rëndë të Kushtetutës apo të ligjit kam kryer unë, në ushtrimin e mandatit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës? Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës, edhe në kushtet e rrëmbimit në qeli, është detyrim imi ndaj qytetarëve”, tha Veliaj.

Veliaj tha se e rrëmbyen nga zyra pa kryer asnjë shkelje dhe se po mbahet në paraburgim me një regjim burgosjeje më të rëndë sesa vrasjet seriale. Në këtë periudhë, tha ai, ka përjetuar një sërë shkeljesh të të drejtave themelore, dhe denigrimi e përpjekjeje për t'i heshtur zërin si i zgjedhur vendor. Por, "besimi se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që e shtyn të bëj këtë betejë", u shpreh Veliaj.

Ndonëse arrestimin e tij e quajti rrëmbim për show politik apo për interesa të caktuara politike, Veliaj tha se i ka qëndruar kontratës së besëlidhjes me qytetarët dhe i kërkoi Kushtetueses që të jetë garante që vota e qytetarëve të mos merret nga të tjerët në mënyrë të fshehtë apo hileqare, duke drejtuar dorën herë pas here nga përfaqësuesit e Presidencës dhe Këshillit të Ministrave.

Argumentimin për shkarkim se nuk është paraqitur në detyrë prej më shumë se tre muajsh e cilësoi si fyerje, më të rëndën në jetën e tij, sidomos që erdhi edhe nga të vetët, që siç tha Veliaj, janë njerëz që e dinë më mirë se kushdo punën e tij në bashki. Sipas tij, u bënë dy padrejtësi, të thuash se Veliaj mungoi në detyrë, nuk është thjesht një cinizëm që bëhet jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj së vërtetës dhe ligjit.

“Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte më e rënda e jetës sime publike, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin. Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë.”, shtoi ai.

Kritika pati edhe për procedurën që është ndjekur për shkarkimin e tij, duke thënë me ironi se është habitur nga eficenca mbresëlënëse që nga dita kur Këshilli Bashkiak votoi pro propozimit për shkarkimin e tij deri tek dekreti i Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, duke lënë të nënkuptuar se kishte një skenar të koordinuar kundër tij.

Veliaj mbrojti me forcë idenë se procedura e ndjekur ndaj tij përfaqëson një rrezik për demokracinë.

“Në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune. Kjo është një seancë historike, që shqyrton vetë demokracinë shqiptare. Ne jemi betuar të mbrojmë demokracinë, jo ta përdorim atë. Të ruajmë si pasurinë më të shenjtë të Republikës, jo ta sakrifikojmë për llogari të momentit, për rehati politike apo për urdhra të përkohshëm, që bien ndesh me ligjin e përjetshëm të drejtësisë”, tha Veliaj.

Dhe për këtë arsye sipas tij “kjo është çështja gjyqësore që përcakton nëse pushteti do t’u përkasë ende qytetarëve apo do t’u merret atyre në mënyrë të fshehtë e hileqare, pas perdeve të lojërave me nene dhe germa të ligjit. Nëse ligji do të përdoret për të mbrojtur demokracinë apo për ta përmbysur atë në emër të formalizmave. Sepse kur pushteti që buron nga vota tjetërsohet me taktika për të anashkaluar vetë vullnetin e votës, atëherë besimi i qytetarëve kthehet në tradhti morale. Pushteti që ata na kanë dhënë për t’u shërbyer, përdoret për t’i sunduar, me të njëjtat mjete që na ka vënë në dorë për t’i mbrojtur. E atëherë, Republika nuk rrezikohet nga asnjë armik i jashtëm, por nga vetë ata që, nën betimin për ta mbrojtur, e përdorin për ta nënshtruar”.

Për Veliajn është e qartë se, rasti i tij, dhe mënyra se si u bë shkarkimi, mund të përbëjnë një precedent shumë problematik për të ardhmen.

“Nëse pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit mund të hiqet nga detyra pa vendim të formës së prerë, atëherë nga nesër çdo qytet, çdo bashki dhe çdo mandat popullor mund të bjerë pre e vendimeve politike të momentit.
Në atë çast, zgjedhjet humbin kuptimin, vota humbet peshën dhe sovraniteti qytetar zëvendësohet nga vullneti i atyre që duan të sundojnë në emër të ligjit, por duke e përmbysur vetë ligjin", theksoi Veliaj.

Pyetjes së trupës së gjyqtarëve të Kushtetueses për mungesën në detyrë, Veliaj iu përgjigj se mungesa e tij nuk është zgjedhje, pas me zemër do ishte në zyrë, por është i detyruar nga shteti, që siç tha ai një pjesë e ka çuar në Durrës në internim dhe një pjesë i thotë përse nuk je në Tiranë. Mungesa e tij në detyrë është me arsye tha Veliaj, duke theksuar se ndërkohë puna në Bashki nuk është ndërprerë edhe pse është në qeli, pasi detyra është deleguar. Veliaj tha se nuk kërkon mëshirë, por drejtësi Kushtetuese, duke theksuar se këtë betejë nuk po e bën vetëm për veten e tij, por edhe Ogertën, Florin apo Arlidnin, kandidatët që duan t’i zënë vendin në krye të Bashkisë së Tiranës.

Mbrojtja e Veliajt argumentoi se neni 62, pika c, i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të marrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve. Por, Këshilli i Ministrave kërkoi lënien në fuqi të vendimit për shkarkim, si edhe dekretin për zgjedhjet në Tiranë. 

Gjatë seancës u rrëzua edhe kërkesa e Presidencës, e cila kërkoi që dekreti për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë të mos jetë pjesë e këtij gjykimi, pasi sipas tyre nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa u rrëzua me vendim unanim nga Kushtetuesja, por kjo solli kritika nga këshilltari ligjor i Presidencës, Ilir Rusmaili i cili tha se Kushtetuesja po tejkalon komptencat duke marrë në shqyrtim një akt administrativ të Presidentit. 

Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tj, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza në total, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:40
Nga propozimi tek shkarkimi i Veliajt, avokati Dokushi rendit procedurat e kryera në kohë rekord: Tetë vendime brenda 1 dite

Një shpejtësi e pazakontë në kalimin e akteve për arritjen e shkarkimit. Kjo është ajo çka avokatët e Veliajt konstatuan gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese.

Avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Alban Dokushi ka renduar të gjithë procedurat e ndërmarra që nga Këshilli Bashkiak e deri tek firmosja e vendimit për shkarkimin nga Këshilli i Ministrave. Siç konstatoi dhe Veliaj, vendimet janë marrë brenda një harku kohor të shkurtër, gjë që nuk ka ndodhur në situata të tjera, që kanë qenë serioze për vetë Bashkinë e Tiranës.

“Nga të gjitha materialet e dërguara nga Gjykata Kushtetuese që përbëjnë procedurën që nga propozimi deri tek shkarkimi i Veliajt, vërehet se mbledhja e Këshilli Bashkiak është caktuar më datë 23 shtator. Në datë 24 është bërë zbardhja dhe protokollimi i vendimi të Këshillit Bashkiak. Po në datë 24 është dërguar për konfirmim tek Prefekti i Tiranës, po në datë 24 shtator prefekti e ka dërguar vendimin e konfirmuar Këshillit Bashkiak dhe i ka dërguar vakancën Këshillit të Ministrave.

Po në datë 24 shtator Ministri për Pushtetin Vendor ka propozuar projekaktin për shkarkimin e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj. Po në datë 24, ministri i Drejtësisë ka dhënë mendim për projektaktin, po në datë 24, është përfshirë si shtesë në rendin e ditës. Në datë 25 shtator ka ndodhur vendimi për shkarkimin e kryetarit të bashkisë”, tha avokati i Veliajt, Alban Dokushi.

Ora 17:03
VIDEO/ Pas 7 orëve maratonë, mbyllet seanca në Gjykatën Kushtetuese, Erion Veliaj niset drejt paraburgimit në Durrës: Ju dua shumë

 

Pas një seancë maratonë përreth 7 orë për shqyrtimin e kërkesës së Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga detyra, trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese është tërhequr për vendim. Erion Veliaj sapo ka lënë ambientet e Gjykatës Kushtetuese dhe në shoqërimin e Policisë së Burgjeve, u nis përsëri drejt qendrës së paraburgimit në Durrës. Teksa hipën në furgonin e policisë, disa simpatizantë të tij bërtasin 'Forca kryetar' ndërsa Veliaj u përgjigjet 'Ju dua shumë'.

Sakaq, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj tha se data dhe ora për shpalljen e vendimit do të njoftohet në vijim.

 

Ora 16:39
Veliaj - Këshillit të Ministrave: Nesti Angoni nuk ekziston, ndoshta s’do më kishit shkarkuar se nesër ky mund të shpikë dhe për juve!

Erion Veliaj në pyetjen drejtuar përfaqësuesëve të Këshillit të Minisitrave, kërkoi të dinte se çfarë mund të kishte ndryshuar nëse do të ishte thirrur në mbledhjen e ditës kur u firmos dhe shkarkimi.

Veliaj u shpreh se diskutimi do të kishte bërë të mundur thënien e disa të vërtetave. Kryebashkiaku në detyrë tha se ndoshta Këshilli i Ministrave do të ishte stepur nga vendimi nëse do të kishte marrë vesh se prokurori që po e heton është në konflikt interesi me personin në hetim. Erion Veliaj nuk la pa përmendur dhe Nesti Angonin, emri me të cilin është regjistruar kallëzimi në SPAK për Veliajn, duke thënë se nesër Nesti mund të shpikë dhe për ato që ndodhen sot në Këshillin e Ministrave.

 Veliaj vijon të thotë se kryetarët e bashkive janë në presion të vazhdueshëm nga prokurorët e SPAK me qëllim futjen e personave të afërm në punë, ndërsa shton se pasi këto kërkesa nuk plotësohen, kërcënime mbërrijnë nëpërmjet avokatëve.

“A do të kishte ndryshuar gjë nëse unë do të ftohesha në Këshillin e Ministrave. Nuk mund ta di. Por di të them se forca e argumentit njerëzit i ndryshon. Nëse do ju thoja që jam në konflikt interesi me një prokuror për të cilin ka pasur debate për një leje ndërtimi. Ndoshta nuk do ishit nxituar dhe do të thonit që një. Ndoshta duhet të ndërhyjmë në ligjin e konfliktit të interesit që një prokuror e një kryetar bashki nuk mund të hetojnë njëri tjetrin kur janë në konflikt interesi.

Nëse do ju thosha që jam prej një njeriu që nuk ekziston, ndoshta këshilli i ministrave do më dëgjonte dhe do të thonte, prit pak se ky Nesti mund të dali nesër dhe të thurë për nene intriga. A do të lëshojmë njerëzit tek hijenat? Kë do të kallëzoj unë për kallëzim të rremë nëse kjo histori nuk është kështu? Ndoshta KM do të thonte që kjo është një mundësi për të filluar një iniciativë ligjore per të mbrojtur kryetarët e bashkive.

Po nëse do të thoja që të gjithë kryetarët e bashkive janë në presion konstant se prokurorët e posaçëm i kërkojnë që t’iu fusin të gjithë fisin në punë. Kjo është e vërtetë dhe në Bashkinë e Tiranës. Ju do të shqetësoheshit si janë të pambrojtur këto njerëz? Ju kërkojnë prokurorët e SPAK leje ndërtimi e t’i fusin njerëzit në punë, dhe kur nuk ia bën i thonë avokatit ia tregoj unë atij. Dëgjesa do na mundësonte të flisnim dhe të dëgjonit historitë përse unë jam në burg”, tha Veliaj.

Ora 16:27
Seanca në Kushtetuese/ Veliaj: Kreu i Rrogozhinës u dënua 1 vit burg e vijon në detyrë, unë i pafajshëm dhe në burg! Po veprohet me dy standarde

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj në senacën në Gjykatën Kushtetuese solli edhe shembullin e kryetarit të Rrogozhinës, për të cilin tha se u dënua por vijon të jetë në detyrë, ndërsa ai u fut në burg ndërkohë që ende nuk ka një vendim. Veliaj tha se po veprohet me dy standarde.

“Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës është dënuar me 1 vit burg dhe vazhdon kryen detyrën, unë jam i pafajshëm, i paraburgosur dhe largohem nga detyra. Këshillë për të ardhmen, është më mirë të bësh një krim por sa kohë vijon burgu është më mirë, apo mos të bësh asnjë krim dhe në ruajtjen e pafajësisë tënde tri paraburgosesh. Kush prevalon?

S’ka një vendim të formës së prerë. Kemi standard të dyfishtë. Për dikë të pandehur aplikohet krimi, për dikë të dënuar duhet të presim vendimin përfundimtar”, tha Veliaj.

Ora 16:23
‘Çfarë dokumenti morët për bazë për mungesën e Veliajt në krye të detyrës?’, përfaqësuesi i Kryeministrisë: Dihej botërisht

 

Avokati i Erion Veliaj në seancën që po mbahet në Gjykatën Kushtetuese, pyeti përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave se cili ishte dokumenti me anë të cilit ky organ vërtetoi mungesën e kryebashkiakut për shumë se 3 muaj në krye të detyrës.

Pyetja: Pretendohet që nuk kishte rëndësi thirrja, prezenca e zotit Veliaj tek këshilli i ministrave për shkak se fakti që ai mungonte ishte evident, ishte konstatuar nga këshilli bashkia dhe nuk do ndryshonte asgjë. Mirëpo aktet shkresat praktikat që erdhën nga këshilli bashkiak, cila prej shkresave akteve vërteton faktin! Se munginte vendimi i masës së sigurisë, mungonte lista prezencca, mungonte një shkresë nga burimet njerëzore. Në mungese të këtyre akteve si e konstatoi këshilli i ministrave mungesën?

Përgjigje: Këshilli i ministrave e kontatoi në 2 variante. E para nga propozimi i këshillit bashkia, miratimi i prefektit dhe fakti i njohur botërisht.

Ora 15:51
Rusmali në Kushtetuese: Ju vetë e keni thënë se neni 115 nuk vepron për të gjitha shkarkimet! Përndryshe presidenti s'do kishte nxjerrë dekretin

 

Përfaqësuesi i presidencës, Ilir Rusmali thotë se ankimimi i Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese ishte nul sepse nuk është shkarkuar për shkelje kushtetuese. Sipas tij, nëse një kryetar bashkie ankohet në gjykatë për një çështje të caktuar, kjo e fundit nuk mund të pezullojë gjithçka vetëm se është i zgjedhur vendor. Sipas Rusmalit, vetë Kushtetuesja ka thënë se neni 115 i Kushtetutës nuk vepron për të gjitha shkarkimet. 

Ai thotë se nëse shkarkimi i Veliajt do të ishte bërë referuar nenit 115, atëherë presidenti nuk do të kishte ndërmarrë veprimin për të dekretuar zgjedhjet. Rusmali tha më tej se shkarkimet e tjera që nuk kanë lidhje me nenin 115, por me 62 si në rastin që ai argumenton për Veliajn, nuk ka motiv ligjor për t'i penguar.

Pjesë nga diskutimi: 

Zaçaj: A mund të pezullohen zgjedhjet kur i shkarkuari ka sjellë ankim?

Rusmali: Nëse një kryetar vjen në Gjykatën Kushtetuese dhe sjell kërkesë padi për divorc nuk do t’i thoni ou je kryetar bashkie dhe do pezullohet gjithçka. Do shikoni kush është shkaku ligjor i ankimit dhe në këtë rast do ta refuzoni me shkresë të thjeshtë të sekretarit të përgjithshëm. 

Zaçaj: Nuk janë të ngjashme rastet. 

Rusmali: Verifikimi i kompetencës ka lidhje me pikën 1 të nenit 115. Nëse ankimi nuk ka lidhje me pikën 1 të nenit 115 nuk mund të pretendojë ankuesi të përfitojë nga garancitë e pikës 2 apo 3. Dhe presidenti sheh nëse jemi përpara rastit të shkarkimit sipas pikës 1 të nenit 115. Nëse përgjigjia është negative nuk ka më diskutime. Ju e keni thënë se 115 nuk vepron për të gjitha shkarkimet. Nëse do thoshit se vepron për të gjitha shkarkimet, padiskutim që presidenti nuk do të kishte marrë këtë veprim. 

Zaçaj: Mënyra se si vepron presidenti niset nga 115 3, verifikon nëse ka ankim dhe sheh nëse përmbushet neni 115 1 dhe më pas vepron për dekretim zgjedhjesh?

Rusmali: Presidenti nuk sheh fillimisht 115, por praktikën që i vjen në derë dhe shikon se kush është shkaku ligjor për shkarkimin i përmendur nga Këshilli i Ministrave, dhe nëse shkarkimi nëse është sipas c 62, dhe është i mbështetur në bazë të këshillit bashkiak. Më pas eventualisht nëse shkarkimi është sipas 115 atëherë interesimi i parë është nëse ka ankim brenda afateve kushtetuese për ankim. Nëse është shkarkim sipas 115, presidenti nuk mund ta konsiderojë njoftimin nga këshilli i ministrave pa kaluar 15 ditë, edhe pse afati është 48 orë, por shkarkimi duhet të jetë sipas 115. Shkarkimet e tjera që nuk kanë lidhje me 115 nuk ka motiv kushtetues e ligjor për ta penguar. 

Ora 15:39
Veliaj në Kushtetuese, seanca ndërpritet për afro 20 minuta pushim

 

Seanca që po mbahet sot në Gjykatën Kushtetuese, ku shqyrtohet ankimimi i kryebashkiakut Erion Veliaj për shkarkimin e tij, është ndërprerë për 20 minuta pushim. Seanca, e cila po zhvillohet për rreth 5 orë, pritet të rinisë në orën 16:00.

Ora 14:48
Rusmali kritika Kushtetueses: Duhej të shpreheshit për vendimin për shkarkimin e Veliajt! Më pas i takonte presidentit të pezullonte dekretin, jo juve

 

Ilirjan Rusmali, përfaqësues i Presidencës, duke diskutuar për vendimin e qeverisë për shkarkimin e Veliajt dhe dekretin për zgjedhjet që pasoi më pas, tha se Gjykata Kushtetuese duhet që të kishte ndërhyrë në kohë për të shmangur paqartësitë e mundshme dhe “të ndihmonte të gjithë palët për ta zgjidhur menjëherë”.

Ai tha se Gjykata Kushtetuese i rrëmbeu kompetencën presidencës duke pezulluar dekretin për zgjedhjet në Tiranë, në vend që të merrej me ankimimin e shkarkimit nga detyra të Veliajt. Sipas tij, nëse gjykata do të ishte shprehur për këtë ankimin, atëherë i takonte presidentit që brenda ditës të pezullonte dekretin si kompetencë e tij.

“Me këtë përmbajtje, presidenti do të shkelte edhe kushtetutën e ligjit nëse do e pezullonte. Presidenti nuk përfshihet në thelbin e çështjeve, nuk bëhet aktor dhe nuk merr vendime si organet e tjera. Sidomos kur rastet kanë lidhje me politikën dhe zgjedhjet, rri larg procesit, prandaj nuk mund të ndërmarrë veprime që cenojnë pozitën e vet kushtetuese. Është e vërtetë se presidenca ka diskutuar gjatë për këtë çështje sikurse ka pritur edhe sinjal nga Gjykata Kushtetuese dhe e kemi diskutuar shumë opsionin që t’i adresoheshim GJK por kemi parë pengesën e fortë ligjore për t’u adresuar. Nuk është rasti i parë, kemi parë të tjera që kemi dashur të angazhohemi në dialog me Gjykatën Kushtetuese, dhe jemi frenuar për faktin se gjykata ka ligj të rreptë dhe as opinionit puiblik nuk i bënte punë një shkresë nga Sekretari i Përgjithshëm. Po them as nga kryetarja e gjykatës nuk i bënte punë. Kryetarja ka shprehur vullnetin e saj por nuk ka kompetencën që të tërheqë opinionin e anëtarëve dhe t’i kumtojë ato. Pritëm në maksimumin e kohës së mundshme që gjykata, nga vetja, kishte një ankesë të dhënë përpara, por të ndante shapin nga sheqeri dhe të ndihmonte të gjithë palët për të zgjidhur menjëherë dhe ligjërisht këtë gjë.", theksoi Rusmali. 

Sipas tij, edhe Veliaj nuk mund të atakonte dekretin e presidentit për sa kohë nuk ka interes zgjedhor. Ai ka të drejtën që të bëjë ankimimin në gjykatë për shkarkimin nga detyra por jo dekretin.

"Dekreti dhe vendimi për shkarkimin nuk kanë lidhje. Prandaj thashë se subjekti nuk atakon dot dekretin sepse duhet të ketë interes zgjedhor,. Ka të drejtë të atakojë aktin e shkarkimit, por jo dekretin. Është proces pasues, por jo i lidhur. Shkarkimi mbyllet me vendimin e Këshillit të Ministrave. Nuk keni vendosur të merrni nën kompetencë një akt që se merrni dot, ndaj nuk pezullohet. Por ne kemi thënë se mekanizmi ligjor që ju bënte punë ju ishte në këmbë. Thjesht nuk duhet ta injoronit. Nëse pezullonit aktin që keni detyrë të pezulloni, presidenti është i detyruar të ndërpresë veprimin. Duke shkuar jo në rrugën ligjore korrekte, por duke kapur veshin nga pas kokës, keni zhveshur presidentin nga një kompetencë që mund ta ushtronte vetë. Nëse pezullohej vendimi i shkarkimit, presidentit i takonte të ndërhynte dhe të pezullonte efektet e dekretit. Ose nëpërmjet shfuqizimit, por presidenti e kishte mekanizmin ligjor dhe duhet të vepronte nëse merrnit vendimin që iu takonte sipas kompetencës. “, tha ai.

Ora 14:17
A mund të përcaktojë presidenti se ku duhet shqyrtuar një çështje? Rusmajli: Sqarimi ynë për dekretin ishte ligjor, jo urdhërues

 

Ilirjan Rusmali, përfaqësues i Presidencës, u pyet nëse Presidenca ka kompetencë që të përcaktojë juridiksionin e trajtimit të një çështjeje, në këtë rast të dekretit për zgjedhjet në Tiranë pas shkarkimit të Erion Veliajt. Ai tha se fjala e presidentit është keqinterpretuar dhe se presidenca nuk mund ta përcaktojë këtë sepse është vetë pala që zgjedh mjetin ligjor se ku duhet që të drejtohet. Por shtoi se mund të japë sugjerim.

“Lidhet me një keqinterpretim të fjalës, presidenti nuk ka përcaktuar në asnjë rrethanë juridiksionin, thjesht ka lexuar relacionin shoqërues të qeverisë që ka përcaktuar me detaje. Ne kemi detyrim të lexojmë dhe studiojmë materialet që na vijnë për veprim dhe thjesht e kemi lexuar. Nuk i kemi përcaktuar askujt asgjë në raport me të drejtën e ankimit aq më tepër që jemi të vetëdijshëm që çdo referencë ka natyrën e një sugjerimi, pala është sovrane të zgjedhë mjetin ligjor mbrojës që ajo konsideron se i shërben interesave të veta. Nuk është funksion i asnjë organi shtetëror që merr vendime pararësisht se rëndon në të gjitha vendimet që kanë lidhje me interesat e palëve se ndaj këtij vendimi keni të drejtë të ankoheni këtu e atje, është sqarim ligjor por jo urdhërues. Ne s'e kemi as këtë sqarim ligjor, dekreti nuk thotë se ku duhet të shkoni për t’u  ankuar. Dhe pavarëissht përpjekjeve të mëdha nga media për ta lidhur institucionin e presidentit me një deklarim të tij, ne kemi thënë se dekreti është akt i ankimueshëm dhe si çdo akt i institucioneve publike. E drejta e ankimit është kushtetuese, por cdo palë është e lirë të zgjedhe vetë mjetin mbrojtës. “, tha ai.

Ora 14:06
Rusmaili kritika Kushtetueses: Shqyrtimi i dekretit të Presidentit, nuk është kompetencë e juaja

 

Me kritika të forta iu adresua këshilltari ligjor i Presidencës, Ilir Rusmaili Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo e fundit rrëzoi kërkesën e tyre që dekreti për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë të mos jetë pjesë e gjykimit në çështjen e Erion Veliajt. Duke mbrojtur dekretin e Presidentit dhe duke theksuar se ai është kushtetues, Rusmaili tha se shqyrtimi i një akti administrativ nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese.

Rusmaili tha se Presidenti ka bërë vetëm detyrën dhe se mosdekretimi i zgjedhjeve do ishte ‘atentat’ Kushtetues.

“I qëndrojmë parashtrimeve të dorëzuar më datë 15 tetor. Dekreti i Presidentit ka qenë kushtetues në datë 1 tetor, kur ai u mor dhe ngelet i tillë sot se ka qenë kushtetues në atë datë. Dekreti ka qenë i tillë dhe mbetet i tillë për shkak se kushtetuta e bënin dekreti kushtetues.

Ju e shihni veten kompetentë për të marrë në shqyrtim dhe për të vendosur me dekretin se e shihni të lidhur me çështjen e themelit Ju nuk thatë sot që dekreti nuk është akt administrativ, ndryshe nga qëndrimet e mëparshme të kushtetueses. Ju e shihni të lidhur, nuk kemi asgjë për të kontestuar, vetëm se shohim disa probleme të vogla, është normale që shumicën e çështjeve që vijnë para GJK të gjetjet një lidhje me aktet zbatuese. Nëse lidhja tërheq kompetencën tuaj për gjykimin e këtyre akteve, ju mund të ndodheni para situatës ku ju duhet të jepni ose hiqni leje ndërtimi, apo leje legalizimi, apo akte të tjera administrative. Kjo është e rrezikshme për Kushtetueses se e nxjerr atë jashtë funksionit të vet kushtetues. Në fund të ditës ju do jeni të detyruar të merrni një vend në raport me dekretin dhe do përballeni me faktin. Kushtetua ja lejon të shqyrtoni aktin për shkarkimin e presidentit dhe aktin e KM për shkarkimin e të zgjedhurve vendor kur kryhen shkelje të rënda të kushtetutës ose ligjit. Nëse është e tillë pse nuk janë te neni 131 i kushtetutës, pse nuk ka kompetencë që përcakton kompetencën tuaj për të marrë në shqyrtim dhe për të shqyrtuar në themel dekretet të presidentit, nëse nuk është, do të thotë që kompetencën nuk e keni”, tha Rusmaili.

Ora 13:50
Qosja: Veliaj ka pasur dijeni për nismën e shkarkimit! Sekretari i Këshillit Bashkiak ka për detyrë organizimin e mbledhjes

 

Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Irma Qosja në seancën publike për ankimimin e Erion Veliajt që po mbahet në Gjykatën Kushtetuese, u ndal edhe te pretendimi i Kryebashkiakut se është informuar përmes sekretarit të Këshillit, që sipas të cilit, nuk e ka për kompetencë. Por Qosja tha se, sipas nenit 57 të ligjit të posaçëm, sekretari ka për detyrë të kryejë të gjitha procedurat për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak, përfshirë edhe informimin e kryetarit të bashkisë, për të cilin po zhvillohet mbledhja.

“Sa i përket pretendimeve për cenimin e së drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, ashtu sikurse kërkuesi ka pohuar, rezulton se ka pasur dijeni për nismën për shkarkimin e tij. Informacion që është konfirmuar me shkresën e datës 22.09.25 i Këshillit Bashkiak. Në nenin 57 të ligjit të posaçëm rezulton se detyra te sekretarit të këshillit përfshin mbajtjen e dokumenteve zyrtare të këshillit, njoftimin për zhvillimin e mbledhjeve të këshillit, shpalljen dhe publikimin e akteve të këshillit etj. Referuar kësaj dispozite, pretendimet i kërkuesit se njoftimi i sekretarit nuk ka asnjë vlerë juridike është i pabazuar se ligji e ka ngarkuar me detyra me mbajtjen e dokumentacionit dhe kryerjen e detyrave për zhvillimin e mbledhjeve.” , tha ajo.

Ora 13:12
VIDEO- Siguri e lartë për Veliajn, shefi i Operacionales së Burgjeve çohet në këmbë sa herë kryebashkiaku i përgjigjet pyetjeve

 

Ndonëse ndodhet brenda sallës modeste të seancave të Gjykatës Kushtetuese, në një godinë nga më të ruajtur, si pjesë edhe e kompleksit ku janë dhe zyrat e Parlamentit,  procedurat e sigurisë për Erion Veliajt kanë qenë të habitshme gjatë procesit.

Sa herë që ai ngrihej në këmbë, nga vendi ku qëndron i ulur mes dy avokatëve të tij, për t’iu përgjigjur pyetjeve, në të njëjtën kohë me të, çohet dhe Besim Cara, Shefi i Operacionales se Burgjeve. Cara qëndron i ulur në tavolinën pas Erion Veliaj, dhe ishte ai që e shoqëroi kryebashkiakun në detyrë, nga qelia e paraburgimit në Durrës, deri në Gjykatë.

Ora 13:10
Këshilli i Ministrave: Të lihet në fuqi shkarkimi i Veliajt dhe dekreti për zgjedhjet! Vendimi u bazua në ligjin mbi vetëqeverisjen vendore, jo në dispozita kushtetuese

Përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave po parashtrojnë argumentet e tyre në lidhje me vendimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga kryetari i bashkisë së Tiranës. Në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesja Irma Qosja tha se mjafton vetëm fakti i mungesës për afatin 3 muaj  në detyrë për të shkuar te shkarkimi. 

Ajo tha se ligji i qeverisjes vendore nuk ia lejon kryetarit të bashkisë që të mungojë për tre muaj edhe kur ka arsye për këtë, ndryshe nga Kushtetuta që e lejon deputetin ta mbajë mandatin kur ka arsye për mungesën e tij. Kjo sipas saj, se kryetari i bashkisë është organ monokratik me kompetenca ekzekutive. Si rrjedhojë, ajo tha se vendimi për shkarkimin dhe dekretin për zgjedhjet duhet të lihen në fuqi. 


“Pretendimet e  kërkuesit evidentojnë mungesën e kompetencës së gjykatës për këtë çështje se mungesa e tre mujorit nuk është rast i shkeljes së rëndë dhe nuk ka të bëjë me nenin 115 të kushtetutës. Kjo dispozitë nuk parashikon të vetmin rast ku mund të shkarkohet organi i zgjedhur, kryetari i bashkisë. Kjo dispoozitë trajton shkarkimin për shkelje të rëndë si një nga rastet e mundshme të përfundimit të mandatit të parakoshshëm. Rasti kur organi ka kryer një shkelje të rëndë është më i rëndësishmi dhe për këtë arsye kushtetuesbërësi e ka gjykuar që ta rregullojë atë shprehimisht në kushtetutë. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të shkarkohet ose ti përfundojë mandati për arsye të tjera objektive, të cilat mund të mos vijnë si pasojë e shkeljes së në detyrë apo vullnetit të tij, pretendimet e kërkuesit se qëllimi i ligjvënësit ka qenë të detajojë tre raste yë shkeljes së rëndë, nuk qëndron. I referohemi i nenit 62, që ka detajuar tre rastet, shkelje të rënda të kushtetutës e ligjit, dënimin për kryerjen e një vepre penale me vendim të formës së prerë, dhe mosparaqitja në detyrë për 3 muaj. Tre rastet janë paraqitur si alternativa të ndara, dhe shkeljen e rëndë e ka të pasqyruar si thjesht në njërën prej tyre. Nëse do të ishte i vërtetë pohimi i kërkuesit  se edhe këto raste bien brendsa logjikës së shkeljes së rëndë, atëherë ligjvënësi do të kishte ndjekur teknikë tjetër, duke i vendosur këto dy pika si nënndarje të pikës A. Fakti që janë listuar në mënyrë të mëvetshme, tregon se dy rastet e tjera nuk kanë lidhje me shkeljen e rëndë.”, tha ajo.  

Më tej, ajo kërkoi që Gjykata Kushtetuese të shpallë moskompetencë për këtë ankimim për shkarkimin. 

“Duhet t’i drejtohet gjykatave të juridiksionit të zakonshëm dhe jo gjykatës kushtetuese pasi nuk ka kompetencë për këtë çështje. Në vlerësimin tonë, kërkesa qëndron jashtë sferës së nenit 115 të Kushtetues dhe kërkojmë që gjykata ta shpallë moskompetencën për këtë çështje.", tha ajo. 
 

Ora 13:04
A do e shkarkonin nëse Veliaj do lirohej nga qelia? Ja si përgjigjet përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave

 

Herald Jonuzaj, drejtor juridik në Këshillin e Ministrave, u pyet edhe nëse do të vijonin me shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës nëse ai do të lirohej nga qelia. Ai tha se përsa kohë është përmbushur afati i mosparaqitjes në detyrë, 3 muaj, do të shkarkohej.

“Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin bazuar në konceptimin e afatit të përmbushjes së afatit 90 ditor ( mungesës në detyrë), pavarësisht se nëse një ditë më pas në tejkalim të këtij afati, kryetari i bashkisë do të ishte i lirë për të ushtruar funksionet”, tha ai.

Ora 12:56
Veliaj në Kushtetuese: Për mungesën time mund të ankohet vetëm familja! Djalin e kam takuar më shumë në burg sesa në liri

 

I votuar nga Këshilli Bashkiak për tu shkarkuar nga detyra për shkak të mungesës në punë, Erion Veliaj tha se të vetmit që mund të ankohen për mungesën e tij, janë nëna dhe familja.

Veliaj tha se më shumë djalin e ka takuar në burg sesa kur ishte në shtëpi, të cilin e linte dhe e gjente në gjumë për shkak të detyrës që mbante.

“Kjo “akuzë” nuk më lëndon për fjalën dhe shkresat e shkreta, por për padrejtësinë që ajo përfaqëson. Siç thotë shprehja: Dy padrejtësi nuk prodhojnë drejtësi.

Padrejtësia e shkarkimit mbi padrejtësinë e ndalimit nuk janë zgjidhje. Sepse të thuash se Erion Veliaj ka munguar në detyrë, nuk është thjesht cinizëm me Erion Veliajn, por me të vërtetën dhe me ligjin.

Mbi të gjitha, e thënë nga ata që kanë qenë dëshmitarë të rrëmbimit nga zyra pa asnjë akuzë, ngjan si një mesazh pasigurie për këdo që mund të shënjestrohet për arsye politike. Ngjan si një mesazh se në këtë vend sundon dëshira dhe vullneti politik, dhe jo ligji.

Nëse është dikush që mund të ankohet për mungesën time, është vetëm nëna dhe familja ime — për një mungesë 10-vjeçare, askush tjetër.

Ata i kam takuar më shumë në burg se në liri, ku prej punës i lija dhe i gjeja në gjumë”, tha Veliaj.

Ora 12:47
‘A mbrohet interesi publik?’, Veliaj-përfaqësuesit të qeverisë: Pyesni edhe qytetarët e Tropojës? Do ishte në dobi të shqetësoheni edhe për masat e paraburgimit

 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj iu përgjigj pyetjes së një përfaqësuesi të Këshillit të Ministrave nëse mbrohet interesi publik kur një i zgjedhur nuk kryen për shumë arsye detyrën e kryebashkiakut.

Veliaj tha se këtë pyetje do të duhet që ta bëjnë edhe qytetarëve të Tropojës, kryebashkiaku i të cilëve qëndroi në arrest shtëpiak për 11 muaj. Më tej, i thotë që në integritet të zyrës që përfaqëson duhet të shqetësohen edhe për masat e paraburgimit që jepen.

“Kjo pyetje do të ishte e ndershme që t’ua bëni edhe qytetarëve të Tropojës. Nëse për ata jeni ok që të rrinë 11 muaj pa kryetar bashkie dhe nuk e bëni këtë pyetje por kjo specifikon vetëm një njeri dhe targeton një njeri nuk më duket normale. Tregon se po bëni diferencime. Përsa kohë që kanë të vlefshme delegimet e kryetarit të bashkisë së Tropojës dhe nuk iu kanë shqetësuar, nuk duhet t’u shqetësojë fare që kam bërë delegimin e vullnetit tim në një pamundësi të organizuar nga vetë shteti. Mua më dukem se futem në një labirinth me këtë pyetje, ku një pjesë e shtetit ka kapur, pjesa tjetër po ta bën mullar padrejtësinë. Në dobi të vendit dhe të integritetit të zyrës që përfaqësoni që të shqetësoheni për masat e paraburgimit, disproporcionalitetin dhe duke mbajtur dy standarte nuk po prodhoni drejtësi”, tha Veliaj.

Ora 12:45
Rastet e përfundimit të mandatit parakohe, Erion Veliaj i përgjigjet Këshillit Bashkiak: As nuk kam vdekur, as nuk jam dënuar e as nuk kam ikur nga Tirana

 

Nga përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak, pyetja që iu drejtua Veliajt dhe mbrojtjes së tij ishte lidhur me rastet e përfundimit të mandatit parakohe të kryetarit të bashkisë dhe me përputhshmërinë e nenit 61 për vetëqeverisjen vendore.

“Rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit të bashkisë, a është në përputhje me kushtetutën neni 61 për vetëqeverisjen vendore

Kur kryetari i bashkisë vdes - Nuk kam vdekur.

Kur humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim të gjykatës të formës së prerë - nuk ka vendim të formës së prerë.

Kur kandidon për deputet – nuk isha prej atyre kryetarëve që të kandidoja për deputet.

Nuk është banor i përhershëm i bashkisë- jam përkohësisht në Durrës, kjo është masë e parakohshme.

Jep dorëheqjen - Nuk më është kërkuar dhe nuk e kam dhënë dorëheqjen.

Nuk pranoi betimin – pikërisht se  kam bërë betimin jam këtu”, tha Veliaj.

Ora 12:38
Ankimimi i Veliajt, Kushtetuesja ndërpret seancën për 30 minuta

 

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj njoftoi pushim për 30 minuta. Në orën 13:05, do te vijohet me shqyrtimin e ankimimit të Veliajt kundër shkarkimit të tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.

“Do të bëjmë gjysmë ore pushim dhe do të vazhdojmë me subjektet e interesuara. Gjykata do të kthehet në orën 13:05.”, tha kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj.

Ora 12:20
Veliaj kritika për shkarkimin: Nuk më njoftuan, ky është cinizëm ndaj ligjit

 

Kyebashkiaku Erion Veliaj në seanën në Gjykatën Kushtetuese pati edhe kritika për procedurën që ndoqi Këshilli Bashkiak për propozimin për shkarkimin e tij. Veliaj tha se nuk  njoftuar fare dhe ky është cinzëm ndaj ligjit. Më tej, ai tha se vendimi për pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e Këshillit duhej të hidhej në votim dhe nuk mund të merrej nga një person, referuar sekretarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

“Nuk më kanë njoftuar mua ata, kam njoftuar unë ata pasi pashë mediat, dhe përgjigja cinike po munde eja, është fyese. Ky është cinizëm ndaj ligjit, nuk është një person që duhet ta merrte këtë vendim”, tha Veliaj.  

Mbrojtja e Erion Veliajt tha se kryebashkiaku, pasi është informuar për mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të votuar për propozimin e shkarkimit të tij nga detyra, i është drejtuar me një shkresë Drejtorisë së Burgjeve dhe SPAK. Veliaj ka kërkuar të dijë nëse ka pasur kërkesë nga Këshilli për të marrë pjesë në këtë seancë dhe për t’u dëgjuar, por ka marrë përgjigjen se nuk ka pasur asnjë letër.

“Nga kryetari i bashkisë, pasi është vënë në dijeni, mbi mbledhjen e Këshillit Bashkiak, i është drejtuar me shkresë drejtorisë së Burgjeve që keni kërkesë nga këshilli që të thërritem e të dëgjohem. Kështu i është bërë edhe SPAK nëse do të jepte miratimin apo jo. burgjet kanë kthyer përgjigje se nuk ka asnjë kërkesë nga këshilli”, tha avokati.

Ora 12:15
Veliaj në Kushtetuese: Sot gjendem në një roman të Kafkës, një pjesë e shtetit më mban në Durrës, një pjesë më thotë pse nuk je në Tiranë

 

Në seancën në Gjykatën Kushtetuese, kryebashkiaku Eion Veliaj thotë se ndodhet në një absurditet, në një roman të Kafkës, siç e cilësoi ai. Veliaj thotë se një pjesë e shtetit e mban në Durrës dhe një pjesë i thotë pse nuk je në Tiranë.

“Përgjigja e ndershme do ishte kjo, për shpirt do doja të isha në zyrë, jo në burg me delegim. Një strukturë e shtetit më mban në Durrës, një strukturë e shteti më thotë pse nuk je në tiranë, duke pasur parasysh raportin e Venecias kujdes me masat e kryetarëve të bashkive, nuk janë vetëm të drejtat e individit që po shkeljen, por edhe të qytetarëve, sot gjendem në një absurditet, në një roman të kafkës”, tha Veliaj.

Ora 12:11
Veliaj ironi me stafin e Bashkisë: Zelli i tyre politik kapërceu Kushtetutën! Flet për Ristanin: Nuk e kam penguar unë punën në Tiranë nga burgu

 

Erion Veliaj ka thënë se ishte iniciativa e tij për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe se ishte njoftuar vetëm disa orë përpara mbledhjes që të parashtronte argumentet e tij me shkrim.

Veliaj tha se stafi i tij ishte mësuar që nuk kisha marrë asnjëherë ditë pushimi, dhe se për 15 ditë mungesë, zelli i tyre politik kapërceu Kushtetutën.

“Në kushtet e izolimin nuk lejohet laptop, kam një USB, por nuk kam ku e hap për ta shikuar. Koha e pamjaftueshme, e iniciova unë procedurën, duhet të ishte këshillit të më një njoftonte. Sekretari duhet të merrte një votim të këshillit për të më lejuar të paraqitem. Duhet thuash dikujt që për për pak orë, pa dije të plotë çfarë do të diskutohet, krimi që kam bërë, për çfarë mungese, për të plotësuar dhe avokati. Kërkesa e parë është bërë 15 ditë pasi u arrestova. Këshilli Bashkiak ishte mësuar që nuk merrja as 10 ditë pushime.

Ishte çudi për këshillin që nuk kisha marrë ndonjëherë pushime sa për 15 ditë zelli politik kapërceu Kushtetutën”, tha Veliaj.

Veliaj gjithashtu tha se nuk është bërë asnjëherë pengesë për të vijuar puna në bashkinë e Tiranës nëpërmjet kryetares së deleguar, aktualisht Anuela Ristani. Veliaj thotë se një pjesë e shtetit kërkojnë që ai të qëndrojë në internim e ndërsa një pjesë tjetër i thonë përse nuk ke ardhur.

“Në çdo rast që më të është kërkuar të veproj, kam vepruar. Nuk kam penguar unë Tiranën të mbjelli pemë as të pastrohet qyteti. Nuk është penguar Tirana të ketë ujë, drejtorët aty janë. Institucionet kanë qenë aty. Kjo është në gjendje që mu imponua. Një pjesë e shtetit duan që të rrij në Durrës në internim, të tjerë thonë përse nuk ke ardhur. A është i njëjti shtet ky?’ tha Veliaj.

Ora 12:01
Veliaj: Po sikur t'ia bëjnë këtë Ogertës apo të tjerëve? Kaosi i sotëm s'është asgjë me atë që do bëhej nëse shkarkimi im do bëhej standart

 

Erion Veliaj, gjatë seancës publike në Gjykatën Kushtetuese ku po shqyrtohet ankimimi, përmendi edhe rastin e kryetarit të bashkisë së Tropojës Rexhë Byberi, i cili nuk u shkarkua edhe pse ishte në 11 muaj arrest shtëpiak. Ai më pas lëshoi edhe një thumb teksa tha një gjë e tillë mund t’iu bëhet edhe kandidatëve për Tiranën, duke përmendur edhe Ogerta Manastirliun e socialistëve, që ai i akuzon se kanë shkelur bazat ligjore me veprimet që çuan në shkarkimin e tij.

“Kryetari i bashkisë së Tropojës ka qenë 11 muaj në shtëpi. A janë qytetarët të barabartë? Pse është ndryshe një qytetar i Tiranës me të Tropojës dhe pse tolerance në Tropojë është 11 muaj ndërsa në Tiranë është 2 javë, 3 muaj dhe 7 muaj. Dy gabime nuk prodhojnë më shumë drejtësi. Për ata që kanë argumentin po për qytetarët. Së pari kam unë një kontratë më qytetarët. Po sikur nesër t’ia bëjnë Ogertës, Florit, Arlindit. Kaosi që mendojmë se kemi tani nuk është gjë me kaosin nëse kjo kthehet në standart në të gjithë Shqipërinë.", tha ai. 

Më tej, Veliaj thotë se nuk kishte asnjë informacion dhe se për çfarë bëhej do të mblidhej këshilli bashkiak. Ai theksoi sërish se Këshilli duhet të kishte votuar për prezencën e tij, siç e kërkon rregulli. 

“As nuk kisha informacion as nuk kisha mundësi, as nuk dija për çfarë bëhet fjalë dhe ku vendim as nuk kalon në këshill për t'u ftuar zyrtarisht. Nuk më thërret sekretari, duhej hedhur në votë. T'i thuhet kryetarit sill observacionet, cilat janë akuzat. Si mund të mbrohem po a ditur për çfarë më akuzojnë?”, tha ai.

Ora 11:57
Veliaj ironizon: Efiçencë mbresëlënëse nga Këshilli tek dekreti i Presidentit brenda 8 orëve! U rrëmbeva si kryebashkiaku i Medellin në Kolumbi

 

Erion Veliaj thotë në Gjykatën Kushtetuese se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Këshilli Bashkiak për propozimin për shkarkimin e tij nga detyra, por është informuar nga sekretari i këshillit që nuk është anëtar. Ai ironizoi lëvizjet e ndërmarra teksa tha se brenda 8 orësh u morën 8 vendime nga propozimi i Këshillit Bashkiak, kalimi te Prefektura më pas kalimi në Këshillin e Ministrave, ku edhe u vendos për shkarkimin e tij, e deri te dekreti i presidentit për zgjedhjet. 

Veliaj tha se ata këshilltarë bashkiakë që votuan mund të bëhen edhe vetë viktimë e padrejtësisë si ai, ndërsa e krahasoi veten me rrëmbimin e një kryebashkiaku në Medellin të Kolumbisë.

“Ka dy mënyra se si thirret këshilli ose kryetari i bashkisë, ose në vendime të rëndësishme siç është buxheti. Ka edhe një mënyrë tjetër kur e thërret këshilli. Kur e thërrët këshilli, duhet të ftojë kryetarin. Nuk kam marrë përgjigje nga Këshilli por sekretari i këshillit që nuk është anëtar. Këshilli duhet të votonte për këtë ftesë. Kur gjykohet kryetari, duhet të merrte një votim për këtë ftesë dhe nuk mund ta linte këtë me një komunikim me sekretarin se nuk është as anëtar. Unë nuk kam parë eficencë me 8 vendime administrative me 8 vendime brenda orarit të punës në datën 24. Dmth një eficencë kur e kam kërkuar për ndihmë ekonomike, e kam kërkuar këshillin për lloj lloj situatash. Eficencë që fillon me këshillin bashkiak dhe mbaron me dekretin e presidenti është mbresëlënëse për eficencën e shtetit tonë. Kemi pasur situata të tmerrshme si pandemia apo tërmeti dhe nuk kanë kaluar me shpejtësi kaq të madhe nga një vendiim në orë. Ky është fshati që duket. Kjo kuptohet qartë që më është mohuar njoftimi, ftesa, e drejta për të qenë aty. Besoj se fjalët kanë peshë dhe kur njerëzve iu jepet mundësia që të shpehet në të kundërt diferenca do të ishte…ju keni bërë diferencën me këtë vendim sot për të dëgjuar palët. Prandaj thashë fyerja më e rëndë e jetës time se mu bë nga njerëz që e dinin përkushtimin tim. Për këtë them nuk e di se si do të ishte vendimi i tyre nëse do t’i shikoja në sy. Do t’ju kujtoja edhe faktin se nesër mund të jenë ata viktimë e kësaj padrejtësie. Ju jap një shembull, kryetari i bashkisë së Medellin u rrëmbye nga një organizatë terroriste dhe më pas iu plasi si mollë se po të rrëmbesh një kryetar krijohen zgjedhje dhe më pas mund të vësh atë që do ti dhe nëse s’ia qëllove me atë që rrëmbeve. ”, tha Veliaj.

Ora 11:40
Ankimi për shkarkimin, Veliaj në Kushtetuese: Vetëm kjo gjykatë mund ta rikthejë shtetin në binarët e Kushtetutës

 

Në fjalën e tij në Gjykatën Kushtetuese, Erion Veliaj tha se vetëm kjo gjykatë mund ta rikthejë shtetin në binarët e Kushtetutës.

“Nëse pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit mund të hiqet nga detyra pa vendim të formës së prerë, atëherë nga nesër çdo qytet, çdo bashki dhe çdo mandat popullor mund të bjerë pre e vendimeve politike të momentit. Në atë çast, zgjedhjet humbin kuptimin, vota humbet peshën dhe sovraniteti qytetar zëvendësohet nga vullneti i atyre që duan të sundojnë në emër të ligjit, por duke e përmbysur vetë ligjin.

Kjo nuk është demokraci. Kjo është përmbysje e demokracisë. Ky nuk është prezumim pafajësie, por prezumim fajësie, dhe aty ku pafajësia zëvendësohet nga paragjykimi, drejtësia pushon së ekzistuari. Unë nuk jam sot këtu për të kërkuar mëshirë apo privilegj. Vij për të kërkuar drejtësi kushtetuese.


Drejtësia është mburoja morale dhe fundore e Republikës, ajo që mbron rregullin që na mban bashkë si shoqëri.Ajo që e ndan shtetin e drejtë nga shteti i frikës, ligjin nga arbitrariteti dhe Republikën nga çdo formë sundimi.

Në këtë moment vendimtar, Ju nuk jeni thjesht një gjykatë që shqyrton një shkarkim nga detyra të një kryebashkiaku.
 Ju jeni — siç e ka përshkruar Alexander Hamilton, një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara — “trupi ndërmjetës midis popullit dhe pushtetit”, i krijuar për ta mbajtur pushtetin brenda kufijve që i ka caktuar Kushtetuta.

Kur pushteti e tejkalon veten, kur vullneti politik kërkon të zëvendësojë ligjin, vetëm gjykata juaj Kushtetuese ka fuqinë dhe detyrën ta ndalojë. Vetëm kjo gjykatë mund ta rikthejë shtetin në binarët e Kushtetutës dhe të mbrojë qytetarin nga abuzimi i pushtetit që ai vetë ia ka dhënë”, tha Veliaj.

Ora 11:35
Erion Veliaj: Bashkëpunëtorët më fyen më shumë se kushdo! Zot fali se nuk e dinë çfarë kanë bërë

 

Erion Veliaj në fjalën e Gjykatën Kushtetuese tha se argumenti i përdorur nga Këshilli Bashkiak për shkarkimin e tij nga detyra, ishte fyerja më e madhe që i është bërë ndonjëherë publikisht, sidomos nga fakti që erdhi nga bashkëpunëtorët e tij.

“Kjo është çështja gjyqësore që do të precizoje nëse pushteti do t’i përkasë qytetarëve apo do t’i merret pas ca lojërave me gërma e ligje.

Kur pushteti që buron nga vota, tjetërsohet nga taktika për të anashkaluar vetë vulletin e votës, besimin e qytetarëve kthehet në tradhti morale. Atëherë sipas meje, republika nuk rrezohet nga të jashtmit, por nga ata që në betim për ta mbrojtur, po e përdorin për ta nënshtruar.

Citon formulën e betimit si kryetar bashkie.

Jam këtu për të mbrojtur deri në fund betimin tim. Kontratë që ka qenë në zemrën time çdo moment e ditë. I kam qëndruar besnik këtij betimi dhe do ta mbroj dhe sot përpara jush. Besim për të drejtuar jo vetëm kryeqytetin, por të gjithë kryetarëve.

Mosprezenca në detyrë për më shumë se 3 muaj

Nuk kishte sesi të më fyenin më rëndë se kaq. Ka qenë fyerja më e rëndë publike për mua, erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo dhe që nuk denjuan, as të më ftonin, as të më njohin dhe as të më dëgjonin. Zoti i faltë se nuk e dinë se çfarë kanë bërë me atë vendim.

Erion Veliaj ka munguar në dytë, është një cinizëm më të vërtetën, dhe me ligjin. E thënë nga at që kanë qenë dëshmitarë të rrëmbimit tim nga qelia pa asnjë akuzë. Ngjan një mesazh që ne ketë vend sundon dëshira dhe vullneti politik dhe jo ligji”, tha Veliaj.

Ora 11:35
Veliaj në Kushtetuese: Mosprezenca ime në krye të Bashkisë së Tiranës nuk ka qenë zgjedhje, por izolim i imponuar nga shteti! Nuk zgjodha të rrëmbehem në një burg në kënetë

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se mosprezenca e tij në krye të Bashkisë së Tiranës nuk ka qenë zgjedhje, por izolim i imponuar nga shteti

"Punë nga e cila më shkëputën padrejtësisht dhe pabesisht ata që donin të më shihnin me pranga në duar e jo me lopatë në duar; ata që nuk më donin mua në atë zyrë, sepse ajo zyrë ishte bërë simbol i dashurisë për qytetin dhe punën — epiqendër e optimizmit dhe një energjie pozitive të pafundme. Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën e tij, e vërteta është se mosprezenca ime nuk ka qen zgjedhje, unë nuk zgjodha të rrëmbehem në Durrës në një burg në kënetë, por përmes një izolimi të imponuar nga shteti", tha Veliaj. 

Ora 11:25
Veliaj: Çfarë shkeljeje të rëndë kushtetuese kam kryer unë?

 

Erion Veliaj flet në Kushtetuese. Veliaj pyet se çfarë shkeljeje të rëndë kushtetuese kam kryer unë?

“Populli ka vendosur se askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhur para aftit, veçse kur ka kryet shkelej të rënda të kushtetutës. Është një premtim solemn që republika ja bënte vetes vet. Askush nuk duhet ta shkelë. Unë pyes, cilën shkelje të kushtetues kam kryer jashtë ushtrimit të mandatit kushtetues përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen edhe në kushtet e rrëmbimit në qeli është detyrim i imi. Ligji duhet të të mbrojë dhe jo të sulmojë", tha Veliaj. 

Ora 11:23
Veliaj në Gjykatën Kushtetuese: Kam pritur 9 muaj për këto minuta këtu! Më rrëmbyen nga zyra pa asnjë shkelje, jam kryetar i bashkisë së Tiranës

Erion Veliaj mori fjalën në seancën publike që po mbahet në Gjykatën Kushtetuese, teksa tha se ka përjetuar një periudhë zhgënjyese për 9 muaj dhe se u rrëmbye nga zyra e tij pa asnjë shkelje. Ai tha se po mbahet në paraburgim në kushte më të rënda sesa të një vrasësi serial. Ai e cilësoi këtë periudhë si një denigrim ndaj tij, por edhe ndaj votës që i kanë dhënë qytetarët për të drejtuar Tiranën.

“Kam pritur 9 muaj për 9 minuta. Beteja ime për t’u dëgjuar prej jush vjen pas një sage të gjatë zhgënjyese, për të dëgjuar se çfarë kam bërë, që jam rrëmbyer nga zyra, ku më kanë zgjedhur qytetarët, dhe jam mbyllur në një qeli me regjim burgosjeje më të rëndë se vrasësit serialë.  Kam përjetuar një periudhë të gjatë, të mbushur me shkelje të të drejtave të mia themelore si qytetar i kësaj Republike, por mbi të gjitha, një periudhë denigrimi dhe përpjekjeje për të heshtur zërin e një të zgjedhuri, tre herë radhazi nga qytetarët e Tiranës.

Por, kjo nuk është thjesht përpjekje për të më denigruar mua, por është përçmim ndaj vetë votës, ndaj gjësë më të shenjtë që ka demokracia. Dhe përçmimi ndaj saj është përçmim ndaj forcës që kanë qytetarët; është përçmim i fuqisë që populli i jep Republikës për ta drejtuar në emër të tij. Siç thoshte Martin Luther King: “Harku i Universit Moral është i gjatë dhe rraskapitës, por në fund anon nga e drejta.”

Ndaj, jam sot këtu, përpara Jush, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytetit më të madh të kombit tonë, me të drejtën që ma kanë dhënë 160 mijë vota qytetarësh të lirë të këtij qyteti, në fund të këtij harku 9-mujor në kërkim të së drejtës. Nuk jam këtu për të mbrojtur veten, sepse nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për t’ju drejtuar me gjithë respektin që meriton detyra Juaj e lartë dhe për t’ju kërkuar një gjë të vetme: të mbrojmë së bashku demokracinë që po vihet në sprovë. Demokracinë për të cilën, si unë, ashtu edhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta mbrojmë — jo në letër, por me veprim, edhe në këtë sallë, sot.", tha Veliaj. 

Ora 11:14
Mbrojtja e Veliajt lexon argumentet në Kushtetuese: Këshilli Bashkiak nuk veproi mbi baza ligjore, ishte i motivuar politikisht

 

Mbrojtja e Erion Veliajt po paraqet argumentet në seancën publike që po mbahet në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës dhe dekretit të presidentit për zgjedhjet në Tiranë. Mbrojtja tha se veprimet e ndërmarra nga Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk veproi mbi bazat ligjore por ndërmori veprime të motivuara politikisht. Mbrojtja përmendi se neni 62, pika c, i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të marrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.

Po ashtu, mbrojtja përmendi gjithashtu kërkesën e këshilltarit Endri Shabani drejtuar këshillit Bashkiak për shkarkimin vetëm pak ditë pas arrestimit të Veliajt në muajin shkurt. Po ashtu edhe kërkesën pas tre muajsh mosparaqitjeje në detyrë të veliajt, të bërë nga këshilltarët e PD-së në Bashki. Këto kërkesa, thotë mbrojtja, nuk u morën parasysh, por në ditën kur u votua propozimi i këshilltarëve socialistë, u votuan edhe këto dy kërkesa të mëparshme.

“Në lidhje me pretendimet për shkeljen e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, vetëm 15 pas arrestimit Veliajt, këshilltari i Këshillit Bashkiak, Endri Shabani i paraqiti kërkesë këshillit për nisjen e procedurave për shkarkimin se nga arrestimi ishte krijuar boshllëk në bashki. Shkak që nuk parashkrohet as në Kushtetutë dhe as në ligjin për qeverisjen vendore. Pra Shabani propozoi shkarkimin bazuar në një shkak ekstra juridik. Kjo kërkesë nuk u trajtua. Më 09.05. 2025, këshilltari demokrat Ilir Alimehmeti drejtoi kërkesën për shkarkimin e Veliajt për shkak të mangësisë 3 mujore. Edhe për këtë kërkesë nuk u mor vendim. Më 18.9.2025, këshilltarët e PS në Tiranë kërkuan propozimin e shkarkimit të Veliajt për shkak të mungesës për më shumë se tre muaj në detyrë dhe siç thuhet në kërkesë në zbatim të orientimeve politike të partisë që përfaqëson. Mbledhja e këshillit është thirrur vetëm në zbatim të kërkesës së grupit të PS, pra në rend dite ka qenë kjo kërkesë por po në këtë relacion është propozuar nga maxhroanca dhe është votuar pro kërkesës së këshilltarëve të PD dhe Shabanit. Pas kësaj janë miratuar tre kërkesat e mësipërme pra si shkak për propozimin e shkarkimit ka qenë edhe shkaku ekstra ligjor nga Shabani. Në këtë situatë është cenuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë parimi i shtetit të së drejtës se vetë nisma për shkarkimin është nisur nga një bazë ekstra juridike. Ligji parashikon qartë rastet e përfundimit të mandatit por nuk njeh si shkak shkarkimi boshllëkun. Kjo dmth se këshilli nuk ka vepruar mbi baza ligjore por mbi motive nga diskursi politik, duke e shndërruar një procss administrative në një në një veprim politikisht të motivuar”, tha ai.

Ora 10:39
Ankimi i Veliaj/ Rrëzohet kërkesa e Presidencës për mos shqyrtimin e dekretit të zgjedhjeve

Gjykata Kushtetuese me vendim unanim rrëzoi kërkesën e Presidencës që të mos ishte palë në çështjen e ankimit të Erion Veliajt, me argumentin se dekreti për zgjedhjet nuk mund të shqyrtohet nga Kushtetuesja. Trupa gjykuese e Kushtetueses tha se dekreti do të trajtohet në themel të çështjes dhe për të do të vendoset në fund si për çdo element tjetër të padisë.

“Çështja e juridiksionit të Gjykatës për shqyrtimin e dekretit të presidentit është e lidhur me themelin e mosmarrëveshjes, kërkesa juaj nuk pranoi në këtë fazë të shqyrtimit, por do trajtohet si pjesë e themelit të çështjes”, tha Holta Zaçaj.

Ora 10:16
Pezullimi i zgjedhjeve në Tiranë, Presidenca: Dekreti nuk mund të shqyrtohet nga Kushtetuesja! Mbrojtja e Veliajt: Kompetencë e juaja

 

Po mbahet në Gjykatën Kushtetuese seanca për shkarkimin e Erion Veliajt. Presidenca kërkoi që të mos jetë ajo pjesë e gjykimit, pra që të mos gjykohet nga Kushtetuesja dekreti i Begajt për zgjedhjet në Tiranë, me argumentin se nuk është kompetencë e saj. I njëjti argument u mbështet edhe nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa, mbrojtja e Erion Veliajt tha se është kompetence e Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk mund të shqyrtojë një akt administrativ, zgjedhjet në Tiranë u bllokuan duhet të kthehet kushtetueshmëria. Paraqesim kërkesën që të anuloni vendimin për përfshirjen e dekretit në këtë shqyrtim. Anuloni vendimin për përfshirjen e dekretit në lëndën e këtij shqyrtimi”, tha Presidenca.

"I qëndrojmë parashtrimit që kemi. Mendojmë se GJK është kompetencë për shqyrtimin e kërkesës tonë edhe për aktin e presidentit, procesi për ne është ndarë në dy faza, e propozimit dhe vendimmarrjes dhe tjetra, është garancisë kushtetuese që aktivizohet automatikisht me paraqitjen e kërkesës në të cilën nuk duhet të ndërhyrje asnjë institucion përfshirë edhe presidenca i cikli duhet të presë vendimin e Gjkykatës së Lartë. Aktivizimi para kohe aktivizon efektet juridike të këshillit të ministrave", tha Mbrojtja e Veliajt. 

Trupa Gjykuese është tërhequr për të marrë vendim për kërkesën e Presidencës. 

Ora 09:40
VIDEOLAJM/ Me pranga në duar dhe i rrethuar nga policët, momenti i mbërritjes së Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese

Kryebashkiaku Erion Veliaj shfaqet për herë të parë në publik që prej arrestimit më 10 shkurt. Report Tv ju sjell me video momentin kur Veliaj zbret nga furgoni i Policisë së Burgjeve dhe futet në Gjykatën Kushtetuese për seancën publike për shkarkimin e tij. Veliaj ishte i prangosur dhe i rrethuar nga policë në momentin që zbriti nga furgoni.  

Ora 09:28
Sot seanca në Kushtetuese, Erion Veliaj mbërrin në Tiranë

Kryebashkiaku Erion Veliaj mbërrin në Gjykatë Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimi i tij për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. 

Ora 08:49
Sot seanca në Kushtetuese, Erion Veliaj del nga paraburgimi i Durrësit, transferohet drejt Tiranës (VIDEO)

 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj la paraburgimin e burgut të Durrësit dhe po transferohet nga Policia e Burgjeve drejt Tiranës ku do të marrë pjesë në seancën në Kushtetuese.

Xh.D/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Wtf: 01/11/2025 05:15

    He mor zdromc si po te duket

    Përgjigju
  • Iris: 01/11/2025 00:57

    Se perse ti je ne burg,kjo nuk eshte tema e dites,por per shkarkimin,nje dhe vetem nje mund te akuzosh: Edi Ramen.Ai te hodhi si mish te gjalle ne mes te luaneve dhe hienave,ne mes keshillit bashkiak e presidences.Askujt s'i vajti ne mendje t'ju shkarkonte deri diten qe Rama pasi fitoi mandatin e 4, /u kujtua/ qe bashkia nuk mund te vazhdoje me pa koke,pa kryetar.

    Përgjigju
  • Beni: 31/10/2025 15:06

    Forca lali Eri gjithe shqiptaret e ndershem jane me ty.

    Përgjigju
  • Meri: 31/10/2025 10:40

    Drejtësia e turpit,Krimineli Sali tallet me prokurorët,kurse kryetarit tē bashkis i sajohen akuza,dhe i vihen prangat.

    Përgjigju
  • Sondazhi: 31/10/2025 08:33

    Pra Veliaj sot është kunder qeverisë e jo kunder Saliut. Kurioz jam si do i vihet faji Saliut nw këtë histori.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?