A po funksionon presioni i BE-së mbi Hungarinë?

A po funksionon presioni i BE-së mbi Hungarinë?

Viktor Orban

Më 18 shtator, Komisioni Evropian propozoi pezullimin e 7.5 miliardë eurove nga buxheti i BE-së, të caktuara për Hungarinë, një përgjigje ndaj asaj që blloku e sheh si performancë të dobët të Budapestit mbi respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Ky vendim është vetëm akti më i fundit i një beteje shumëvjeçare midis Brukselit dhe Budapestit dhe një tregues që situata nuk pritet të qetësohet së shpejti.Pavarësisht propozimit të Komisionit, asgjë nuk është e vendosur dhe Budapesti mund sërish të marrë shumën financiare. Komisioni Evropian e ka lënë të hapur derën për kompromis, duke pranuar se Qeveria e udhëhequr nga partia e djathtë, Fidesz, ka premtuar reforma serioze dhe, në disa raste, ka përgatitur legjislacionin përkatës gjatë muajve të verës për t'i adresuar disa nga shqetësimet e BE-së rreth korrupsionit dhe mangësive në sistemin hungarez të prokurimeve publike.

Nëse bëhet më shumë përparim në këto fusha deri në fund të këtij viti, ekziston mundësia që Hungaria të marrë paratë.

Zgjedhjet që “i dhanë fund demokracisë”

Të tri aspektet kryesore të kësaj historie janë të ndërlidhura.

Së pari, të kërcënosh se do të dëmtosh Hungarinë aty ku është më e cenueshme –financiarisht – mund të jetë mënyra më efikase për BE-në për të nxitur një ndryshim nga ana e Budapestit. Së dyti, Hungaria, tashmë duke ndier efektet ekonomike të atij që ka të ngjarë të jetë një dimër i gjatë dhe i ftohtë, mund të përpiqet të afrohet sërish me bllokun evropian. Dhe së treti, ndërsa Hungaria mund të duket si e vendosur me shpatulla për muri, ka ende shans që Qeveria të arrijë të dalë nga kjo situatë dhe të marrë pjesën më të madhe të përfitimeve financiare.

"Rregullorja e kushtëzimit", një mekanizëm që ka qenë i zbatueshëm që nga viti 2021, i lejon Komisionit Evropian të propozojë shkurtime në buxhetet e vendeve anëtare të BE-së nëse mendon se ekziston një rrezik sistematik mbi mënyrën se si janë shpenzuar paratë.

Jo të gjitha vendet anëtare të BE-së ishin të kënaqura me këtë mekanizëm të ri, kur u diskutua dhe u ra dakord në verën e vitit 2020 gjatë negociatave mbi mënyrën se si duhet të ndahet buxheti prej 1.8 trilion eurosh i BE-së për periudhën 2021-2027.

Madje, Hungaria dhe Polonia e sfiduan ligjshmërinë e këtij mekanizmi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, me qendër në Luksemburg – por ato humbën. Ato kontestime nënkuptuan që mekanizmi është disi i kufizuar. Komisioni Evropian nuk mund të synonte thjesht fondet e destinuara për një vend me arsyetimin se ai besonte se prej një dekade po minohej sundimi i ligjit. KE-ja duhej të provonte në mënyrë specifike se mangësitë ndikuan drejtpërdrejt në mënyrën se si shpenzoheshin fondet specifike të BE-së.

Hapi i parë i dukshëm ishte një mbikëqyrje më e afërt e sistemit hungarez të prokurimeve publike, zakonisht nëpërmjet auditimeve, sidomos pas raportimeve të përhapura mbi keqpërdorimin e fondeve publike për të pasuruar figura pranë kryeministrit nacionalist të krahut të djathtë, Viktor Orban.

Një statistikë befasuese e vërejtur nga Brukseli ishte se 50 për qind e të gjitha kontratave të prokurimit publik, ku përfshiheshin fondet e BE-së, kishin vetëm një kandidat në Hungari. Në të gjitha 26 vendet e tjera anëtare të BE-së kjo shifër ishte 15 për qind ose më e ulët.

Hulumtim i REL-it: OJQ-ja e afërt me Orbanin fitoi kontratën për shpërndarjen e fletëvotimeve në Serbi

Prandaj, nuk ishte befasi kur, për herë të parë, në muajin prill Komisioni aktivizoi mekanizmin ndaj Hungarisë. E, ndërsa pati shkëmbime të shumta mes Brukselit dhe Budapestit, ky i fundit nuk mundi të bënte aq sa duhej për të ulur mosbesimin e Komisionit Evropian.

