TIRANË - Shërbimi Social Shtetëror i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka kallëzuar sot në Prokurorinë e Rrethit të Lezhës, kryetarin, nënkryetarin dhe anëtarët e Këshillit të Komunës Dajç, si dhe ish-përgjegjësin e Seksionit të Ndihmës Ekonomike dhe të Personave me Aftësi të Kufizuar, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës.
 
Nga kontrolli i ushtruar nga auditi i Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se 60 familje në Komunën e Dajçit janë trajtuar me ndihmë ekonomike në kundërshtim me kriteret e përfitimit të saj dhe me mangësi dokumentesh në dosje. Shkelje të tjera u evidentuan edhe gjatë kontrollit të dosjeve të personave para dhe tetraplegjikë, të verbërve dhe dosjet e kujdestarëve të tyre, ku rezultoi se 21 persona kanë përfituar kompensim energjie në mënyrë të padrejtë.
 
Gjithashtu, u konstatuan 19 raste të pagesës së invalidëve të punës në kundërshtim me kriteret e përfitimit. Sipas vlerësimit paraprak, shkeljet flagrante të gjetura në dokumentacion i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit gjithsej një dëm prej 1.612.100 lekë.
 
Veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi ish Administratorin e Ndihmës Ekonomike dhe të Aftësisë së Kufizuar të Komunës Dajç, administratorin aktual, Kryetarin dhe anëtarët e Këshillit të Komunës Dajç.
 
Në përfundim të këtij kontrolli, Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë që do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera.
 
Shërbimi Social Shtetëror po vazhdon kontrollet e skemës së Ndihmës Ekonomike dhe Pagesave të Aftësisë së Kufizuar. Ndërkaq, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka hapur faqen online të internetit ëëë.denonco.al, ku çdo qytetar mund të raportojë rastet të shkeljes me skemën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)