A po nis presioni ndaj opozitës së Kosovës për propozimin evropian?

A po nis presioni ndaj opozitës së Kosovës për propozimin evropian?

Qëndrimet kundërshtuese të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndaj propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kanë krijuar shqetësim për partnerët perëndimorë të Kosovës.

Propozimi evropian synon t'i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se presioni i partnerëve perëndimorë, i cili deri vonë ka qenë i drejtuar kah Qeveria e Kosovës për çështjet që ndërlidhen me dialogun me Serbinë, tashmë do të orientohet kah partitë opozitare lidhur me propozimin e BE-së.

BE-ja tashmë ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar mbi planin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizim. Kryeministri Kurti, të enjten tha se pritjet e tij janë që t'i vazhdojnë përgatitjet për takimin e 18 marsit. Një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë ka deklaruar për disa media në Kosovë se pikëpamjet e këtyre dy partive “nuk përputhen me mbështetjen e SHBA-së për propozimin”.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, thuhet në deklaratën e publikuar më 6 mars.

Një ditë më pas, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, duke folur për transmetuesin publik, Radio Kosova, ka thënë se pret që partitë opozitare të jenë konstruktive lidhur me planin e BE-së për dialogun dhe se ato duhet të tregojnë “përgjegjësi politike shtetërore”. Dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, sërish kanë shprehur rezervat e tyre lidhur me këtë propozim.

PDK me rezerva ndaj marrëveshjes së prezantuar

Për të biseduar lidhur me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka takuar më 8 mars kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se lidhur me procesin ia ka shprehur ambasadorit Guerot “rezervat që i kemi shfaqur edhe publikisht lidhur me marrëveshjen aktuale të prezantuar”, me fokus te mungesa e “njohjes së ndërsjellë si rezultat përfundimtar i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar zyrtarët e PDK-së për të komentuar shqetësimet e shprehura të partnerëve perëndimorë, por ata nuk janë përgjigjur.

Haziri: Qëndrimi i riformuluar i LDK-së

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thekson se shqetësimin e shprehur nga partnerët perëndimorë dhe në veçanti të SHBA-së e sheh si të bazuar. Këndvështrimi i këtyre shqetësimeve, sipas tij, ka të bëjë me mungesën e konsensusit në Kosovë lidhur me propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por, sipas tij, për mungesën e këtij konsensusi, përgjegjësia i takon më së shumti kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentes Vjosa Osmani, sepse, siç thotë ai, atyre u ka munguar angazhimi dhe vullneti politik për të ndërtuar konsensus sa më të gjerë lidhur me proceset e mëdha, në veçanti për dialogun me Serbinë.

“Ne po e kuptojmë rolin dhe qëndrimin amerikan dhe na është thënë. Ne më shumë kemi pasur takime me emisarin amerikan [për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar] sesa me kryeministrin dhe më shumë kemi pasur takime me ambasadorin amerikan [në Kosovë, Jeff Hovenier] sesa me kryeministrin dhe presidenten bashkë. Por, kjo është gjendja, në të cilën LDK-ja e ka rishikuar dhe e ka riformuluar [qëndrimin]. Parimisht, ne nuk kemi ndryshuar raport dhe qëndrim. Ka ndryshuar qëndrimin kryeministri”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Haziri shton se LDK-ja e mbështetë procesin e dialogut, por sipas tij, kryeministri e ka dëmtuar procesin për shkak se më nuk po bisedohet për njohje të ndërsjellë me Serbinë. Ai thekson se kryeministri Kurti nuk i ka ftuar partitë opozitare “për të dhënë sqarime se çfarë ka arritur, cilat janë vështirësitë dhe pritjet lidhur me propozimin e BE-së për normalizim” dhe këtë nuk e ka bërë as në Kuvendin e Kosovës, ku ishte i ftuar me mocion. Në këtë pikë, sipas tij, LDK-ja nuk mund ta mbështesë Qeverinë lidhur me propozimin e BE-së.

“Si mund të bëhet kjo, njëanshëm? Na tregoni... pra, opozita të reagojë njëanshëm dhe të mbështesë Qeverinë në çështjet, për të cilat nuk e dimë se çka kanë negociuar, çka ka premtuar dhe çka pret të realizohet në Ohër? Ne ende nuk jemi njoftuar. Ne e kemi detyruar kryeministrin që të vijë dhe të flasë [në Kuvendin e Kosovës] me mocion, që është masë urgjente. Por, nuk ka normalitet dhe përderisa nuk ka normalitet ky proces, ne nuk i besojmë dhe marrëveshja është në dëm të Kosovës. Kjo është... Pikë”, thekson Haziri.

Muhaxhiri: Kundërshtime paradoksale të opozitës

Njohësi i proceseve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se qëndrimet kundërshtuese të PDK-së dhe LDK-së ndaj propozimit evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, janë paradoksale.

“Trashëgimia në dialog ka qenë 100 për qind në harmoni me idetë evropiane dhe planet e deritashme, të cilat nuk dallohen aq shumë me planin franko-gjerman [propozimin e BE-së]. Pra, ai nuk është shumë i ndryshëm nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe vitit 2015, të cilat janë pranuar nga PDK-ja dhe LDK-ja dhe janë votuar në Kuvend”, thotë Muhaxhiri.

Ai shton se të dy këto parti, në vazhdimësi e kanë kritikuar kryeministrin Kurti për mungesë të realizimit dhe pragmatizmit në raport me projektet e mëdha ndërkombëtare për Kosovën, derisa ai po përballej me presionin ndërkombëtar. Kritika të tilla, Kurti kishte marrë madje edhe në kohën derisa partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, ishte në opozitë.

“Tani, kur kryeministri Kurti shfaqet pragmatik dhe bashkëpunues, këto dy parti i ndryshojnë pozicionet. Duket i palogjikshëm ky kundërshtim kaq radikal i këtyre dy partive, në një moment kur presionet janë jashtëzakonisht të mëdha. Është e pritshme që këto presione, nga kryeministri Kurti, i cili tashmë është shndërruar në një aktor tejet konstruktiv, të kalojnë në drejtim të opozitës kosovare dhe pastaj të fillojë një betejë e re ndërmjet përfaqësuesve të opozitës dhe SHBA-së, si dhe BE-së”, vlerëson Muhaxhiri.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, me ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 27 shkurt në Bruksel. Përfaqësuesit e BE-së thanë se Kosova dhe Serbia e kanë pranuar tekstin e kësaj marrëveshjeje bazë dhe pritet në vazhdim të diskutohet për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Palët nuk e nënshkruan këtë propozim, ndonëse kryeministri Kurti tha se ka qenë i gatshëm për një gjë të tillë.

Propozimi përbëhet nga 11 nene. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë