A mund të ringrihet PD-ja?

A mund të ringrihet PD-ja?

Lulzim Basha

Problemi më i madh i PD-së nuk është Statuti, por besimi. Statuti bëhet, besimi duhet krijuar dhe kthyer. Një PD pa besim te publiku, është një ngrehinë e shkretë. Si e tillë, sfida e saj më e madhe është rikthimi i besimit se ajo mund të shndërrohet në një forcë konstruktive, në një parti perëndimore dhe në një subjekt që është në të njëjtin gjatësi vale me shqetësimet e shqiptarëve.

Për këtë, më shumë se sa te kryetari, PD-ja duhet të investojë tek ekipi. Një kryetar pa ekip nuk sjell asgjë të re në politikbërje, por një ekip profesionistësh, intelektualësh, specialistësh të fushave përkatëse, është një ogur i mirë, ku kryetarit i kërkohet të jetë i barabartë mes të barabartëve.

Njëkohësisht me ekipin, PD-ja ka nevojë për një lider jo si të tjerët, jo si deri më sot, jo si deri më dje. PD-së i nevojitet një lider misionar, që të jetë i pari në veprim dhe në sakrificë. Një lider që organizata dhe qytetarët e besojnë, sepse ai është i pari që zbaton atë që flet dhe flet vetëm atë që zbaton.

Duhet një përpjekje sizifiane për ta bërë këtë gjë.

Për ata që pyesin pse nuk është bërë deri më sot dhe pse duhet besuar që do të bëhet tani, përgjigjja është e thjeshtë: askush nuk mund të jetë vetvetja nëse nuk është i lirë nga pengjet e së kaluarës.

Vetëm një lider i lirë, mund ta shndërrojë PD-në në një parti të madhe elektorale, ku interesi i saj dhe ai i qytetarëve shqiptarë është i njëjtë.

Duhet pranuar se Lulzim Basha është politikani më i sulmuar sot në Shqipëri. Kundër tij janë investuar jo vetë dinosaurët e tranzicionit shqiptar, por edhe e gjithë oligarkia ekonomike në vend. Kundër tij janë shpenzuar miliona euro, janë bërë mijëra minuta emisione televizive, është shndërruar në një personazh sarkastik në të gjithë emisionet humoristike të fundjavës dhe ka pasur një konsensus të përgjithëm për ta eliminuar politikisht.

Kjo është pika e tij më e dobët, por njëkohësisht një gjë e tillë mund të shndërrohet në armën e tij më të fortë.

Ndaj Basha ka nevojë që ta rikuperojë imazhin nëpërmjet akteve të forta, nëpërmjet një ligjërimi dhe narrative të re, nëpërmjet shpikjes së vetvetes dhe hedhjes tej të një dembelizmi dhe rehatie që buron nga gjëja e dhuruar. Ai e ka të domosdoshme të ndërtojë një figurë që nuk e kemi njohur deri më sot.

Së pari, ai duhet të korrigjojë vetveten nga gabimet e së kaluarës, duke u shkëputur përfundimisht nga trashëgimia berishiste dhe duke kërkuar falje për të, dhe, së dyti, duhet të gjejë aleatë të rinj në shoqërinë shqiptare, duke krijuar një front qytetar, pa përjashtuar mundësinë për të sinkronizuar Partinë Demokratike me lëvizjet e reja qytetare dhe politike, duke u bërë garanci për hapjen e garës politike brenda sistemit, por njëkohësisht duke u shndërruar në garanci serioze për të mbajtur të kontrolluar “thesin” e premtimeve populiste të tyre.

Partia Demokratike, ndonëse e plagosur nga të gjitha anët, e përçarë dhe e rudhosur, ka shans që nëse vijon t’i qëndrojë parimeve mbi të cilat është krijuar; nëse vijon vokacionin e saj perëndimor dhe ligjërimin e saj kundër aleancës politike-ekonomike-kriminale që ka marrë peng sot për sot Shqipërinë, nëse shndërrohet në organizatë që bëhet mbrojtësja e interesit qytetar, duke u bërë zëri dhe veshi i njerëzve të thjeshtë dhe të pambrojtur, të jetë e vetmja alternative serioze dhe e besueshme kundër një pushteti që ka kohë që ka rënë, vetëm se ende nuk ka kush ta zëvendësojë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë