A po e përdorin hendekun gjinor Rama, Berisha dhe Meta në populizmin e tyre!

A po e përdorin hendekun gjinor Rama, Berisha dhe Meta në populizmin e tyre!

Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta

Procesi për konsultimet e presidentit dhe mënyra lineare dhe e qetë sesi po e zhvillon atë e Majta ka nxjerrë në pah një identikit të tij, që lidhej edhe me gjininë. Në fakt, kjo ka qenë retorika e fillimit të socialistëve, pasi pak më vonë kryeministri Rama ka kaluar në përshkrime të tjera. Ndërsa kjo ka ndihmuar në hedhjen e përshkrimeve të emrave, duhet thënë se opozita nuk ia ka falur kryeministrit se: shifrat e tij në qeveri mund të jenë vërtetë interesante sa i përket përkatësisë gjinore aman jo cilësisë së tyre. Nëse qeveria shqiptare në një perceptim të jashtëm duket si Skandinave, realiteti është se disa prej ministreve të tij treguan një anonimitet cinik në kohët e fundit për të mos thënë paaftësi të dukshme.

“Ndërsa për gratë në qeveri, kjo është shumë e thjeshtë, nuk kam pse marr lëvdata për këtë. E kam bërë duke ndjekur në një farë mënyre këshillën e ‘Zonjës së Hekurt’, Margaret Thatcher. Ajo thoshte, se ‘nëse do që diçka të thuhet, kërkoja një burri, nëse do që diçka të bëhet, kërkoja një gruaje’. Tani, çështja është që ajo vetë nuk zgjodhi asnjë grua në qeverinë e saj. Ndoshta sepse ishte vetë aty sa për çdo grua tjetër. Mua nuk më dilte hesapi ashtu, kështu që m’u desh të zgjidhja shumë gra, për të bërë punën dhe jo sepse jam i veçantë. Unë thjesht e di nga përvoja që, nëse do muhabet për diçka, burrat janë gati dhe mund të flasin e të flasin pa mbarim. Po nëse do që të kryesh punë, mos humb kohë me burrat. Kjo është këshilla ime modeste”, përmendte pak kohë më parë Rama.

Të jetë kaq e thjeshtë. Faktet kanë treguar të kundërtën. Mënyra e shprehjes së disa prej ministreve të tij, i jepnin frymë argumentit. Kur ministrja e tij Spiropali arriti dikur t’i bënte edhe një krahasim me Skënderbeun të bënte të kuptoje se servilizmi dhe njohja e kësaj rruge për të bërë përshtypje te shefi i partisë, si edhe Kulti i Individit nuk është se duan t’ia dinë shumë për dallimet gjinore. Në kohët në vazhdim artikulimet e zonjave të tjera me pushtet  rreth tij e faktuan sërish këtë konstatim. Rama i mbështeste por nuk është se i llogariste aq shumë. Në parlament do mbahet mënd diskursi dhe sjellja e Ramës me disa prej tyre…

Më i ashpër dhe disi më banal është treguar Sali Berisha. Ai pati disa kulme negativiteti ku tregoi një respekt të  munguar për pjesën gjinore, ku një nga ato sjellje syresh do të pasonte 21 Janarin për Ina Ramën. Por edhe pse Byroja e Parlamentit e pezulloi me 10 ditë, Berisha nga foltorja e Kuvendit kur mendohej se do bënte një lloj Mea Culpa, sërish ka vazhduar me fjalë fyese. Madje, publikisht u shpreh se etiketimet e tij: puçiste dhe lavire bulevardi ndaj ish-kryeprokurores Ina Ramës, ishin fare pak prej tij!! Kuptohet me një retush alla-Berishë kur sqaroi se e ka pasur të gjithë artikulimin e tij në kontekstin e “lavires politike”. Por, ish-kryeprokurorja Rama e ka pasur pak këtë ofendim prej tij, do shtonte sërish!!!

Asokohe, gratë deputete të mazhorancës, që përbëheshin nga PS dhe LSI kanë braktisur sallën e Parlamentit në momentin kur fjalën e mori ish-kryeministri Sali Berisha. “Dhe ky do të jetë një qëndrim sa herë që fjalën do ta marrë deputeti demokrat Berisha”, mëtonin asokohe ato. Premtim që LSI-ja nuk do e mbante pasi nga kjo parti nuk do të mungonin fyerjet kohë më vonë, kurse presidenti Meta, dalë prej tyre, do artikulonte fjalë që do e tregonin dukshëm një president aspak normal.

Pjesa e hendekut gjinor dhe përfshirja e këtij diskursi ishte edhe në Kuvendin e ri të pjesës së PD-së, që njihet si “Rithemelimi” në 30 Prill (2022), ku Albana Vokshi kryetare e grave të këtij formacionit përshfaqi problematikat, ngriti vlerat e gjinisë femërore,  por kuptohet nën hijen e Sali Berishës. Nga ana tjetër, Gazmend Bardhi u përplas deri në absurd me Kokalarin. Këtë herë ishte seksi i brishtë që do tregonte dhëmbët!!

Teorikisht, populizmi, si një narracion i politikës që e përdor masën, është tejet i lidhur edhe me hendekun gjinor. Veçse ndërsa tek ne nuk ka të argumentuara shkaqe për këtë, këto janë më të artikuluara në studimet e huaja, kur flitet për të Majtën dhe të Djathtën e sotme radikale. Duket se rritja e populizmit nga ana e partive të Djathta të viteve të fundit, ku përmendim rastin e SHBA-së me presidencën Trump dhe rastin e Italisë me ardhjen e “Pesë Yjeve”, lidhej edhe me mënyrën sesi këto parti ndërtuan politikën e tyre gjinore për të përfituar vota. Me të njëjtën përpjekje, në vitet e fundit, do të operonin partitë e Majta, që do ngriheshin dhe do bënin histori në zgjedhjet e vendeve të tyre, të tilla si: “Podemos” në Spanjë, “SYRIZA” në Greqi, “Movimento 5 Stelle” në Itali, “1 Socialistische Partij” holandeze dhe “Die Linke” në Gjermani, kur ditën të lundronin bukur në shqetësimet gjinore. Suksesi i vazhdueshëm dhe ndoshta edhe në rritje i partive populiste të dy kaheve, sidomos në Evropë, i ka bërë politologët të shtrojnë në arsyetim çështjen : pse ende votuesit vazhdojnë të mbështesin partitë populiste? Dhe më tej akoma, pse përdorin parullat gjinore për arritjen e synimeve të tyre?! Cili është hendeku gjinor në vendin tonë ose atje, ku gjendet hambari i votave për politikën shqiptare?! Përveç PS-së që i kushton shumë kujdes problemeve statistikore të fashave të popullsisë, partitë e tjera, sidomos kur humbin merren më shumë me përfoljet e zgjedhjeve por aspak me analizat stratigrafike. Një studim nga autorët Niels Spierings &Andrej Zaslove sugjeron dy shpjegime kryesore për hendekun gjinor në Evropë: së pari, për shkak të pozitës socio-ekonomike dhe së dyti, për shkak të qëndrimeve programatike, më së shumti kundër imigracionit dhe qëndrimeve ndaj rendit dhe ligjit, shkruajnë ata në studimin e tyre  tek artikulli “Gjinia, qëndrimet populiste dhe votimi: shpjegimi i hendekut gjinor në votim për partitë e Djathta radikale populiste dhe partitë e Majta radikale populiste”.

Statisticieni Eduart Zaloshnja në një nga sondazhet e tij, duke u mbështetur tek të dhënat zyrtare të KQZ-së (në listat e zgjedhësve të Shqipërisë janë pothuaj 3.6 milionë shtetas), referonte se sipas të dhënave të Eurobarometer, rreth 40% e shtetasve shqiptarë të rritur (18 vjeç e sipër) janë në emigracion. Që do të thotë se vetëm 2.16 milionë shtetas të rritur banojnë në Shqipëri. Dhe, nga sondazhi i tij dilte se plot 30% e të anketuarëve të rritur nuk simpatizonin asnjërin prej tre politikanëve kryesorë (42% të tjerë simpatizonin Ramën dhe 28% Berishën &Metën). Duke kombinuar rezultatet e sondazhit me shifrat e mësipërme mbi banorët e rritur (30% X 2.16 milionë), rreth 650 mijë zgjedhës brenda vendit mund të konsiderohen sot votues gri, referuar atij. Po si ishte e ndarë fasha e zgjedhësve shqiptarë dhe cila pjesë ishte më aktive?! Duket se kjo kërkon analiza dhe mundësi shumë më të mëdha statistikore. Dhe, cili është profili demografik i votuesve gri, qoftë moshor apo gjinor? Shqetësim ishte se nga këto shpjegime nuk arrihet të kuptojmë plotësisht pse më shumë burra sesa gra votojnë për partitë populiste. Shpjegimi në këtë studim socio-ekonomik argumenton se gratë kanë më shumë gjasa të punësohen në sektorin publik dhe më pak të ngjarë të punësohen në punë intensive dhe për këtë arsye ka më pak të ngjarë të kërcënohen nga de-industrializimi. Këta faktorë, nga ana tjetër, i bëjnë gratë evropiane më pak të prirura për t’u tërhequr nga partitë e Djathta, citojmë studiuesit.

Po në Shqipëri? Është e pamundur në mungesë të një studimi për t’i paraprirë, por një gjë dihet mirë: Zhgënjimi është aq i thellë, qoftë te meshkujt dhe te femrat veç problemeve të tjera gjinore, saqë edhe në zgjedhjet e ardhshme do na prezantojnë një rënie pjesëmarrje me shumë gjasë, nëse opozita që tashmë është e përçarë nuk del me një ofertë tjetër që do të thotë edhe krijimin e një lloj fryme krejt të ndryshme…Kurse sa i përket mënyrës sesi mund t’i drejtohen, kjo do shumë vend për të punuar me studime.

Ndërkohë që në Shqipëri ka nisur ardhja e të huajve dhe këtë po e ndjen turizmi si kërkesë. Që do të thotë më shumë andralla për të punësuarit shqiptarë që preferojnë të ikin. Duket se ideja që politikanët i kanë shitur ata – punëtorët me kualifikim të ulët – ushqen një mentalitet populist dhe konsiderohet si një nga arsyet që zhgënjen më shumë sot  ngado njerëzit. Kësaj i shtohet edhe perceptimi i shoqërisë si të ndarë midis njerëzve të mirë dhe elitës politike që keqinterpreton, thonë studiuesit. Kurse mjaftojnë qoftë edhe ngërçet e sotme artificiale të parlamentit shqiptar për presidentin, si edhe përçarja te PD-ja të kuptosh se qëndrimet populiste të Berishës, Ramës, Metës janë të stisura dhe nuk japin dot shpjegim pse publiku shqiptar i dy gjinive është skeptik ndaj të gjithë ofertave reale për ndryshim prej politikës së sotme. 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë