A mund t’i besohet pushteti
një hipokriti si Lulzim Basha?!

A mund t’i besohet pushteti<br />një hipokriti si Lulzim Basha?!
Ka dy javë që kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka nisur një betejë duke marrë në dorë disa karta të cilat, në pamje të parë duken shumë demokratike, por duke parë se cili është ai që ka marrë flamurin e tyre, atëherë e gjitha kjo përkthehet në demagogji dhe hipokrizi.
 
Lulzim Basha është kapur pas çështjeve të tilla si zgjedhjet e lira, dekriminalizimi, dehashashizimi dhe qeveria teknike. Po kapet pas këtyre katër çështjeve, si i mbyturi pas fijes së barit, pasi i sheh ato si mundësia e vetme e mbijetesës brenda llojit deri në zgjedhjet e afërta parlamentare të 18 qershorit.
 
Duke e parë se autoriteti i tij është në kuota të ulëta dhe dita- ditës po humbte terren në parti (në popull po e po), atëherë ai gjeti një kamerdare shpëtimi për t’u faktorizuar e për ta shtyrë edhe tri muaj ankthin që ka për humbjen e zgjedhjeve. Fakti që ai ka disa vite që ka lënë shumicën e degëve të partisë pa zgjedhje strukturash, tregon frikën e tij për t’u përballur me kundërshtitë gjithnjë e në rritje që ka brendapërbrenda partisë që drejton.
 
Tashmë që ai e gjeti një mënyrë se si t’u shpëtojë kritikëve, duke na bërë ne, popullit, moralistin, të ndershmin, parimorin, më duhet t’i rendis disa argumente, të cilat nuk janë të reja, janë thënë, por asnjëherë nuk e humbasin vlerën sa herë që përsëriten.
 
Që Lulzim Basha të bëhet njëfarësoj i besueshëm për atë elektorat gri që është i pavendosur deri në momentin e fundit, duhet të bëjë disa mea culpa apo prapakthehu. Një si biçim katharsi vetë pastrues të ndërgjegjes së tij. Por këtë duhet ta thotë hapur, me zë të plotë e të lartë, që ta dëgjojë mirë i madh e i vogël anekënd Shqipërisë. Le t’i marrim më radhë:
 
Së pari, Lulzim Basha duhet të pranojë botërisht se është për zgjedhje të lira e të ndershme, duke u vetë denoncuar si arkitekti i vjedhjes së mandatit legjitim të Edi Ramës në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, me diferencë 10 vota plus në favor të Ramës. Po në këtë linjë, Basha duhet të vetë denoncojë manipulimin që ndodhi në 21.07.2013 për zgjedhjen e tij si kryetar i PD-së me 80.38 për qind të votave, ku fletët e votimit ishin të numërtuara me numër serie, çka i hiqte fshehtësinë votimit (rivali Olldashi votoi me fletën nr. 040213). Këto dy momente janë të lidhura ngushtësisht me zgjedhjet e lira e të ndershme, për të cilat Lulzim Basha është i provuar si i përlyer dhe për të cilën i kërkohet njohje e këtij realiteti dhe reflektim publik.
 
Së dyti, Lulzim Basha duhet të pranojë botërisht se është kundër zyrtarëve hajna dhe kundër atyre që i shmangen drejtësisë duke u vetë denoncuar si një nga politikanët e akuzuar nga një institucion kushtetues si KLSH, për shpërdorimin e 230 milionë eurove. Po kështu, ai duhet të vetë denoncohet si ish zyrtari që shmangu përballjen me drejtësinë duke zvarritur seancat e paraqitjes dhe si rrjedhojë çështja e tij u mbyll me procedurë, për tejkalim afatesh, pa u gjykuar. Lulzim Basha duhet ta konsiderojë këtë si një njollë personale e cila nuk do të përsëritet më.
 
Së treti, Lulzim Basha duhet të pranojë botërisht se është kundër atyre politikanëve që shesin interesat apo bëjnë tradhti kombëtare, duke u vetë denoncuar si ish titullari i ministrisë së Jashtme që me firmën e tij u fali mijëra kilometra katrorë vijë detare fqinjëve grekë. Lulzim Basha duhet ta konsiderojë këtë si një njollë personale e cila nuk do të përsëritet më.
 
Së katërti, Lulzim Basha duhet të pranojë botërisht se është kundër kultivimit të bimës së hashashit, duke u vetë denoncuar si ish titullari i ministrisë së Brendshme që lejoi me urdhër politik të Sali Berishës, kultivimin e mijëra hektarë tokë në ‘republikën’ e Lazaratit e vlerësuar nga Guardia di Financa me vlerë 6 miliardë euro. Ajo ‘republikë’ lulëzoi përgjatë 8 viteve të qeverisjes së partisë së Bashës dhe urdhri politik i Berishës për të mos ndërhyrë ishte përpos anës ekonomike që gjeneronte të ardhura financiare, por edhe në aspektin politik, sepse siguronte 90 për qind fitore në Lazarat e cila në rang qarku ndikonte në marrje mandati për një deputet në zonën e Gjirokastrës. Pikërisht, kjo lidhje shkak- pasojë që ka ndikuar në aspektin politik, është edhe frika e Bashës (bashkë me Berishën) se mos hashashi që ata pretendojnë se ka mbuluar Shqipërinë do të ndikojë në zgjedhjet e 18 qershorit. Lulzim Basha duhet ta konsiderojë këtë si një njollë personale e cila nuk do të përsëritet më.
 
Së pesti– Lulzim Basha duhet të pranojë botërisht se është kundër kriminelëve në politikë, duke u vetë denoncuar si një prej bashkëfajtorëve në krim gjatë ekzekutimeve gjakftohta të 4 burrave me duar në xhepa më 21 janar 2011. Lulzim Basha duhet të angazhohet se asnjëherë shteti nuk do qëllojë mbi shtetasit e vet për sa kohë jeta e ruajtësve të ligjit nuk rrezikohet nga armë të ftohta apo zjarri. Lulzim Basha duhet ta konsiderojë këtë si një njollë personale e cila nuk do të përsëritet më.
 
Unë nuk e di se a do ketë kurajë Lulzim Basha të ballafaqohet me të kaluarën e vet, pikërisht me ato çështje të nxehta që tashmë po na i kthen në kauza mbi të cilat ka ngritur betejën e mbrojtjes së vlerave demokratike. E shoh të pamundur që ai ta bëjë këtë, sepse kjo do të thotë t’i thuash burgut hapu. Prandaj e thashë qysh në krye të herës që gjithçka ai thotë është demagogji dhe hipokrizi e pastër, përzier me një tonalitet të neveritshëm populist, me thirrje ultimative e përbetime apokaliptike që në vetvete përpiqen të fshehin frikën përpara humbjes së madhe.
 
Dhe së fundi, nëse do t’i përmbahesha gjuhës së tij të varfër shprehëse, ku artikulon veçse 4 – 5 fjali mbi të cilat përmblidhen fjalët: “kriminel, vjedhje, hashash, zgjedhje, qeveri teknike”, do të më duhet t’i bëja thirrje kryeministrit Rama që të mos takohej kurrë me një kriminel vrasës si Basha (21.01.2011); kriminel hajdut si Basha (raporti i KLSH); kriminel manipulues vote si Basha (08.05.2011 / 21.07.2013); kriminel tradhtar si Basha (firma me Bakojanis); kriminel droge si Basha (Lazarati, Dukagjini, etj). Ja pra, ku erdhëm tek e njëjta pikë e thënies së Edi Ramës drejtuar Bashës dhe Berishës: “ju na akuzoni ne për gjëra që i keni bërë vetë të në kaluarën, duke besuar se të njëjtat gjëra bëjmë edhe ne”.
 
Si epilog po risjell me shkurtime një dialog në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, ku në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë zhvillohej kjo bisedë midis gazetares së “Fiks Fare” dhe qytetarëve që merrnin ndihma ushqimore në këmbim të votës për PD-në:
 
Fiksi – Është një vend që ndahen ndihma këtu për zgjedhjet?
 
Qytetarja – Po, a e ke emrin?
 
Fiksi – Duhet me emër ë?
 
Qytetarja – Dhe të votosh për Sali Berishën. Ç’na gjeti ne?
 
Fiksi – Ju ashtu e kishit ë?
 
Qytetarja – Po.
 
Qytetari – Në çfarë vendi është kjo zyra?
 
Qytetarja – Te kjo ku shiten bojërat.
 
Qytetari – Ëhë te Çimi.
 
Fiksi – E çfarë të jepnin, të jepnin shumë?
 
Qytetarja – Tre sheqer, tre miell, dy vaj, tre pako makarona, një nga ato supat, tre oriz.
 
Fiksi – Për kaq gjë, shumë pak. Për kaq gjë do votën ai?
 
Qytetarja – I llogarita unë, i llogarita dhe në shtëpi unë, 20 mijë lekë bëjnë.
 
Qytetarja – Ajo më tha çfarë numri e ka votën Saliu? Unë ia futa 29, ku e mbaj mend unë? 29 i thashë unë. Jo, jo, tha, 44-a. Ma futi letrën tek ushqimet. Kishte fol ai komshiu im.
Fiksi – Kush është ai që fut emrat këtu?
Qytetarja – Një Çimi, Çimi.
 
Qytetari – Edhe këto ndihmat, po çfarë injorance është që ndajnë kështu?! Po pse, një herë në katër vjet më jep 20 mijë lekë ti, e do votën ti? Kush je ti mor!? Po katër vjet çfarë do bëj unë? Me se të jetoj unë katër vjet?



dy.b/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu