“Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë mbrojtjen e saj kundër ajrore për të mbrojtur popullsinë dhe infrastrukturën.” Ky ishte apeli i Arben Çuko, ish-drejtues i skuadrës Elite Komando, në një intervistë për “Bota Report' në Report TV
Sipas tij, ajo që po ndodh në Iran dhe përshkallëzimi në Lindjen e Mesme është një sinjal i qartë edhe për Shqipërinë.
“Kjo është një kambanë për shoqërinë tonë dhe shtetin tonë. Ne duhet të shpejtojmë që të rrisim kapacitetet tona të mbrojtjes kundër ajrore. Është momenti që duhet parë strategjia e sigurisë kombëtare dhe të rialokohen fonde për të ndërtuar sistemin tonë të mbrojtjes kundër ajrore. Është momenti që ne me shpejtësi të madhe të ngremë mbrojtjen tonë me sisteme të provuara në konflikte”, tha ai.
Duke qenë se Shqipëria prej vitit 2013 strehon muxhahedinët iranianë (MEK) në kampin “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit, lind pyetja nëse kjo e bën vendin objektiv të mundshëm. Çuko u shpreh se, në këndvështrimin e tij strategjik, ky grup nuk përbën objektiv prioritar për Iranin.
“Unë mendoj që Iranianët kanë halle të tjera për të zgjidhur dhe nuk kanë hallin e një grupi iranianësh kundërshtarë të regjimit që është i izoluar në Shqpëri. Në këndvështrimin strategjik, ky grup nuk përbën një objektiv për iranianët, por mundësia teknike e hedhjes së raketave moderne që arrijnë deri në Europë ekziston. Ata pretendojnë që kanë testuar një raketë tjetër me rreze 3000 km që do të arrinte deri në Europën qendrore. Nga ana strategjike, nuk besoj që ata do harrojnë flotën amerikane dhe aviacionin izraelit, për të lëshuar një raketë balistike ndaj iranianëve” tha ai.
Po nëse një raketë do të nisej drejt Ballkanit, a mund të ndalohej?
“Teknikisht kjo raketa lëshohet në Iran, del mbi atmosferë, lëviz dhe kur vjen mbi objektiv futet. Asnjë vend e asnjë mbrojtje kundër ajrore nuk do arrijë ta kap. Atë raketë e zbulon vetëm flota amerikane që ka radarë. Ne duhet me urgjencën më të madhe të ngrejë sistemin kundër ajrore. Ka ardhur koha që ne të kemi mbrojtjen tonë kundër ajrore për të mbrojtur popullësinë, infrastrukturën dhe asetet tona” tha eksperti.
Sa i përket objektivave të operacionit ushtarak kundër Iranit, Çuko u shpreh skeptik sepse një diktaturë nuk rrëzohet me bomba.
“Kjo është paralajmëruar vite më parë. Lindja e Mesme nuk ka qenë asnjëherë e qetë dhe e paqtë. Me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës u ravijëzuan dy kampet botërore: kampi perëndimor dhe anti perëndimor me Rusinë, Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut. Goditja ndaj Iranit nga ana amerikane është pjesë e strategjisë globale të Amerikës për të ndërprerë linjat kineze të komunikimit me aleatët. Kjo ishte arsyeja që u be operacioni në Venezuelë por edhe në Iran, dy burimet kryesore të Kinës për naftën. Ky qëllim përputhet dhe me synimin izraelit për uljen e kapaciteteve bërthamore të Iranit. Objektivi themelor politik i Izraelit dhe SHBA-ve është ndryshimi iregjimit. Një regjim nuk ndryshon duke hedhur bomba. Fushata ajrore në rastin e një shteti të madh dhe të fuqishëm sic është Irani, nuk do të sjellë rezultatet e pritshme të dorëzimit të një shteti vetëm me fushata ajrore. Një shtet dorëzohet vetëm po ta pushtosh, por vetëm me goditje ajrore objektivi është shumë i paqartë. Gjatë gjithë historisë moderne ka pak raste, që vetëm me përdorimin e fuqisë ajrore dhe kërcënimin e përdorimit të forcës tokësore u dorëzua. Kjo ishte Serbia. Irani është shtet i konsoliduar. Fuqia e Iranit është me e madhe se ajo e Irakut. Territori iranian është më i vështirë he më i madh. Teknologjia dhe prodhimi ushtarak iranian janë shumë më të fuqishme. SHBA-ve do u duhet të grumbullojnë 2 milionë ushtarë që të arrijnë të sulmojnë Iranin. Objektivat politikë të këtij operacioni janë jo të përcaktuara qartë. Nuk mund të ndryshojë një regjim diktatorial vetëm me bomba. Një regjim ndryshohet me lëvizje të brendshme” tha ai.
Ai paralajmëroi edhe për pasojat ekonomike globale si pasojë e rritjes së çmimit të naftës.
“Unë mendoj që kjo luftë nuk do zgjasë shumë sepse do të thotë një krizë shumë të madhe energjitike për të gjithë botën. Fuçia e naftës ka vajtur 80 dollarë për shkak të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit nga ku kalon 20% e naftës. Nëse ky konflikt do vazhdojë gjatë, çmimi i naftës do të dyfishohet, zinxhiri global i furnizimit me mallrave nga Azia në Perëndim do të prishet” tha ai
Sipas tij, Europa dhe Shqipëria kanë vetëm një rrugë: forcimin e mbrojtjes dhe mbështetjen e aleancës me SHBA-të.
“Besoj që Europa ka nxjerrë dhe po nxjerr mësimet e veta për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes. Europa ka vetëm një rrugë, siç edhe ne kemi vetëm një rrugë; të mbështesim pa kushte SHBA-të si aleat strategjik. Iranianët këtë herë, kanë qenë të përgatitur për këtë skenar. Ka një plan të qarë operacional. Ata po shpenzojnë raketat e vjetra për të lodhur dhe stërmunduar mbrojtjen kundër ajrore izraelite, amerikane dhe vendeve të Gjirit. Unë mendoj që teknologjinë më të re hipersonike nuk e kanë përdorur akoma në masë. Kjo duket sikur është shumë larg nesh, por jo. Ka një lloj ndikimi periferik ndaj nesh por në parashikimin afat-mesëm, kjo ka direkt impakt edhe për vendin tonë. ” tha ai.
Teksa qiejt e Lindjes së Mesme janë boshatisur për shkak të luftës në Iran shumë shqiptarë presin të kthehen në vend nga Dubai sapo të rinisin fluturimet. Sipas Erjola Agës, sipërmarrëse dhe drejtuese e një kompanie turistike në Dubai, situata pritet të zhbllokohet së shpejti.
“Në ditët e fundit ka pasur një numër të konsiderueshëm turistësh shqiptarë në Dubai. Me datë 28 kanë qenë fluturimet e fundit që kanë ardhur në Dubai dhe janë nisur prej andej. Nga data 28, shqiptarët janë të bllokuar në Dubai. Kemi mbi 20 kontakte shqiptarësh që janë turistë në Dubai. Nga nesër në orën 3 pasdite do të nisin fluturimet nga Dubai por duhet të ndjekim njoftimet e autoriteteve. Turistët kanë marrë mesazh për të rezervuar biletat në një datë tjetër” tha ajo.
Gjatë intervistës ajo ndau detaje edhe për sigurinë në Emiratet e Bashkuara Arabe duke e përshkruar situatën të qetë.
“Situata është e qetë. Ndihemi të sigurt. Ka mesazhe alerti nëse ka rrezik sulmesh. Na këshillojnë të mos dalim nëse nuk është e nevojshme. Jeta vazhdon normalisht”, tha ajo.
Komente











