Strukturat e Bashkisë Shkodër, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Hetimin Tatimor, Krimin Ekonomik dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, kanë zhvilluar kontrolle të përbashkëta në Plazhin e Velipojës për monitorimin e zbatimit të çmimit tavan, të miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak.

Gjatë inspektimeve, nënkryetari i bashkisë Shkodër, Alban Preka, u shpreh se çdo subjekt është i detyruar të afishojë qartë çmimet dhe t’i respektojë ato, ndërsa paralajmëroi se nga dita e nesërme çdo shkelje do të ndëshkohet me masa administrative dhe penalitete, sipas legjislacionit në fuqi.

"Jemi këtu për kontrolle, ku shumë subjekte nuk kanë afishuar çmimet e çadrave dhe shezlongëve në plazhin e Velipojës. Bizneseve iu kërkua të vendosin çmimet dhe mos të tejkalojnë çmimin që është 900 lekë për një çadër dhe dy shezlongë", tha ai.

 Preka u bëri thirrje qytetarëve dhe pushuesve që të denoncojnë çdo rast abuzimi me çmimet në Sallën Operative të Policisë Bashkiake.

Sipas tij, respektimi i rregullave dhe mbrojtja e konsumatorit janë thelbësore për ta mbajtur Velipojën një destinacion turistik ku respektohen ligji, qytetarët dhe pushuesit.