Ajo çfarë propozoi Komisioni Evropian më 18 shtator ishte një pezullim prej 65 për qind të angazhimeve buxhetore për tri programe operacionale nën një kornizë politike të BE-së. Fondet nga programet, të cilat trajtonin efikasitetin mjedisor dhe energjetik, transportin e integruar dhe zhvillimin rajonal, shkonin në 7.5 miliardë euro. Mund të tingëllojë si shumë, por nëse merret në konsideratë se Budapesti mund të marrë ende deri në 50 miliardë euro nga BE-ja gjatë shtatë vjetëve të ardhshëm, kjo nuk duket aq shumë.

Fakti që Hungaria duket e gatshme të rrezikojë që të humbasë rreth një të pestën e fondeve të BE-së duket qesharake për shumë njerëz, veçanërisht për Parlamentin Evropian, i cili javën e kaluar miratoi një rezolutë ku e quajti vendin një "regjim hibrid të autokracisë zgjedhore", duke kritikuar pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe lirinë e mediave në Hungari. Megjithatë, rezoluta nuk ishte detyruese dhe dhoma e Parlamentit nuk ka asnjë kompetencë mbi fondet e BE-së.

Megjithatë, ekziston një interpretim alternativ mbi këtë çështje, një në të cilin Hungaria nuk po ndjek domosdoshmërisht rrugën e saj. Diçka duket se po ndodh në Budapest. Komisioni Evropian ka propozuar që Hungaria të ndërmarrë 17 masa konkrete në mënyrë që të sigurojë fondet e BE-së, ku përfshihet ngritja e një task-force kundër korrupsionit, aplikimi sistematik i shfrytëzimit të të dhënave në prokurimet publike, përmirësimi i deklaratave të pasurisë, modifikimi i Kodit Penal për të lejuar rishikimin gjyqësor të vendimeve të Prokurorisë dhe, më e rëndësishmja, ngritja e një autoriteti të pavarur me kompetenca gjithëpërfshirëse për të mbikëqyrur të gjithë këta hapa.

Deri më tani Hungaria ka filluar të punojë ose ka premtuar se do t'i zbatojë të gjitha këto masa, diçka që do të ishte e paimagjinueshme në fillim të vitit 2022. Edhe Komisioni Evropian e ka pranuar gjatë muajve të fundit vullnetin e mirë nga ana e Budapestit.

Pavarësisht qëllimit të vërtetë të Budapestit, një nga aspektet kryesore të “Rregullores së kushtëzimit” është se ajo nuk mund të zvarritet përgjithmonë. Pasi aktivizohet, duhet të ketë një vendim përfundimtar brenda nëntë muajve dhe, nëse është e nevojshme, mekanizmi mund të aktivizohet vazhdimisht.

Data kyçe është 19 nëntori, kur Komisioni Evropian do të vlerësojë se sa përparim ka bërë Hungaria. Pastaj i takon Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili ka fuqinë për të ndryshuar, miratuar ose të vendosë veton për propozimet e Komisionit dhe 26 shtetet e tjera anëtare të BE-së që të marrin një vendim me votim me shumicë të cilësuar. Ashtu si shumë gjëra të tjera në Bruksel, gjithçka do të vendoset pak para Krishtlindjes.

Se në cilin drejtim do të anojë Hungaria, kjo do të varet kryesisht nga dy gjëra: si po ecën ekonomia dhe si po shkon lufta në Ukrainë. Me inflacionin në rritje, një valutë [forint] të paqëndrueshme dhe fatura të shtrenjta të energjisë që grumbullohen, Qeveria hungareze po e ndien shtrëngimin. Orbanit i duhet çdo cent që mund të marrë. Dhe, ndërsa Rusia merr goditje pas goditjeje në luftën e saj të zgjatur me Ukrainën, dhe me BE-në që po bëhet gjithnjë e më dyshuese ndaj pranisë ekonomike kineze në Evropë, për Orbanin janë zvogëluar ndjeshëm edhe hapësirat për manovra.

Demonstruesit në Budapest protestojnë kundër kampusit të planifikuar të Universitetit kinez, Fudan, në kryeqytetin hungarez në qershor të vitit të kaluar.

Një diplomat i BE-së, i cili donte të mbetej anonim theksoi se: "Ndoshta, vetëm ndoshta, ky është fillimi i ecjes së Orbanit në Canossa", një referencë ndaj nënshtrimit poshtërues të perandorit të shenjtë romak, Henri IV ndaj Papës Gregori VII në vitin 1077. Për të kthyer shkishërimin e tij nga Kisha, Henrit iu desh të udhëtonte nëpër alpe dhe më pas të gjunjëzohej për tri ditë gjatë një stuhie në portën e kështjellës italiane të Canossa-s./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja