Tjetërsimi i dokumetave të pronave shkon përtej imagjinatës. Edhe një minoren 10 vjeçar është bërë përfitues prone në bazë të ligjit 7501. Të tilla raste, por jo vetëm janë denoncuar nga qytetarët dhe kanë mbërritur në zyrën e rregjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në një deklaratë për mediat, drejtori i hipotekës, Elion Semanaj tregoi rastet flagrante ku janë evidentuar të tilla shkelje.

 I gjithë dokumentacioni është përcjellë si i rregullt nga Njësia Vendore drejt Zyrës Vendore të Regjistrimit, gjë që bie në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Kështu ky minoren ka përfituar tokë bujqësore në familjen e babait të tij, por ka përfituar edhe AMTP të vetën personale si kryefamiljar kur në fakt ishte vetëm 10 vjeç, në kundërshtim të hapur me ligjin. Veprimet e kryera nga Njësia vendore nuk janë kundërshtuar nga Zyra Vendore por është vijuar me regjistrimin e akteve në kundërshtim me ligjin dhe VKM nr.994 të vitit 2015 ku pjesë përbërëse e dokumentacionit është dhe certifikata e gjendjes familjare e vitit 1991.

Drejtori i hipotekës, Elion Semanaj

Po ashtu janë evidentuar edhe raste kur me një vendim gjykate të një niveli më të ulët është rritur sipërfaqja e pasurisë me 20 Hektarë kur kjo pasuri dhe sipërfaqja është përcaktuar dhe regjistruar me Vendim të Gjykatës së Apelit. 

Ky veprim është kryer në bashkëpunim me Zyrën Vendore e cila nuk ka ankimuar vendimin dhe nuk ka paraqitur provat e nevojshme pranë gjykatës. Kjo ka sjellë si pasojë rritjen e sipërfaqes në favor të spekulantit duke dëmtuar rëndë interesat e shtetit. 

Gjetjet do ti referohen task forcës së ngritur nga kryeministria dhe sigurisht në përfundim të hetimit të thelluar administrative, do t’i përcillen organeve ligj-zbatuese.