Burgu i Shënkollit në Lezhë do të kthehet në institucion të shëndetit mendor, bëri me dije ministri i Drejtësisë, nga një konferencë për shtyp duke shtuar se do të duhen disa vite.

“Kemi një plan dhe do të jetë institucion i shëndetit mendor. Atje do të trajtohen të dënuarit ashtu siç trajtohen të dënuarit që vuajnë nga shëndeti europian në çdo vend europian. Do të marrë disa vjet”, tha Gogu.

Dyfishimi i sigurisë dhe përfshirja e programeve të rehabilitimit janë një nga synimet e ministrisë.

Qytetarët tashmë do të marrin shërbim më të shpejtë për pronat pasi do të kenë në dispozicion dy ditë të javës për të zhvilluar takime me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Pronave për çështjet e kompensimit dhe njohjes së pronësisë.

“Çdo të mërkurë, të gjithë ata që kanë problem me Agjencinë e Trajtimit të Pronave, drejtori ju pret për kthimin e kompensimit dhe të enjteve për njohjen e pronësisë. Drejtori i Përgjithshëm ka hartuar një plan për shërbimin ndaj qytetarëve dhe e dimë fare mirë që është një nga ato tema që çdo familje ka përjetim të hidhur”, tha ministri.

Lidhur me amnistinë penale që u zbatua më 15 korrik, Gogu tha se 2300 persona kanë përfituar.

“E di që ka krijuar debatin publik që ka krijuar çdo amnisti, por kriteret e amnistisë i vendos Kuvendi i Republikës që i ka miratuar ato dhe ne kemi zbatuar duke bërë përjashtime, krimi i organizuar, korrupsioni, vrasje në rrethana cilësuese, terrorizmi”, tha ai.

7 të miturit që janë liruar po mbështeten me programe individuale riintegrimi.

Në kuadër të integrimit europian, dhjetori është synimi për të mbyllur punën me kapitujt që në dhjetor 2027 të përmbyllen piketat.

“Objektivi ynë është që vitin tjetër në shtator të kemi mbyllur detyrat e shtëpisë”, tha Gogu.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:38
Gogu: Prioritet pagat e Policisë së Burgjeve! Drejtoria e Monitorimit do të udhëhiqet nga një magjistrat

 

Përmirësimi i pagave të Policisë së Burgjeve është një nga prioritetet e ministrit të Drejtësisë. Ai tha se kjo do të mundësohet në hapësirën më të parë që do të lejojë buxheti.

“Trajtimi i policisë së burgjeve është në prioritetet e mia që të jetë i njëjtë. Jam në një bisedë intensive që në momentin e parë që na lejon buxheti një hapësirë për të rritur trajtimin financiar të tyre do ta bëjmë këtë gjë”, tha ministri.

I pyetur pse Drejtoria e Monitorimit s’ka ende drejtues, Gogu bëri me dije se do t’i besohet një magjistrati.

Ministria e Drejtësisë meriton të ketë në mesin e saj magjistratë që kanë gjithë aftësinë që të shërbejnë në ministri. KLP, me gjithë mungesat dhe nevojat, kanë aprovuar kërkesën dhe shumë shpejt, ky departament do të drejtohet nga një magjistrat. Puna ka vazhduar, kemi pasur inspektime”, tha ai.